TË (Ç)DASHUROSH VETEN

Gjatë qëndrimit treditor në një konferencë shkencore në Albena të Bullgarisë, në fund të gushtit, si zakonisht mora me vete një libër më “light” për të lexuar, veprën që më bën të gëzohem për disa gjëra, e kishte blerë dhe e kishte lexuar vajza ime që studion për mjekësi. Nga ndjekëse e dikurshme, dalëngadalë u shndërrua në konsumatore të librave të mia, dhe më në fund në pasuruese të buxhetit libror të bibliotekës sonë shtëpiake. Noah Blumenthal, Kur dashurohesh me veten, Botimet Max.

Ky libër merret me një çështje të rëndësishme nga spektri i psikologjisë: si ta ndryshojmë veten, si t’i kuptojmë më drejt shprehitë tona. Triada e propozuar për të bërë revolucion tek vetja është kjo sipas autorit: ndërgjegjësimi, krijimi i mbështetjes dhe ndërmarrja e veprimit. Në fakt të jesh i dashuruar pas vetes do të thotë të jesh i dhënë pas vetëvetes, nga njëra anë të tërhiqesh nga shprehitë apo veset e ngulitura dhe nga ana tjetër të  tentosh t’iu shpëtosh atyre. Për shembull t’i mësosh të tjerët çfarë duhet të bëjnë dhe të bësh çfarë të thuhet të bësh mund të jenë shprehi të kësaj kategorie. Në këtë grupim shprehish hyjnë edhe të punuarit shumë a pak, kritikat permanente ndaj të tjerëve, ‘jo’-ja, inatosja, emocionet, të folurit pamenduar, të shpenzuarit pak kohë për familjen, pesimizmi etj. Blumenthal thekson se vazhdimi i sjelljeve që na dëmtojnë është karakteristikë më domethënëse e  shprehisë së të dashuruarit pas vetëvetes. (f. 32) Nëse duam ta zhvillojmë dhe ta ndryshojmë veten, të bëhemi njeriu që duam të jemi, nuk guxojmë të ngulmojmë në gabime, nuk duhet të insistojmë në çmendurinë tonë. Albert Ajnshtajni çmendurinë e ka definuar si vijon: “Të bësh të njëjtën gjë vazhdimisht dhe të presësh rezultate të ndryshme”. Pra në këtë drejtim, me rëndësi është kapërcimi i këtij zhbalancimi, duhet që brenda dhe përreth nesh të krijojmë një mjedis që sinjalizon shprehitë tona të reja, duhet ta gjejmë forcën për ta detyruar veten të përballemi me shprehinë e papëlqyeshme, derisa të kemi hequr vërtet dorë prej saj. Duhet t’i ndërtojmë rrathët e forcës, duhet të rikrijojmë veten dhe mjedisin për t’iu thënë lamtumirë shprehive klinike. Në këtë drejtim Blumenthal, përmend kurën e trajtimit nga alkooli, drogat dhe kumari.

Nëse arrijmë që të ndërgjegjësohemi plotësisht për shprehitë që na lëndojnë në punë, me bashkëshortin/en, që na pezmatojnë dhe na bëjnë të ankohemi për ditë me radhë, nëse arrijmë ta ndezim shkëndijëzën e analizës së vetes, nëse fillojmë t’i marrim në konsideratë njerëzit që i çmojmë, nëse ia dalim t’i kuptojmë pasojat, nëse fillojmë ta godasim veten, kemi bërë hapa të rëndësishëm drejt paqes me veten. Njëriu që dëshiron ta largojë dytëshorin negativ nga vetja duhet t’i shohë mundësitë e ndryshimit, të caktojë pikësynime të matshme (P.sh. “Do të shkoj në palestër të paktën tri herë në javë”, në vend të “Do të shkoj në palestër më shpesh”; “Do ta kosit barin e parkut tim një herë në javë, në vend të “Do ta kosit më shpesh barin e parkut”; “Do të bëj të paktën një deklarim optimist çdo ditë”, në vend të “Do të jem më optimist”).

Përveç që duhet tentuar për ndryshim të vetes, duhet zbuluar mundësi edhe për të përgëzuar ndokënd tjetër, duhet këlthitur: ‘mjaft me ankesa, të jem më pozitiv’, “kontrollo shpërthimet e karakterit dhe të zemërimit’,  që sjellin dobinë e relaksimit, të të qenët prind më i mirë, atë të mundësive për ngritje në detyrë, përmirësimit të shëndetit dhe të “jetës më të gjatë”, jo kohërisht por më të lumtur e më cilësore. Në vazhdim, vjen faza e gjetjes së partnerëve të mundshëm që kanë afinitete për të na ndihmuar për ta bërë ndryshimin (partneri njohës: di se çfarë doni të ndryshoni, informuesi: jep mendimet për ndryshimin e  synuar dhe partneri i veprimit apo i punës: vepron në emrin tuaj për t’ju ndihmuar të bëni ndryshimin). Bashkëkonspiratori (ju ndihmon ta ruani shprehinë), pesimisti (ju bind se njerëzit nuk ndryshojnë), admiruesi (shprehia juaj nuk është edhe aq e keqe) dhe shmangësi (kthehet në anën tjetër, bëhet skur shprehia nuk ekziston) janë janë katër profilet barrierë e ndryshimit. Hapi tjetër është gjetja e mbështetësve, sepse pa mbështetje edhe themeli më i fortë mund të shembet me kalimin e kohës. Strategjia është kjo: pyesni, dëgjoni, pyesni, dëgjoni, falënderoni, diskutoni, përsërisni. Dhe në fund, ndërmarrja e veprimit, pasi kemi arritur besimin te vetja dhe aftësinë për çastin vendimtar (f. 150), për të goditur në shenjë. Tani veç kemi kaluar nga dallimi te rimëkëkmbja dhe zëvendësimi. Në këtë  vijë na shfaqen katër sinjale që duhet pasur parasysh, nxitësit, blokuesit, startuesit dhe dritat jeshile (pëforcimet dhe shpërblimet pozitive). Personi që dëshiron ndryshimin duhet të monitorojë hapërimin e vet, konstaton doza të rikthimit të “historia e veseve”, kupton se ndryshimi kërkon kohë dhe shumë mund, se nuk ka plan të pagabueshëm, krijon ndjenjë të vigjilencës së madhe, mobilizon energjinë mendore duke targetuar vendmbërritjen e re: të qenët më i qetë me të tjerët dhe më i kënaqur me veten. Dhe kur vërejmë se kemi ndryshuar, mund të festojmë. Ne jemi një njeri thuajse tjetër.

Të gjithë e duam veten dhe kjo nuk është gabim, por ama ta arrish fazë të luftosh me veten destruktive është një pikësynim tek i cili nuk mund të arrijë çdokush. Përvojat profesionale dhe arsimore të Blumenthalit janë një guidë dhe siç kanë ndihuar qindra klientë kompanish, pronarë biznesesh, shitës e indivdë të ndryshëm, mund t’ju ndihmojnë edhe juve që të ndryshoni aftësinë tuaj për të ndryshuar, që të përmirësoni veten dhe raportet tuaja me botën e jashtme, që të kaloni nga pesimizmi drejt shpresës e lumturisë.

Me thënë të drejtën, nga ky libër prisnim diç në lidhje me narcisoiditetin, vetëpëlqimin, egoizmin, mburrjen, nevojën e pafund për lëvdata, idealizmin e tepruar dhe të paskrupullt të gjërave dhe veprimeve vetjake, me provat e prestigjit dhe superioritetin (Drevinja), kurse në fakt na doli si një vepër që ka të bëjë me çdashurimin nga vetja, me tentimet për t’iu shkëputur vetes negative, për ta shëptuar veten nga vetja destruktive.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. ali i dashur, komentin per kete shkrim, nder me te miret mes te tjereve deri tash, ta shkrova ne email, mos perseritem ketu pasi lexuesit mund ta supozojne vleresimin. une vetem pres, e siç u morrem vesh, ftesen per te çajtorja e vedatit, në çarshine e vjeter kuptohet. as ti as une dhe miqte e perbashket nuk jemi shyqyr nder shqiptaret e marrosur qe dalin me shpesh matane vardarit ku çmimet jane me se paku trefish me shtrenjte, sherbimi dyfish me i dobet se ai shqiptar, kurse te krahasosh ambientin sidomos ne shesh dhe perreth ku ulen njerezit pa shije dhe kenaqen me kiç pamjet eshte metodologjikisht e pamundur!
    vetem nje gje me habit, jo vetem kesaj here.
    si ka mundesi qe ky teksti yt qe vlen te lexohet disa here te jete pesefish me pak i lexuar se sa p.sh teksti i autorit te çmuar robert nesimi tek i cili, mes tjerash, me pelqen edhe gjuha e munguar tek ne e numrave. te qartesoj, kolumna e tij titullohet “deshtimet e para te qeverise se re” te cilet nenkuptohen pak a shume, kushedi sa mire dhe statistikisht ti kete sqaruar roberti, kurse “te (ç)dashurosh veten ç” eshte shume me intrigues dhe mund te ndihmoje me shume ne personalitetin tone, pra thjesht edhe nga nevojat te natyres esenciale, te mos them nga egoizmi pozitiv, eshte e pritshme te kishte mijera klikime.
    ama duke qene me shume te politizuar se sa te interesuar per rritje dhe zhvillim personal, vetem per kete shkak kemi klase politike pavaresisht etnise se tyre qe jane pjesa me pak e zhvilluar e shoqerise, me pak e dobishmja dhe, uf Zot, me vendimmarresja.
    ne krye me ta maqedonia ec para me hapa gjigante dhe do kete te njejten tempo, te njejtat deshtime ne tremujoret a trevjeçaret e ardhshem..
    nga shkaku se ne masovikisht, siç do thonin edhe psikanalistet, e çdashurojme veten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button