ANALIZË: Rrota e ekonomisë duhet të lëvizë – prioritet do të jetë viti 2018!

Mirë është që qeveria vendosi të bëjë shkurtim të shpenzimeve joproduktive buxhetore, mirëpo tani nevojitet model i kombinuar i menaxhimit të ekonomisë, me kursime dhe shpenzime që do ta stimulojnë rritjen ekonomike, komentojnë një pjesë e ekonomistëve. Ata konsiderojnë se në fokus duhet të mbeten investimet, edhe të huajat edhe të vendit. Banka Popullore para do kohësh publikoi se përfundon faza e stagnimit me çka ekonomia fillon të lëvizë përpara. Të dhënat e reja për rënien e PBB-së në tremujorin e dytë, sipas ekonomistëve, dërgojnë sinjal se gjendjet duhet të ndiqen në mënyrë të kujdesshme. Sipas parashikimeve të buxhetit të rebalancuar, ky vit do të përfundojë me rritje prej 2,2 për qind, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Politika të kursimit apo të shpenzimit

Përqindja negative e rritjes ekonomike prej 1,8 për qind në tremujorin e dytë është sinjal se ekonomia akoma është e brishtë, mirëpo me rëndësi është se pas stabilizimit të gjendjes politike, duhet të pritet një periudhë pozitive, komentojnë një pjesë e ekonomistëve. Ata konsiderojnë se viti 2017, i cili u karakterizua me paqartësi politike, do të përfundojë me rritje të ngadalshme ekonomike, mirëpo tashmë duhet të mendohet edhe për vitin e ardhshëm 2018.

“Еkonomia ka vazhdimësinë e saj dhe ajo nuk merr hov vetëm për shkak se në pushtet ka ardhur garniturë e re politike. Nevojiten politika që do ta nxisin rritjen ekonomike. Jemi duke i pritur ato. Ngecja e ekonomisë në gjysmën e parë të vitit e bën edhe më të paqartë hovin eventual. Në fakt, fillimisht duhet të ndërpritet trendi negativ e pastaj duhet të ketë lëvizje të rrotës përpara. Prandaj, mirë është që për vitin 2017 të zvogëlohen pritjet dhe të qetësohet topi, mirëpo në prapavijë të punohet që viti 2018 të jetë i vrullshëm. A është kjo e mundur? Me zgjidhje të mira dhe konsekuente mendoj se është e mundur” – thotë ekonomisti Pavle Gacov, kryetar i shoqatës së Këshilltarëve tatimorë.

Si pjesë e prioriteteve të politikave ekonomike, sipas njohësve të rrethanave, duhet të jenë investimet dhe qëndrueshmëria, gjegjësisht zvogëlimi i huave…

“Për gjashtëdhjetë ditë mendoj se u arrit që minimalisht të zvogëlohet edhe borxhi publik, huatë dhe pres që ky proces të vazhdojë edhe më tutje. Gjatë viteve të kaluara ekonomia shkonte në drejtim të gabuar, tani mendoj se shkon në drejtim të vërtetë”, konsideron Predrag Tërpeski, prodekan i Fakultetit Ekonomik të UKdheM, dhe thekson se ekonomia stabile do të thotë edhe ringjallje të aktiviteteve investuese.

“Gjatë viteve të kaluara klima investuese në Maqedoni është dëmtuar shumë. Iniciativat për investime u dëmtuan shumë. Qeveria e re kësaj duhet t’i kushtojë më tepër kujdes”, thotë profesori Tërpeski, transmeton Portalb.mk.

Para do kohësh, edhe pse Banka Popullore njoftoi se faza e stagnimit, si pasojë e krizës politike, ka përfunduar, megjithatë, rreziqet akoma ekzistojnë.

“Pas stagnimit të aktivitetit ekonomik në tremujorin e parë, treguesit me frekuencë të lartë për tremujorin e dytë tregojnë se ka përmirësim të gjendjes së ekonomisë. Ky konstatim mbështetet nga rritja e prodhimtarisë industriale, pas zvogëlimit të saj në tremujorin e parë, ndërprerjes së rënies së aktiviteteve në sferën e ndërtimtarisë, si dhe rritja e përshpejtuar e tregtisë. Megjithatë, të dhënat me frekuencë të lartë që janë në dispozicion për tremujorin e dytë janë të kufizuara, që e vështirëson mundësinë për të formuar vlerësim preciz në aspekt të dinamikës së aktiviteteve në këtë tremujor. Sa i përket projektimeve deri në fund të vitit, realizimet më të ulëta në tremujorin e parë krijojnë rreziqe për zvogëlim të projektimit të PBB-së prej 2,5% për gjithë vitin 2017” – thonë nga BPM-ja.

Sipas të dhënave nga Enti për statistikë, në qershor, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, prodhimtaria industriale ka rritje prej 4,0%, me çka u ndërpre trendi i rënies. Në gjysmëvjetorin e parë, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rritja e prodhimtarisë industriale është 1,2%. Sipas prognozave buxhetore, deri në fund të vitit, kontribut më të madh në rritjen ekonomike pritet të ketë ndërtimtaria dhe tregtia. Sipas ekonomistëve, mirë është që edhe viti 2017, i cili kaloi nëpër krizë të thellë politike, megjithatë do të përfundojë me përqindje pozitive të rritjes ekonomike, mirëpo që ato të jenë të qëndrueshme, vendimtare do të jenë politikat ekonomike të qeverisë.

“Opsioni më i mirë për menaxhimin e politikave buxhetore, me qëllim të rritjes së qëndrueshme ekonomike, është kombinimi i kursimit dhe i shpenzimit. Kjo do të thotë racionalizim i shpenzimeve jofunksionale dhe insistimi për arsyeshmëri ekonomike të investimeve të paralajmëruara nga njëra anë, dhe shpenzimi për investime kapitale, para së gjithash ndërtimi i rrugëve, objekteve energjetike, gazifikimi, nga ana tjetër. Konsideroj se masat rigjide të kursimit që do të zbatoheshin me çdo kusht, do të shkaktonin deformim të sistemit dhe në këtë moment ky nuk është opsion i arsyeshëm”, thotë ekonomisti Gacov.

Para do kohësh, statistika shtetërore publikoi se tremujori i dytë përfundoi me përqindje negative të rritjes prej -1,8%. Për ekonomistët, këto parametra janë të pritur duke pasur parasysh se gjatë periudhës së kaluar u bë ekipimi i qeverisë, që rezultoi me përmbajtje nga investimet.

Me projektimet e reja buxhetore, viti 2017 do të përfundojë me rritje prej 2,2%, që paraqet përqindje më të ulët në krahasim me projektimin inicial prej 3,0%. Ky projektim i ri, sipas qeverisë, kryesisht është rezultat i efekteve nga prolongimi i krizës politike në vend mbi ekonominë, në pjesën më të madhe si rezultat i përmbajtjes së sektorit privat  nga aktivitetet më të mëdha investuese gjatë muajve të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button