Më fliste për…

Lindita Kadriu

Lindita Kadriu

“…në lodhjet e moshës madhore, si gjithë të tjerët, kohë pas kohe edhe unë i rikthehem fëmijërisë si një strehe për t’u prehur. Ishte bujare, me shumë lodra, fjalë të ëmbla, përkëdheli, libra për fëmijë, përralla. Prindërit duke qenë të ndieshëm ashtu edhe na e ngjyruan atë periudhë, kurse ritual të përditshëm përbënin leximet para gjumit, gjatë ditës. Kështu m’u ngjiz ëndja që sot është nevojë për librin

…shkrimtari është para së gjithash lexues i mirë. Dhe ka bibliotekën e fëmijërisë ose e krijon vetë. Në librat me ilustrime që m’i blenin prindërit zbulova dëshirën për t’u harruar faqeve të tyre, për të udhëtuar pa lëvizur. Tekstet shkollore i merrja zakonisht të përdorura, por kisha një ves, librin e leximit e doja të jetë i ri dhe që javën e parë e lexoja sa herë nga fillimi deri në fund. Ashtu në fillore, ashtu në të mesmen.

…nëse nuk shkruajnë vetë, janë me fat ata që kënaqen të paktën së lexuari pasi kështu kanë mundësi të jetojnë më shumë se sa vetëm një jetë. Kështu në fakt krijojmë jetë alternative: e shkruajmë ose e gjurmojmë tek e shkruara që shpesh na mundësohet falë përkthimeve. Prandaj, përkthyesit i konsideroj të shenjtë aq sa shkrimtarët pasi e bashkëshkruajnë librin, sigurisht me shumë sfida, ndërkaq përkthyesit e poezisë e kanë akoma më të theksuar dilemën: ta tradhëtojnë autorin duke bërë që poezia të duket e bukur për lexuesin, apo ta tradhëtojnë lexuesin duke respektuar me çdo kusht metrikën, rimat, rrokjet që mund t’ia humb tingëllimën këngës dhe ai që e shijon të mbetet i zhgënjyer. Në përgjithësi përkthyesit janë diplomatët e letërsisë dhe pa punën e tyre sa më të varfër do të ishim për sa shumë vepra.

…ka mjaft teori se në ç’masë përkthimi duhet ti qëndrojë besnik tekstit origjinal. Përkthimi, thonë disa, është si femra: o është e bukur, o është besnike. Sipas Umberto Ekos të përkthesh don të thotë ta japësh pothuajse, e jo plotësisht të të njëjtën gjë ngase kjo është e pamundur pasi fuqia e dy gjuhëve s’është e njëjtë: çka i rri mirë njërës gjuhë nuk i shkon tjetrës.

Folëm mandej për miqësinë, por edhe vetminë që mund të jetë edhe e bukur, e nevojshme.

…kam shumë miq dhe pa ta nuk do të isha kjo që jam. Mësoj të dëgjoj mirë, por edhe të besoj për t’u rrëfyer. Jam prej atyre të cilët e kapin dorën që kërkon tënden. Ngaherë kam përshtypjen që takimet ma shpenzojnë kohën tejmase, por më shpesh bindem se kjo, përveç më të pasur, më bën më produktive dhe më të inspiruar për realizimet tjera.

…vetmia është e bukur nëse nuk është e imponuar. Pas periudhave me shumë kontakte e shoqërime njeriu natyrshëm ndjen nevojën të rri pak anash, sall me veten e tij. Por, fatkeqësisht apo fatmirësisht, vetmia sot është bërë gjendje luksi për shumë njerëz”.

Paradoksale, aq sa e vërtetë.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

One thought on “Më fliste për…

  1. Njera nga kolumnat me artistike. E lexova nje here dhe dy here te tjera me pas.
    Nuk di ne ta quaj kolumne. Je e vetmja qe me kenaqe me tregime brenda nje kolumne :)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP