Spastrimi etnik në Arakan, 77 për qind të ikur nga vitet e 70-ta

Rreth 77 për qind e muslimanëve në shtetin e Arakanit (Rakhine) në Mianmar kanë braktisur trojet e tyre për shkak të përndjekjeve dhe trysnive sistematike që nga vitet e 70-ta dhe kanë migruar në shtetet e rajonit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Muslimanët e Arakanit (Rohingya), të cilët qeveritë e Mianmarit i kanë konsideruar si migrantë të ardhur nga Bangladeshi, në dokumente zyrtare emërohen si “Bengali”.

Përmes një ligji të miratuar në vitin 1982 ata humbën të drejtën për shtetësi dhe llogariten si popull “pa shtet”, teksa Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) i konsideron si “pakica më e persekutuar”. Ata njëkohësisht përballen me dhunë dhe me diskriminim ligjor, ekonomik dhe shoqëror.

Në Mianmar, ku 135 grupe etnike njihen zyrtarisht, budistët radikalë kundërshtojnë njohjen zyrtare të muslimanëve të Arakanit.

Përleshjet që shpërthyen në vitin 2012 në Arakan mes budistëve dhe muslimanëve, aktualizoi dramën e muslimanëve Rohingya. Gjatë incidenteve, mijëra njerëz humbën jetën, shumica muslimanë, ndërsa qindra shtëpive dhe bizneseve iu vu zjarri.

Në operacionet e ushtrisë së Mianmarit që nisën tetorin e vitit të kaluar pas sulmeve ndaj disa pikave policore, muslimanët u ballafaquan me dhunë dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Caku kryesor i operacioneve u bënë civilët.

Ikja masive nga Mianmari

Për shkak të trysnive sistematike, muslimanët e Arakanit prej vitesh strehohen në vendet e rajonit, duke migruar në mënyrë që të mbijetojnë dhe të jenë të sigurtë.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit dhe të dhënave të përafërta të përpiluara nga deklaratat e zyrtarëve të vendeve të rajonit, që nga vitet e 70-ta e deri në fillim të vitit 2017, mbi një milion e 700 mijë muslimanë të Arakanit janë detyruar t’i braktisin trojet e tyre.

Në këtë periudhë, 400 mijë muslimanë të Arakanit kanë migruar në Bangladesh, mbi 300 mijë në Pakistan, 300 mijë në Arabinë Saudite, 55 mijë në shtetet e tjera të Gjirit, mbi 100 mijë në shtetet e Azisë së Paqësorit me në krye Malajzinë dhe dhjetë mijë në Indi, përmes rrugëve legale apo ilegale.

Sipas një raporti me titull “Kriza e Komunitetit Rohingya” e Drejtorisë së Përgjithshme Evropiane për Mbrojtjen e Civilëve dhe Ndihma Humanitare pranë Komisionit Evropian, numri i përafërt i popullsisë muslimane në Arakan në fillim të vitit 2017 ka qenë 800 mijë.

Data 25 gusht 2017 u bë pikë kthese për muslimanët e Arakanit.

Ushtria e Mianmarit dhe budistët radikalë, duke u arsyetuar me sulmet ndaj pikave kufitare në Arakan, filluan të ushtrojnë dhunë masive.

Sipas të dhënave të fundit të Komisariatit të Lartë për Refugjatë pranë OKB-së (UNHCR), numri i muslimanëve të Arakanit që kanë ikur në Bangladeshin fqinj që nga 25 gushti ka arritur në 370 mijë. Në këtë mënyrë, numri i muslimanëve Rohingya në Bangladesh ka arritur në 770 mijë.

Këto shifra, me migrimet e fundit, nënkuptojnë se popullsia muslimane e Arakanit prej 800 mijë banorësh në fillim të vitit 2017 gati se është përgjysmuar, duke rënë në 430 mijë.

Spastrimi etnik detyroi ikjen e 77 për qind të muslimanëve

Pas ikjeve të fundit drejt Bangladeshit, supozohet se afër një milion e gjysmë muslimanë të Arakanit gjenden në shtetet e rajonit, kurse 430 mijë ende janë në Arakan.

Sipas këtyre të dhënave, 77 përqind e gjithsej 1,9 milionë muslimanëve të Arakanit kanë braktisur Mianmarin që nga vitet e 70-ta, ndërsa kanë ngelur vetëm 23 përqind.

Shifrat tregojnë se muslimanët e Arakanit përballen me spastrim etnik.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al-Hussein, në një deklaratë ditë më parë tha se qeveria e Mianmarit ka përdorur haptazi forcë joproporcionale ndaj muslimanëve të Arakanit si “haptazi joproporcionale”, duke shtuar se “gjendja në Arakan është shembull i spastrimit etnik si në tekstet shkollore”.

Ndërkaq, Këshilli Evropian për Muslimanët Rohingya (ERC) i përçon botës zërin e muslimanëve të Arakanit, ngjarjet në Arakan i ka cilësuar si “gjenocid të heshtur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP