Meta vizitë në Itali, takon homologun Mattarella

Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u takua sot në Romë me Presidentin italian, Sergio Mattarella, ku zhvilluan bisedime zyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Shqipërisë, thuhet se Meta dhe Mattarella vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve e dy popujve dhe ndanë mendimin se këto marrëdhënie duhet të zgjerohen edhe më tej, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit ekonomik e tregtar.

“Presidenti Meta theksoi se Italia ka qenë e do të mbetet një partner i gjithanshëm dhe i pazëvendësueshëm për Shqipërinë. Meta i kushtoi një rëndësi të veçantë çështjes së arritjes së marrëveshjes me autoritetet italiane në fushën e sigurimeve shoqërore për shqiptarët që jetojnë në Itali, si dhe afirmimit të vlerave dhe kontributeve të tyre në rritje në jetën ekonomike, shoqërore e politike italiane. Mattarella e siguroi Presidentin Meta për vijimin e mbështetjes së Italisë për Shqipërinë, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në atë të integrimit në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi se Shqipëria është shumë e rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit dhe përcaktuese me rolin konstruktiv që ajo luan”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se një vëmendje të veçantë gjatë takimit i është kushtuar bashkëpunimit për çështjet e sigurisë dhe të rendit, “duke u theksuar nevoja e rritjes së koordinimit dhe të bashkëveprimit mes institucioneve ligj-zbatuese për të luftuar me efikasitet krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet e paligjshme në Mesdhe dhe në dy anët e Adriatikut.”

Presidenti i Shqipërisë, ka filluar sot një vizitë zyrtare dyditore në Itali, ndërsa kjo është vizita e tij e parë jashtë vendit që pas marrjes së detyrës së presidentit më 24 korrik të këtij viti.

Në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë thuhet se në qendër të bisedimeve në takime do të jenë marrëdhëniet mes Shqipërisë e Italisë, procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, lufta kundër krimit të organizuar, si dhe tematika të aktualitetit ndërkombëtar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP