DIKUR DHE TANI

Dikur ishim të rinj, tani nuk jemi dhe aq, kishim ëndrra dhe iluzione dhe tani nuk i kemi më.

Dikur kishte më shumë shpresë dhe ngulmim, tani ka shumë letargji.

Dikur dashuronim shumë dhe e përçmonim frikën, tani jemi më të humbur dhe nuk e kemi as shpirtin misionar.

Dikur ishim idealistë më shumë se sa duhej, tani jemi materialistë më shumë se sa duhet.

Dikur liria për ne ishte hapësirë e pafundme, tani liria është reduktuar në kërkesa ekzistenciale.

Dikur ishim të gatshëm për sakrificë që ta mbronin lirinë e brendshme, tani liria është arbitrare dhe me pamje demoniake.

Dikur, së paku, nuk ishim robër përbrenda, tani robërinë e përjetojmë si emancipim.

Dikur kishim më pak teknologji, por lexonim më shumë, tani ka shumë teknologji dhe lexohet pak.

Dikur kishim më pak informacione, por ishim më të kthjellët, tani ka më shumë informacione, por ka edhe turbullim të mendjes.

Dikur i dallonim tronditjet e mëdha të historisë nga retë kalimtare, tani gjërat e kotnasikotshme na paketohen si vlera të pakontestueshme.

Ju të lindurit më vonë mund të na përçmoni, por ne do të perëndojmë me bindjen se jeta është mision drejt një qëllimi epror.

Ju mund të thoni se nuk jemi në trend, por veprat më gjeniale u shkruan kur nuk kishte Iphone e Samsung.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button