Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët në bisedime për koalicion parazgjedhor

Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët konfirmojnë negociatat, duke thënë se gjithçka varet nga epilogu i bisedimeve që po zhvillohet nga grupet punuese.

Zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Faton Fazliu, për televizionin “Shenja“, tha se kjo parti po i shqyrton të gjitha mundësitë dhe se të gjitha opsionet janë të hapura. Fazliu shtoi se tashmë ka pasur kontakte me Aleancën për Shqiptarët, por hodhi poshtë të gjitha mundësitë për ndonjë lloj koalicionimi ose bashkëpunimi me Bashkimin Demokratik për Integrim.

“Sa i përket koalicionimeve të mundshme parazgjedhore, ne jemi duke shqyrtuar cila është mundësia më e mirë, tani për tani të gjitha opsionet janë të hapura, edhe pse ka disa tentativa, po shkon vështirë, por shpresojmë që të ndodhë më e mira për qytetarët. Ka pasur kontakte me Aleancën për Shqiptarët, ka bisedime të grupeve të punës dhe të komisionerëve, të shohim se çfarë do të ndodh ditëve në vijim. Me BDI-në, kemi qenë të qartë me kohë, se me ata nuk ka mundësi për asnjë lloj koalicionimi ose bashkëpunimi”, thotë Fazliu.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se janë të hapur edhe për bashkëpunim me subjekte politike me të cilët do të gjejnë gjuhë të përbashkët në interes të menaxhimit sa më efikas të komunave.

“Ajo që mund të pritet nga bashkëpunimi me Lëvizjen BESA varet nga epilogu i bisedimeve nga grupet negocuese. Në këtë fazë ekziston vullnet i mirë politik, për t’u takuar dhe biseduar për bashkëpunim apo koalicionim eventual për zgjedhjet 2017”, citojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button