Armandi, shefi që po e prezanton Shqipërinë me fasule në kuzhinën franceze (FOTO)

Nëse do të kishit një mik të huaj për drekë, çfarë do i gatuanit?

Në këtë dilemë besoj ka qenë edhe shefi i ri Armand Hasanpapaj kur iu desh të prezantonte Shqipërinë në Refugee Food Festival, në Francë. Bëhej fjalë për një javë gjatë së cilës shefa nga vende të ndryshme gatuanin specialitetet e origjinës së tyre për një klientelë franceze. Armandi gatoi së bashku me nënën e tij, një menu tërësisht shqiptare, në një nga restorantet e Lionit, shkruan Dritare.net.

Kur pashë menunë e përgatitur prej tyre, pata një befasi të këndshme. E kishit menduar se kuzhina shqiptare do të prezantohej në Francë me një pjatë groshë? Më duket interesante ideja për të përfshirë groshët, një pjatë të cilës s’mund t’i thotë jo asnjë shqiptar i vërtetë. Por groshët e shef Armandit i përlanë edhe francezët.

Ata së bashku me pjatat e tjera, të cilat shefi i përgatiti me mamanë e tij, Fatimen, patën sukses në javën e ushqimit të emigrantëve.

Pjata e pritjes që i paraprin të parës, e quajtur ndryshe Amuse Bouche, ishte përgatitur me role pastërmaje viçi, të mbushur me speca të skuqur e djathë, mbi një shtrat supë të ftohtë bizelesh. Pas saj u shërbyen dy lloj byrekësh, njeri me spinaq e djathë, tjetri me gjizë, ullinj të zinj, salcë domatesh dhe turshi. Pjata kryesore përbëhej nga groshët e shoqëruara me qofte me mish qengji dhe perime të pjekura.

Dhe në fund gjithçka u mbyll ëmbël me “Bakllavanë e Fatimes”, me krem fëstëk, reçel kajsie dhe kajsi të përpunuar.

E ç’mund të thuash pas bakllavasë së Fatimes? Thjesht, ju bëftë mirë dhe mirëulexofshim në të tjera aktivitete të këtij lloji.

Nga Edlira Ruzi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP