Qeveria gjithëpërfshirëse dhe receta mjekësore

Ditar Kabashi

Ditar Kabashi

Vazhdimi i gjendjes së ngatërruar për funksionalizimin pas zgjedhor të disa organeve kushtetuese, shtetin e Kosovës e ka sjellë në kllapi, tamam sikur ai i ligshti me shëndet që pret ndihmë nga mjeku për t’i shkruar një recetë që do ta kuronte e ta gjallëronte.

Jo çdo mantel bardhë është i aftë të diagnostifikojë drejt; aq më pak të rekomandojë terapinë e duhur. Që nga kinematografia e deri tek realiteti ynë nëpër spitalet tona (në të cilat, thënë të drejtën, haset fuqi dramatike më fort se në filmat turq a indianë), njihen raste kur me fajin e mjekut, pacienti pëson edhe më zi. Prandaj, duhet pasur kujdes në përzgjedhjen e tij. Sidomos nëse fjala është për stendat e zemrës se bëhet skandal.

Kaluan dy muaj qëkur populli e tha fjalën e vet në garën zgjedhore por ja që kjo po has në vesh të shurdhër. Qytetarët shihen si numër, deputetët njëlloj, dikasteret ministrore gjithashtu dhe fare në fund po del se në vendin tonë, esenciale na qenkësh formalja dhe jo substancialja.

Tani u dëgjua edhe propozimi për një qeveri gjithëpërfshirëse. Pra, një qeveri ku të gjitha partitë marrin pjesë dhe qeverisin deri sa ato të duan brenda periudhës katërvjeçare. Domethënë caktojnë një datë, bie fjala, pas një viti e gjysmë që të shkohet në zgjedhje. Në kuptimin më të butë fjalës kjo është arrogancë e kulluar me të cilën nëpërkëmbet vullneti i popullit. Votuesit i dhanë besimin kandidatëve të tyre që ata të qeverisin për mandat kushtetues të plotë e jo të bëjnë marrëveshje paraprake sipas tekeve.

Me qeverinë gjithëpërfshirëse nuk mbetet opozitë dhe kjo është goditje fondamentale ndaj një sistemi të pretenduar demokratik. Kjo lloj qeverie përveçse i rehaton disa individë në institucione dhe ndan pushtetin sikur të ishte një tortë, a nuk shpreh mosmirënjohje ndaj elektoratit të partive të ndryshme të cilat kanë votuar një subjekt për një arsye dhe s’e kanë votuar tjetrin për një shkak? Nëse do të bëhen krejt me një vend, përse t’ua dëgjojmë broçkullat në fushatë dhe t’i votojmë veç e veç?

Argumenti i këtij lloj propozimi qenka se vendi paska nevojë për një qeveri me “vota/numra shqiptare” në mënyrë që të mos jemi të varur nga Lista Srpska, rrjedhimisht Beogradi zyrtar. Kjo fjalë është kulm i turpit për ne, për disa arsye:

Së pari, me këtë dëshmohet se ne nuk paskemi pasur ekspertë kushtetues të duhur kur është hartuar Kushtetuta dhe si rezultat nuk kemi mundur ta paramendojmë dhe ta parandalojmë keqpërdorimin e “diskriminimit pozitiv” të proklamuar për komunitetet joshumicë e veçmas për serbët;

Së dyti, me këtë shfaqet se fryma e Kushtetutës që komunitetet t’i bëjë bashkë për një Kosovë të përbashkët nuk ka gjetur pajtim real as tek politikanët e lëre më në popull;

Së treti, me këtë provohet se klasa politike në Kosovë, posaçërisht ajo e shqiptarëve, në përgjithësi është e papjekur, e brishtë dhe e paaftë që të nxjerrë mësim nga e kaluara. Në vend të kësaj duket sheshazi ambicia e sëmurë për pushtet e disa politikanëve.

Jo vetëm koritje, por edhe e dhimbshme është që tetëmbëdhjetë vjet pas luftës dhe gati dhjetë nga themelimi i republikës në Kosovë të kërkohet qeveri e unitetit për t’u mbrojtur politikisht nga Serbia dhe jo, ta zëmë, për të çuar përpara projekte zhvillimore.

Kosova po lëngon. Qeveria gjithëpërfshirëse e përkeqëson situatën. Nuk sjell stabilitet e zgjidhje, veçse e prolongon status quo-në.

Kujdes me konsiliumin mjekësor!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP