SMS dhe të tjera (I)

“Kam dy lajme të mira, po ti dërgoj anise kohëpune” i shkrova atij një ditë.

(është drejtor, qindra të punësuar e kanë shef, ai nuk u mësua të sillet ashtu. Udhëheq me autoritetin e butësisë që e bën të pasur në kuptimin e plotë, jomaterial të fjalës. Ai menaxhon pa i rënë tavolinës dhe pa shikuar “nga lartë” që e bën edhe më të suksesshëm, pasi kur të duan po aq sa të respektojnë kjo rezulton me  efikasitet dhe kënaqësi në punë për të gjithë. Është shumë i zënë gati deri në mbrëmje, prandaj u shmangemi komunikimeve me të derisa punon).

“Mjaft interesim ka ngjallur libri ynë për Tetovën”.

(“Tetova përmes fotografive të vjetra” përmban tekste të historianëve Ahmed Sherif dhe Dragi Georgiev mbi zhvillimin historik të qytetit dhe begatitë e tij kulturo-historike, kurse pjesa ime janë remineshencat e fëmijërisë së kaluar atje. Pa teprime, kush e sheh librin pyet se ku mund të blehet, por edhepse i botuar para muajsh ende nuk ka dalur në shitje. Dhe nuk është promovuar, gjë që më konvenon. Librin e parë autorial insistova mos ta promovojmë se e kam zët kur flitet për mua, nuk e di ku të shikoj, çka të bëj me duart, sa të buzëqeshem dhe sa të rri serioze, me një fjalë – siklet).

“Kishe të drejtë, më tutje është mirë ta bëjmë një libër puro shqiptar për qytetin”.

(Jeta në Shqipëri ia ka mprehur dioptrinë kombëtare, por edhe largësia ndonjëherë bën që gjërat të shihen më mirë. Ai kur pa librin, dhe kujtoi mandej monografinë për Tetovën shkruar nga një autor maqedon më 1999, komentoi se qyteti me dominancë shqiptare a nuk duhet të përshkruhet nga autor apo grup autorësh shqiptarë, nga një perspektivë pastër shqiptare? Dhe pyeste përse përherë duhet ta injektojmë dozën e multikulturalizmit dhe të pajtohemi që ky parim të vlejë kryesisht për projektet jomaqedone ).

“Poashtu jam në rrumbullakësim të konceptit të librit me tv intervistat” vazhdova ti tregoj në sms.

(Disa netë kam shikuar një pjesë të emisioneve të kaluara si parapërgatitje për ciklin e ri në vjeshtë që të kujtohem çka ka qenë ok dhe çka duhet ndryshuar. U rivërtetova që bashkëbiseduesit janë rrëfyer bukur, gjë që është e kuptueshme pasi flasin për krijimtarinë që e kanë më shumë se profesion. Duke harruar prezencën e kamerës “pas përgjigjes së parë” siç deklaroheshin thuaja të gjithë të intervistuarit, ata ndiheshin të lirë të flasin, si në kafe-muhabet, për pasionin artistik që i jep kuptim dhe hijeshi ditës dhe jetës. Prandaj mëkat që këto muhabete ku nuk ka kritika e ankesa, por pozitivitet dhe rehati në të folur, të mbeten vetëm në eter. Libri i tillë kërkon më shumë disciplinë sa sa që kam unë, por me mantrën “ulu dhe bëje” shpresoj ta kryej një ditë. Dhe prej tash, nga përvojat tjera, e di: më i gjatë do të jetë të menduarit për punën se sa puna vetë).

“Kaq. E ku më takon mua të lavdërohem më gjatë para abiut modest”? i shkrova në fund. Dhe e rilexova sms-in pa ia nisur se mos jam tepëruar me vetëpromovim.

Kurse tash e botoj si kolumnë?

!?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Sa mire qe u kthye stili artistik i te shkruarit ne Portalb. Filluan te marrin vendin jo te merituar profesoresha te drejtimeve qe duhet shkruar kryesisht ne stilin gazetaresk, duke krijuar themelet e shkrimit ne stil artistik ne hapesiren e ketij portali. Mire se u ktheve!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button