DILETANTIZMI DHE ZANATI

Kështu titullohet shkrimi i Selman Rizës, botuar në revistën e përmuajshme për kulturë PËRPJEKJA SHQIPTARE të Branko Merxhanit (nr. 14-15, shkurt-mars 1938).
Shumë aktual ky shkrim, aq sa më shtyri të improvizoj bisedën me autorin e saj, bashkëkohanik për nga pikëpamjet, me shpresë se do ta pëlqejnë edhe lexuesit e mi:

Unë: Ç’është ajo që ju nxit të shkruani për diletantizmin, sikur është në pyetje një fenomen që godet vetëm shqiptarët!
Selman Riza: Dilettantismin e gjejmë në çdo kënt të botës dhe në çdo lëmë të diturivet e të mjeshtërivet. Mirë po mua s’më besohet që dilettantismi të lulëzojë gjetkë si ç’lulëzon përgjithërisht në Shqipëri. “Shqipot” e kanë shtrembëruar domethënien e dilettantismit dhe e kanë bërë rrezik shoqëror, sport për çdo profesjon, pas të cilit jipen vetëm kur lihen të ngeshmë nga ushtrimi i mjeshtrisë që kanë mësuar!

Unë: Si e komentoni justifikimin e atyre që psehin e kësaj anomalie shoqërore e gjejnë në të ashtuquajturën zgjuarësi natyrale të bashkatdhetarëve tanë, që na bën të zotët t’i ushtrojmë edhe profesionet e pamësuara, edhe disiplinat e pastudiuara?

S.R.: Është e vërtetë se ka të tillë që përgjigjen e kësaj pyetjeje e kërkojnë në virtytin e praktikës, të cilin urtësija arbërore e shpreh kësi soji: S’ke nëvojë të mësosh, se të mëson puna vetë. Për ta parë të arsyeshme po atë gjendje që mua më shihet paradoksale, ndonjë tjetër ka të ngjarë që të na sigurojë se mungesa e përgatitjes profesionale është e keqja e pashmangëshme e çdo periudhe tranzicioni; edhe se, me të marrë funt periudha e tranziconit, në të cilën sot për sot ndodhet vëndi ynë, do të shuhet njëherthi edhe fara e profesionistëve t’improvizuar.

Unë: Mund ta shpjegoni me terma pak më të qartë qënrdimin Tuaj rreth mungesës së kurajos për të zotëruar me nivel profesionet e ndryshme?

S.R.: Në rregull. Le t’i hedhim atëherë një vështrim sado pak kritk fjalorit të shqipes, e do të shohim se terminologjinë artizanale e kemi gati qind për qind të huajtur prej të tjerëve. Një skamje e këtillë origjinaliteti industrial edhe në mos e pastë domethënien e një oguri të zi për paravajtjen e Arbërisë drejt qytetërimit lëndor, nuk mund të mos dojë të thotë se në këtë lëmë të Parët tanë nuk na lanë pas thuajse gjë prej gjëje. Tashi, kur nuk na trembet syri përpara kurfarë përgjegjësije me kusht por që të na jipen sa më shumë rasje për kapardisje spektakulare; kur përbuzim zanatin dhe e përqafojmë arrivizmin; kur sillemi kështu, a nuk i pasqyrojmë besnikërisht të Parët tanë, ata burrat e dheut që ndeshjet luftarake i kishin aqë në qef sa i kishin në mëri punët modeste dhe monotone të paqës, që në ndezjet e gjakravet, në zjarrin e betejavet ishin plot hove heroismi; por që gjatë kohravet të paqës, kur nuk zhyteshin në plogtinë gjumashe ase në politikanërinë intrigante, jipeshin jo pas punëvet por pas bredhritjevet gjahëtare.

Unë: Përgjigja Juaj sikur pesupozon të qenit peng i një mallkimi, të cilit s’kemi mundësi t’i shmangemi. A ekziston rruga e daljes nga vorbulli i diletatizmit të gjithanshëm?

S.R.: Unë s’po flas për mallkime, po për një ves kolektiv. Shkurt, edhe që t’a them tyrqisht, na mungon sevdaja për zanat. Në na daç të gishtit, na ke edhe të llogos, në na daç të rehatit, na ke edhe të paradës. Kjo është e vërteta. Porse zanatçinj sevdallinj, si ç’janë Frengjët, edhe punëtor këmbë-ngulës, si ç’janë Gjermanët ase Bullgarët, “shqipot” as që duket të kenë qenë ndonjë herë, as që ka të ngjarë të jenë sot për sot. Mirë po dashurija e mjeshtrisë, të dhënit pas një veprimtarije të paragatitur mjeshtrisht me therorizmin e tërë një jete dhe të marrur përsipër një herë e përgjithmonë, dashurija e mjeshtrisë është cilësija kryesore, virtyti themelor për kohën e paqës. Le ta përhapim pra tek të vegjlit e sotmë sevdan e zanatit, kultin e profesionit! Ja objektivi vital, drejt të cilitdo t’ishte lartësisht e dëshëruarëshme që nga ana e Ministrisë s’Asimit t’orjentoheshin moti motit nisjativa më të shuma edhe më substancjale.

Unë: Çfarë do të ndodh me ne po s’u bë kjo që propozoni Ju?

S.R.: Po s’u shtumë brezit të ri durimin shpirtëror edhe qëndresën fiziologjike; po nuk i futmë ata në mësojtoren e seriozitetit edhe tautokritikës në punë; po i lamë të pandehin edhe ata se e ashtuqojtura zgjuarsi natyrale e bën të tepërtë paragatitjen mjeshtërore; se jo përkatësija profesionale por enciklopedia e përciptë ase dallaveret janë hapësi magjike q’i çel dyert e pozitavet llokmë-mëdha; po nuk u shkulmë atyrevet prirjen e trashëguar për hec-e-jaket plot gjallëri të dukëshme por pa pikë jete të brëndëshme, për bredhritjet gjahëtare nëpër shkenca edhe nëpër mjeshtri; shkurt, po nuk çrrënjosmë atyrevet shpirtin aventurier edhe karierist mbë nj’anë edhe mbanë tjetër po nuk i bintmë ata se, ndërsa përpelitjet e ambicjes banale na hanë nervat, na prishin gjaknë; ushtrimi i një mjeshtrije, përkundra, me rythmin monoton por qetësonjës, me frymën e egër por të shëndetëshme, me kurajon e përditëshme, me bekimin e pemëvet… na jep dorë ta trajtojmë karakterin, të bëhemi burra, dua të them, edhe t’i shvillojmë mundësit mendore e ndjenjake, të bëhemi njerzë, dua të them: me një fjalë, po s’i bintmë brezin e ri se vetëm e vetëm ushtrimi i një mjeshtrie i fal jetës përmbajtje dhe kuptim, atëherë, mbase – sepse krahun Zoti e ka të gjatë, apo, sepse trillet fati s’i ka të parapashmë – atëherë, mbasae, Arbërija e Lirë do të rrojë prap se prap. Veçse këjo rrojtje e pamerituar, këjo liri e falur nga qielli apo nga lodra e drejtpeshimit ndërkombëtar, do të jetë vallë e dëshëruarëshme për stërniprit mëndjembëdhenj të fatosavet epikë të dyluftimevet të qëmotit?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button