VEÇ THASH

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Maqedonia si njëra prej ish republikave të Jugosllavisë titiste e ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 1991. Këtë akt ajo e bëri në momentin kur nuk kishte nga t’ia mbajë, sepse republikat tjera, si Sllovenia e Kroacia, ishin pavarësuar dhe ishin pranuar nga bota si shtete më vete. E bëri edhe për shkak se këtë ia lejoi politika Serbe, në krye me Sllobodan Millosheviqin e preokupuar fillimisht me qërime hesapesh me disa ish republika të tjera, me të cilat ishte bërë gati të bëjë luftë për territore. Gllabërimi i Maqedonisë, ndërkaq, për Serbinë nuk paraqiste kurfarë problemi. Përfaqësuesit e saj në parlamentin dhe qeverinë jugosllave e kishin dëshmuar kahmot veten si proserbë të përbetuar dhe përkrahës së politikës shoveniste të Millosheviqit, që krimet e para i bëri në Kosovën e nëpërkëmbur gjithanshëm.

Shenjat e proserbizmit servil të Maqedonisë shqiptarët i kanë vërejtur më herët se etnitë tjera ishjugosllave, duke qenë se republika jugore e kësaj sajese, që nga viti 1945, u shndërrua në poligonin më të besueshëm të hegjemonisë serbe, ku matej pulsi i shqiptarëve (popullit të tretë për nga numri në Jugosllavi, pas serbëve dhe kroatëve) dhe ku testohej durimi i tyre. Dëshmi për këtë janë krimet e partizanëve maqedonas mbi shqiptarët e akuzuar pa të drejtë si bashkëpunëtorë të fashizmit, likuidimi i shqiptarëve gjatë dhe pas luftës “çlirimtare”…, dëbimi i tyre masiv për në shkretëtirat anadollake, dhuna e shfrenuar rankoviqiane, shtypja barbare gjatë demonstratave të 1968-ës  dhe, veçmas, persekutimi me shenja të qarta inkuizicioni, që pati për pretekst demonstratat studentore të Kosovës të vitit 1981. Të gjitha këto Maqedonia i bëri në pajtim të plotë me direktivat e vëllait të madh serb.

Pra, hiq etninë e vetme josllave të mbetur me kubi nën shputat e tjetrit, të tjerët (sllovenët, kroatët, boshnjakët dhe malaziasit) proserbizmin e politikës maqedonase e diktuan mirëfilli vetëm në grahmat e para të shthurrjes së federatës jugosllave, vetëm në mbledhjen e Komitetit qendror të LKJ (Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë), të mbajtur në vitin 1988, kur njëri prej politikanëve më titist jugosllav që “përfaqësonte” Maqedoninë në organet federative – Vasil Tupurkovski (i njohur më vonë edhe si ideatori i kombit antik maqedonas…), akuzoi haptazi republikat që nuk e votuan zgjedhjen e Sllobodan Millosheviqit për anëtar të kryesisë së LKJ. Akuza e famshme e V. Tupurkovskit mbi “koalicionin joprincipiel” të republikave që nuk pajtoheshin me politikën aventuriste millosheviqiane u bë pak para shpërthimit të “revolucionit të dhallit” (jogurt revolucija) në Vojvodinë dhe përpjekjes për rrëzimin e krerëve të LK (Lidhjes Komuniste) të Malit të Zi…

Po, përse e sjell sot në kujtesën e lexuesve të mi këtë copëz të trishtë historie?

Sepse e tëra ndërlidhet vetvetishëm me një mbledhje të vitit 1991 në parlamentin e ish Republikës jugosllave të Maqedonisë, ku Petar Goshevi – një politikan tjetër i shquar maqedonas me diplomë Kumroveci, i moderuar post festum, pasi e kuptuan edhe zogjtë e malit se Jugosllavia e hëngri kokën e vet, në pëpjekje për të zbutur zërat e kuvendarëve që hezitonin ta shpallin pavarësinë e Maqedonisë, tha se e kupton frikën e shokëve, por kishte ardhur momenti që maqedonasit ta shpallin pavarësinë e shtetit të tyre, sepse ndryshe mund të zhbëheshin. E, nëse, ndodh që të rrezikohet qenia jonë, shtoi Goshevi, atëherë e kemi të hapur derën e bashkimit me kombet me të cilat na lidhin tipare të pëbashkëta si gjaku dhe feja…

Kështu deklaroi P. Goshevi në vitin e shpalljes së Maqedonisë shtet i pavarur pa vullnetin e shqiptareve, të shprehur nëpërmjet deputetëve të tyre, të cilët, në seancën e miratimit të Kushtetutës që na barazoi me pakicën rome, turke e serbe, në një ambient tipik burlesku, nuk e votuan atë, por, disa pej tyre, as nuk mundën t’i rrezistojnë tundimit për të uruar me përqafime të ngrohta lojaliteti presidentin e vendit Kiro Gligorov – politikanin që na i futi për marre të dy këmbët në një çizme të vetme.

Dhe, ju të dashur lexues, mund të pyesni sërish, përse po e sjell në kujtesën tuaj edhe deklaratën e P. Goshevit?

Dhe unë po ju them se e bëj këtë për të pasur kujdes nga danajt e Laokoontit. E bëj se nuk e kam njerëzisht të qartë punën e fuzionimit të heronjëve dhe festave të maqedonasve me bullgarët.

E ata që nuk mendojnë kësisoj, i lus të mos nxehen pa nevojë, se unë veç shkronjat e shqipes kam për armë dhe: veç thash…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP