Kosova bllokoi një milion litra naftë në hyrje nga Shqipëria

Më shumë se 1 milion litra naftë e cilësisë shumë të dobët gati prej një jave është bllokuar në Terminalin Doganor në Morinë, pasi që nga analizat e bëra në laboratorin e Doganës, si dhe në dy laboratorë privatë të akredituar në Kosovë, ka rezultuar se nafta në fjalë nuk i plotëson kriteret e parapara në vendin tonë.

Por, pavarësisht se në tri analizat e bëra në Kosovë, nafta në fjalë ka dalë të jetë jashtë parametrave, me insistimin e pronareve të kompanive, të cilëve u është bllokuar nafta, Dogana i ka dërguar mostrat për superanalizë në Maqedoni, e ku ka dyshime të manipulimit të tyre.

Këtë bllokim të mauneve e ka konfirmuar zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, duke shtuar se numri i mauneve të bllokuara ka arritur në 40.

Gazeta “Zëri” nga Dogana e Kosovës ka kërkuar më shumë informacione për naftën e bllokuar në kufij, por ata përveç konfirmimit të bllokimit të një sasie të madhe të naftës nuk kanë dhënë detaje më të hollësishme.

Jozyrtarisht mësohet se nafta e bllokuar gati prej një jave në Terminalin Doganor ka qenë e destinuar për “HIB Petroll”-in, “Lab Oil”-in dhe “Ex Fis”-in. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button