Zaev: Bruto paga nga shteti për punësimin e të rinjve në kompanitë private

Sigurimi i vendeve të qëndrueshme të punës për të rinjtë dhe arsimimi i tyre përmes pagës bruto që do ta japë shteti, është masa e re qeveritare, e ashtuquajtur garanci për të rinjtë, që e paralajmëroi sot kryeministri Zoran Zaev në mëngjesin e punës me Lidhjen e Odave Ekonomike.

Qëllimi i kësaj mase me vlerë prej 500 milionë denarësh ose 8,8 milionë euro deri në fund të vitit, tha Zaev, është që të rinjtë të qëndrojnë në Maqedoni, respektivisht të pengohet largimi i intelektualëve.

“Garancia për të rinjtë nënkupton që shteti të financojë në një periudhë të caktuar para direkte për bruto paga për të rinjtë që kanë përfunduar arsimin dhe janë të gatshëm që të fillojnë trajnimet apo punësimet afatgjatë. Për komunitetin afarist  kjo nënkupton përgatitje falas të kuadrove, trajnimin e të rinjve paraprakisht  të përgatitur teorikisht, me qëllim, nëse vlejnë me të vërtetë, të marrin punësim afatgjatë dhe të shfrytëzohet potenciali i tyre”, theksoi Zaev në fjalimin  e mbajtur në mëngjesin e punës.

Qëllimi përfundimtar, shtoi  është që njerëzit të qëndrojnë këtu dhe të planifikojnë të krijojnë familjet e tyre në Maqedoni.

“Përcaktuam mjete cilësore për këtë qëllim të cilat në një segment më të madh dëshirojmë që ta implementojë komuniteti i biznesit, respektivisht përmes kompanive private. Nëse tani për tani  shuma e projektuar nga 500 milionë denarë rritet trefish apo katërfish, numri do të jetë i madh me të njëjtin qëllim, të lehtësohet  shpenzimi i ekonomisë dhe të zgjidhet problemi i të rinjve që nuk kanë asnjë ditë praktikë, si dhe të mbeten në Maqedoni, sqaroi kryeministri.

Në këtë kontekst kërkoi përkrahje dhe bashkëpunimin e kompanive. Kërkoi  që të jenë edhe më të guximshëm në sigurimin e vendeve të reja të punës  për të cilat shteti, siç tha do të paguajë para.

Sipas Zaevit, një pjesë e vogël e mjeteve për të ashtuquajturën garanci për të rinjtë do të shkojnë në universitete, për edukimin e të rinjve, ndërsa pjesë më e madhe, tek komuniteti afarist.

Zaev paralajmëroi edhe se në ribalancin e Buxhetit për herë të parë është hapur i ashtuquajturi Programi D6 për përkrahjen e ekonomisë vendore, përkundër programit të deritanishëm D5 për përkrahjen e kompanive të huaja.

“Kjo nënkupton trajtim të barabartë për të gjithë, edhe kompanive të Maqedonisë edhe atyre të huaja, jo vetëm  për kushtet, por edhe në pjesën e procedurave administrative ku ishin të privilegjuar investuesit e huaj”, theksoi Zaev.

Sipas tij, ndihma direkte shtetërore për investimet vazhdon, por kushtet janë barazuar edhe për kompanitë e huaja edhe për ato të vendit. Vlera e përkrahjes, do të varet nga numri i përgjithshëm i vendeve të punës, bashkëpunimit me firmat vendore (blerjen e repromaterialeve, lëndës së parë, shërbimeve…) dhe numrit të projekteve ekologjike,…

Vlerësim i Qeverisë është se evazioni tatimor në Maqedoni është i madh, deri 30 për qind, duhet të zbatohen masa për luftë kundër ekonomisë gri dhe konkurrencës jolojale, si dhe se janë të domosdoshme reforma të shërbimeve të inspektimit.

Paraprakisht kryetarja e LOE Danella Arsovska e kumtoi pakon 75 masa të cilat propozohen për efektivitetin, siç tha, të zbatimit të reformave strukturore, përmirësimi e klimës investuese dhe mjedisit afarist në vend.

Reforma të shërbimeve inspektuese, shkatërrim të ekonomisë gri dhe pjesëmarrje të komunitetit të biznesit në krijimin e politikave ekonomike, janë tre kërkesat kyçe të ekonomisë.

Zëvendëskryeministri Koço Angjushev e përsëriri qëndrimin se Qeveria nuk do të përzihet në punën e kompanive, as do të krijojë firma politike, por vetëm do të mundohet të krijojë ambient të volitshëm afarist.

Në mëngjesin afarist kryetarët e odave në suaza të LOE-s treguan në disa probleme më të vështira me të cilat po ballafaqohen, për të cilat ministritë dikasteriale dhanë përgjigje dhe i prezantuan projeksionet qeveritare.

Ognen Orovpçanec nga Oda Agrobiznis kërkoi zgjidhje të problemit me punëtorët sezonalë dhe ulje të shpenzimeve të përgjithshme prodhuese për shkak të atyre ekzistuese për noterë, etiketa, banderola, fitotaksa,..Tregoi dhe se trualli nuk përdoret mjaftueshëm apo aspak për këtë shkak kërkoi formim të grupeve ad-hok të cilat do të kryenin menjëherë shpërndarje, në vend që të pritet në zgjidhjen e kontesteve pronësore-juridike eventuale edhe nga pesë apo gjashtë vite.

Këtu ministri i Bujqësisë Lupço Nikollovski tha se në fokus të Qeverisë janë edhe politika tokësore, shpërndarja e hapësirave, konsolidimi i tyre, shfrytëzimi i mjeteve IPARD, analiza e efektit nga subvencionet,…

Në mëngjesin afarist morën pjesë më shumë se 200 kompani, ministra dikasterialë, ambasadorë, kryetarë të odave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button