LAMTUMIRË O PENË E MPREHTË!

Buxha i dashur i dha lamtumirën kësaj botee kësaj jete. Iku së gjalli vertikalisht, ashtu siç edhe jetoi, duke lënë pas emrin e Tij të mirë, që do të përmendet përherë me respekt të veçantë. Iku duke lënë pas shumë zbrazëtirë te njerëzit që e duan dhe e çmojnë për njerëzillëkun dhe profesionalizmin e Tij.

Ky Njeri i dashur, shpirtmirë, zemërgjerë, i ditur, që i deshti njerëzit, bëri shumë për gazetarinë dhe çështjen shqiptare. Në çdo ngjarje të rëndësishme kombëtare, shoqërore e politike, emri i tij ishte i pranishëm. Më saktë: i pa anashkaluar.

Në kohëra të vështira dhe të trazuara jo vetëm për mendimin e lirë, por edhe për vetë mbijetesën ekzistenciale, ai punoi me guxim, përkushtim e profesionalizëm. Një çmim i institucionalizuar me emrin e tij për të arriturat në gazetari do të ishte gjëja më e paktë që mund të bëhet në respekt për Qani Mehmedin. Padyshim se këtë ide do ta pranonin kolegët gazetarë që e kanë njohur dhe kanë punuar me të, në mbarë hapësirën shqiptare. Do ta pranonin me zemërgjerësi, sepse e dinë se ai gjatë punës së vështirë në gazetari qe korrekt, profesionist dhe kishte një mision shumë human.

Çdokush në gazetari edhe gabon, por Ai ishte prej gazetarëve që e çmonte “kërkim faljen” dhe këtë e kërkonte edhe prej gazetarëve të rinj, të cilët i afronte, i ndihmonte, i donte, u besonte.

Me shpirtin e tij të paqtë ai krijoi shumë miq. Në çdo cep të shqiptarisë e kishte një shtëpi, ndonëse nuk ishte i pasur financiarisht. Ai ishte i pasur shpirtërisht. Ai kishte shumë miq. Ikja e tij u prit me pikëllim të madh, jo vetëm nga gazetarët. Nuk ke si të mos trishtohesh nga ikja e një Njeriu që dha aq shumë për gazetarinë si profesion, por edhe për kombin shqiptar.

Qani Mehmedi do të mbetet në kujtesë si një gazetar dhe intelektual par exellence, i cili u veçua, mbi të gjitha, për zemërgjerësinë e tij të pashoqe.

Kam pasur nderin që të punojmë bashkë. Përherë më ka përkrahur dhe përherë ka qenë korrekt. Kemi drejtuar së bashku një projekt gazetaresk, ndonëse më shumë se sa gazetaria më kishte shituar letërsia. E mbase pikërisht për këtë shkak ai i besonte punës time, sepse e donte letërsinë dhe njerëzit e artit.

Kur filloi të botohej edicioni për Maqedoni i Lajmit gjëja e parë që kërkonte ishte të ndiqnim ngjarjet kulturore.

I kishte të këndshme edhe qortimet, sepse prapa tyre nuk fshehej e keqja. Ishin më shumë si këshilla për të punuar më mirë. E kishte të këndshëm edhe humorin. Ai rrezatonte mirësi e humanizëm të pashoq. Në gazetari të dy nuk e duronim dot sensacionalizmin dhe shpesh herë e thoshim me shaka se kemi mbetur gazetarë të dalë mode. E kishim bindjen se me një senzacion mund të arrish efekt çasti, por është një fluskë sapuni. Mbi të gjitha synonim të ruhej etika mediale, të cilën gazetarët shpesh e nxjerrin në plan të dytë për shkak të senzacionalizmit. Pikërisht, duke u nisur nga kjo ide krijuam një ekip të shkëlqyeshëm gazetarësh dhe arritëm aq sa mundëm që të krijonim një medium të pranueshëm dhe të lexuar nga publiku.

Ëndrra e Qani Mehmedit ishte që të bëhej një medium i vetëm me seli në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, që do të kishte një edicion të veçantë në gjuhë të huaja. Bota shqiptare për Buxhën ishte unike. Ai e donte sa më të përsosur këtë botë dhe pjesë të familjes së madhe europiane.

Buxhën e dashur do të kujtojmë si Njeri të përkushtuar, të guximshëm, tepër njerëzor, kombëtar, por jo ksenofob, me shumë kulturë, me vetëdije aspak lokaliste e provincialiste, një analist i zoti dhe i thellë, njohës i rrethanave në mbarë hapësirën shqiptare, i cili merrej me fenomenet dhe jo me njerëzit.

Ai komunikonte edhe me ata që i kritikonte, sepse edhe ata e ndjenin se kritikat e tij bëheshin me shumë kulturë, për çështje parimore, pa inate personale. Ai nuk kritikonte se i urrente njerëzit, por pse dëshironte që gjërat të shkonin në drejtimin e duhur. Mbi të gjitha ai shkruante bukur, sepse kishte dashuri të pashoqe ndaj gjuhës shqipe…

Lamtumirë i dashuri Qani! Me ikjen Tënde na është krijuar zbrazëtirë në shpirt. Bëre aq sa munde për këtë shoqëri dhe për këtë komb, kurse tani kjo shoqëri dhe ky komb duhet të lartësojnë punën dhe veprën Tënde të madhe..

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button