Agresiviteti njerëzor

Ditët e nxehta verore në këtë vend shpesh herë turbullohen nga ngjarje të dhunshme të cilat ndonjëherë janë edhe tragjike. Kështu, ndodh shpesh që në zënka të ndryshme banale, shumë të rinj të plagosen me armë zjarri e shpesh edhe ta humbasin jetën. Incidente të tilla ka pasur gjithmonë, por kohëve të fundit sa vijnë e shtohen. Shuhen jetë njerëzish të rinj, plagosen e traumatizohen shumë të tjerë.

Është e dhimbshme të shihet një situatë e tillë, është e dhimbshme që siguria e qytetarëve të zvogëlohet dita ditës si pasojë e sjelljeve të papërgjegjshme të shumë qytetarëve, të cilët nuk e llogarisin shumë dëmin e madh që mund ta shkaktojnë për një çast, dëm të cilin pastaj asnjë lloj i përgjegjësisë penale nuk mund ta riparojë.

Dhe dëmi nuk bëhet vetëm me armë zjarri. Dëmi shkaktohet edhe me vozitje të papërgjegjshme nëpër rrugët e qytetit, ku çdo ditë shohim të aksidentohen përsëri njerëz të rinj, si pasojë e papërvojës, shpejtësisë së pakontrolluar dhe kërkesës për më shumë adrenalinë. Shpesh herë më ndodh të shoh në rrugë duke vozitur automobil ose motoçikletë persona shumë të rinj, të cilët duket qartazi që nuk janë në moshë për të pasur leje të vozitjes, dhe megjithatë, qëndrojnë pas timonit dhe janë rrezik potencial publik. Por jo vetëm ata, por edhe shumë persona në moshë madhore japin shembull shumë të keq për të rinjtë, lidhur me atë se si duhet të vozisësh automjetin.

Në këtë vend njeriu fiton përshtypjen se e vetmja rregull që ekziston është se rregullat janë bërë për t’u shkelur. Njeriu thjesht të frikësohet të dale në rrugë, nga mijëra rreziqe që i kanosen nga të gjitha anët. Kështu, kur tenton që të rrespektosh rregullën që tregon se rruga në të cilën kalon është njekahëshe, të duhet të ndalesh dhe me durim të presësh të kalojnë tri veturat që kalojnë në anën e kundërt, atë të ndaluarën, dhe vijnë ballë përballë me veturën tënde. Sepse rregullat nuk janë për t’u respektuar, por vetëm për të thënë që i kemi. Aty ku duhet të parkohet vetura, nuk mund të depërtosh dot, sepse para vehtes ke 4 vetura të cilat kanë ndaluar dhe i kanë ndezur katër dritat, gjersa shoferët shijojnë kafen aty pranë, ndërsa refuzojnë të paguajnë 20 denarin e orës së parkimit. Kjo për shkak se ende është shumë trendy të thesh rregullat në vend se t’i respektosh ato.

Institucionet që duhet të zbatojnë ligjin kanë halle tjera, duhet të ndryshojë pushteti me të vërtetë, dhe jo vetëm formalisht, në mënyrë që t’i reken punës. Ndërsa pushteti ende asesi të ndryshojë. Parlamenti bllokohet nga grupet parlamentare të VMRO, bordet drejtuese ende nuk arrijnë të ndryshohen, ndërsa koha kalon. E njerëzit shtijnë me armë tek njeri tjetri për arsye banale, dhe pastaj shkojne në dasmë ku shtijnë edhe pak me tepër se ka ardhë nusja, e kështu me radhë deri sa dikush nuk bie victimë e rregullave të thyera dhe e agresivitetit kontrollimi i të cilit bëhet gjithnjë e më i pamundur dita ditës.

Dhe këto problem thelbin e kanë tek mosfunksionimi i drejtësisë dhe rendit publik. Thelbi i problemeve është tek mundësia e vazhdueshme njerëzit ti anashkalojnë pasojat e veprimeve të tyre, dhe të vazhdojnë të jenë rrezik potencial publik. Derisa drejtësia nuk funksionon njësoj për të gjithë, dhe nuk bën kompromis me krimin, siguri për qytetarët nuk do të ketë.

Por ky problem nuk ka vetëm karakter juridik, por edhe sociologjik e psikologjik. Për agresivitetin dhe llojet e tij kanë shkruar shumë sociologë të ndryshëm, disa prej të cilëve thonë se agresiviteti është shprehje e karakteristikave animale tek njeriu. Por megjithatë, nuk ka kafshë në botë që tregon agresivitet më të pakuptimtë dhe më të ashpër se njeriu. Agresiviteti i qenieve tjera lidhet me qarkun e jetës dhe ka qëllim të caktuar, vazhdimin e ekzistencës, ndërsa agresiviteti i njeriut ka qëllime shumë më pak logjike dhe aspak të kuptimta, andaj dëmi që shkaktohet është tepër i madh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button