PAS TRIESTES: JUGO-SERBOSFERA vs ALBANOSFERA (I)

Ky shkrim ka për qëllim të argumentojë se kah kanë ecur dhe kah po shkojnë shqiptarët në 25 vitet e tranzicionit të stërzgjatur në aspekt të kohezionit brendakombëtar dhe të pozicionimit me fqinjët e vet ballkanikë: kanë krijuar një sferë të bashkimit spiritual të vetin ose një pjesë ende mbetet (apo detyrohet ndërkombëtarisht të jetë) emocionalisht e lidhur me hapësirën ish-Jugosllave, rrezikohen nga serbosfera apo janë afër eurosferës? Ngatërrimet në kët temë vërehen edhe nga polemikat e publike të mëhershme, si p.sh. Nju Jork 2012, takimi i Sarajevës, intervista e Vuçiqit dhënë portalit amerikan “Politico” (6 prill) dhe takimi i paradoditshëm Triestes (12 korrik) dhe ideja e Serbisë për union doganor dhe treg të përbashkët (çuditërsisht e mbështetur nga Shqipëria), që në mediat e huaja portretizohej si krijimi i një “Jugosllavie të re”.

Pas rënies së socializmit u shfaqën neologjizmat të shumta që janë refleksion i riradhitjes në në një kontekst të ri. Ndonëse në fillim është ndërlidhur me Rona Nishliun dhe përfaqësimin e Shqipërisë në Eurosong (2012), sot termi albanosferë është një neologjizëm që nënkupton hapësirën gjithëshqiptare, të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë në Ballkan, komunikimin ose hapësirë kulturore gjithëshqiptare. Termi “albanosferë” është shfaqur në vitet e fundit me qëllim  të përshkrimit të fenomenit të ndryshimeve gjithnjë e më të mëdha të shënuara ndër shqiptarë në kufijt e Europës Juglindore. Ky ndryshim ka shënuar rritje të madhe në vitet e fundit, dhe i njëjti ka të bëjë me pavarësinë e Kosovës, kurse nga ana tjetër, është rezultat i një infrastrukture të përmirësuar të transportit nëpër malet e Ballkanit përmes kufijve porozë në Europën Juglindore dhe i një ekonomie që shkon gjithnjë e duke u forcuar. Ky ndryshim dhe bashkëpunimi në të gjitha fushat e jetës si kultura, mediat, arsimi, rekreimi, shkenca dhe në veçanti ai ekonomik mes shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi Jugore (Lugina e Preshevës), Mal të Zi, dhe diasporë është i natyrshëm. Vetëm kufijt e panatyrshëm të vendosur në Ballkan në fillim të shekullit XIX dhe të verifikuar nga regjimet totalitare pas Luftës së Dytë Botërore i kanë pamundësuar këto ndryshime me dekada të tëra. Oliver Jens Schmitt në veprën e tij, Shqiptarët: Një histori mes Orinetit dhe Oksidentit thotë se faktor kryesor i formimit të albanosferës, janë mediumet dhe revolucioni medial i internetit që ka bashkuar gjuhën hapësinisht të shpërndarë dhe ka krijuar një bashkësi komunikimi gjithëshqiptare.

Albanosfera sot konsiderohet në gjendje antagonizmi me jugosferën e cila perceptohet edhe si serbosferë, si një hapësirë ku ndikimin më të madh do ta ketë Beogradi-Serbia (Deutsche Welle), si në Jugosllavi e cila në mënyrë pezhorative është mbiquajtur edhe Serbosllavi. Termi jugosferë i atribuohet Tim Judah i cili e ka përdorur atë në prestigjiozen The Economist më 2009 dhe i njëjti ka të bëjë me hapësirën e ish-Jugosllavisë, me sferën e ndikimit dhe kulturës jugosllave. Sipas Judah (2009) jugosfera nuk sugjeron se që Jugosllavia e vjetër po kthehet nën një tjetër maskë as nuk kërkon të mbulojë të vërtetën as problemet e thella që e përshkojnë rajonin. Ai cek se sfera e madhe e vetme që vetëm pjesërisht është e lidhur me jugosferën është ajo shqiptare. Është interesante se për aktualizimin e këtij termi më shumë janë të interesuar serbët. Ish-presidenti Tadiq, në takimin e vitit 2009 të Vendeve të Painkuadruara në Sharm esh-Shejh (Egjipt) dha dy deklarata interesante: e para se ish-vendet jugosllave janë të vogla në shkallë globale dhe se duhet të bashkëpunojnë për të kërkuar kontrata, në veçanti në fushën e ndërtimtarisë dhe të pajisjeve të specializuara ushtarake (mbështetur nga Mesiq) dhe e dyta,  propozimi për të bashkëpunuar për organizimin e takimit të vitit 2011 të vendeve të painkuadruara, ku sërish Serbia donte të aktrojë Jugosllavinë e dikurshe që ishte me ndikim të madh në këtë instancë ndërkombëtare që udhëhiqej nga treshi Tito-Naser-Nehru. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button