PËRSE U REBELUA MOLLA SULA?

Kërkesa e disa lexuesve të shkrimeve të mia në Portalb dhe jehona e kolumnës së javës së shkuar mbi Molla Sulën e Sellcës së Tetovës më shtyri të shkruaj sërish për këtë tribun popullor dhe luftëtar të paepur për lirinë dhe dinjitetin shqiptar, për personalitetin dhe veprimtarinë atdhetare të të cilit dihet shumë pak. Gjithçka e njohur për të vin nga mbamendja dhe rrëfimet e përcjellura brez pas brezi, veçmas nga kujtesa e familjarëve dhe bashkëvendasve më të moshuar, disa prej të cilëve qenë dëshmitarë të djegies monstruoze të tij nën saçin e skuqur flakë, përpara syve të të afërmve, fëmijëve dhe gjithë fshatit. Rrëfimet e tyre, sado të dëmtuara nga dhëmbi i kohës dhe shpëlarja pesëdhjetëvjeçare e trurit shqiptar përgjatë epokës komuniste, duken akoma të freskëta, të sakta dhe trishtuese, por kjo nuk mund të zëvendësojë të dhënat që do të shpërfaqnin studiuesit dhe faktet e mbështetura në dokumente arkivore.

Për t’mos i përsëritur gjërat që u thanë në shkrimin paraprak, po ndalemi shkurt në shkaqet që lidhen me arsyen e rebelimit të Molla Sulës dhe jo vetëm të tij kundrejt pushtetit të asokohshëm sllav, sepse, për çudinë e çudirave, akoma sot ekziston një lloj frike e përmendjes së emrave të tribunëve popullorë, të cilët ua kthyen armët gjakpirësve që lanë nam me krimet e pandalshme mbi ne. Mjerisht, heronjtë tanë vazhdojnë të konsiderohen si teroristë, vrasës dhe keqbërës, duke haruar se të tillë ishin xhelatët sllavë, që, fill pas pushtimit pesëshekullor otoman, satanizuan me sistem shqiptarët përpara opinionit evropian, për të copëtuar më pas tokat tona me ndihmën e fuqive të mëdha, veçanërisht me ndihmën e Rusisë dhe për të ushtruar mbi ne dhunë të pakrahasueshme me cilëndo vuajtje të ushtruar kurdoqoftë mbi ndonjë etnie tjetër ballkanike.

Shkaqet tjera të rebelimit të titanit shqiptar duhet kërkuar në planet djallëzore sllave, që synonin asimilimin e plotë të qenies sonë, nëpërmjet elaborateve gjenocidiste për shfarrosjen dhe dëbimin tonë të plotë në shkretëtirat e Anadollit, gjithnjë në bashkëpunim me pushtetarët e asokohshëm të Turqisë.

Shtoja kësaj dhe mungesën e të drejtave më elementare njerëzore dhe kombëtare, si puna e përdorimit të lirë të gjuhës shqipe, të hapjes së shkollave dhe të përdorimit të lirë të simboleve etnike…, shtoja të dhënën se shqiptarët nuk mund të adhuronin ideologjinë komuniste, që vinte nga bota armike sllave, pra: nga pushtuesit dhe artmiqtë e përbetuar historikë…, për ta kuptuar qartë largpamësinë e prometejëve si Molla Sula.

Thënë shkurt: Molla Sula bënte pjesë në mesin e djemve të zgjuar të Malësisë së Sharrit, të cilët e kishin të qartë se nuk ka jetë nën pushtete satrape, ndaj likuidoi naçallnikun serb, që në një pjesë të Atdheut të tij instaloi pushtetin e hurit e të litarit. Mjerisht, ai nuk pati mundësi që të organizojë një rrezistencë më të madhe, sepse gjërat morrën kahje të kundërt prej asaj që mund t’u shkonte në favor shqiptarëve. Koha tregoi se rreshtimi i tij ishte i drejtë, pavarësisht të dhënës se, pas mbarimit të Luftës së dytë botërore, krahas glorifikimit të pjesëmarrjes së sllavëve në përpjekjet antifashiste, u mohua gjaku ynë i derdhur rrëke në fushat e Sremit, u fsheh gjenocidi monstruoz i Tivarit dhe u ripërsërit diabolizimi i shqiptarëve si gjoja bashkëpunëtorë të fashizmit, për çka paguajtëm tagre të rënda në humbëtirat, kazamatet dhe kasaphanet e tipit të Monopolit të Tetovës…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button