E drejta për qytet

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Ta ndryshojmë botën, por edhe jetën, janë dy detyra jetike sipas André Breton-it.

Ta ndryshojmë botën ku jetojmë dhe ta bëjmë më të denjë për jetë cilësore.

Por së pari duhet t’i vëmë jetës një qëllim: të fitojmë të drejtën për qytet, si e drejtë për pjesëmarrje qytetare në shoqëri për të drejtuar apo për të mbrojtur të mirat publike; si e drejtë për dialog e bashkëjetesë, pa të cilat nuk mund të formësohet qyteti.

E drejta për qytet, sipas David Harvez-it, është më shumë se sa liri individuale për sa i përket shfrytëzimit të resurseve urbane.

Është e drejta për ta ndryshuar veten, duke e ndryshuar qytetin sipas mënyrës sonë.

Është e drejta që qytetarët të vendosin për qytetin ku jetojnë.

Është e drejta për t’i shfrytëzuar hapësirat publike dhe nëpërmjet kreativitetit t’u japin frymë, shpirt, jetë, bukuri.

Është e drejta për të marrë pjesë, me gjeniun krijues, në ndërtimin e shtëpisë së përbashkët.

E drejta për qytet është të konceptuarit të qytetit si hapësirë e përbashkët e të gjithë atyre që aty jetojnë dhe kanë hapësirën e duhur që të realizojnë synimet e tyre, duke i respektuar obligimet e veta qytetare.

E drejta për qytet është e drejta për bashkësi, për jetë sociale e kulturore.

E drejta për qytet është mundësia për të realizuar komunikim cilësor, ide, vizione, por edhe aventura.

Është pjesëmarrje në ndërtimin e qytetit të hapur, që i përputh interesat individuale me ato kolektive.

Është përpjekja për një qytet me shpirt dhe me frymë tolerante, ku zgjidhjet nuk imponohen, por janë të përbashkëta; ku vendimet nuk sillen vetëm nga “lart”, por formësohen edhe nëpërmjet respektimit të zërit qytetar.

E drejta për qytet është qasja e lirë e qytetarëve te informacionet që lidhen me jetën e përbashkët.

Është përpjekja e vazhdueshme për krijimin e qytetit të hapur për nisma, ide, komunikim cilësor, të dobishëm.

Është të menduarit e hapësirës publike si pjesë e të gjithë atyre që jetojnë në atë qytet, qoftë përkohësisht, qoftë përherë.

Është krijim kushtesh për respektim dëshirash, qëllimesh, synimesh qytetare, qofshin politike, ekonomike, kulturore, arsimore, ekologjike.

E drejta për qytet është mundësia për të marrë frymë lirshëm.

Është arritje ekuilibri ndërmjet interesit publik dhe profitit.

Është kundërvënie ndaj privatizimit të egër e të dyshimtë të pronës publike.

Është kundërvënie ndaj eksploatimit të të mirave publike, të përbashkëta.

Është ndjeshmëri për jetën e përbashkët, sikurse janë: trashëgimia, kultura, natyra.

Është kërkesë për funksionim cilësor të institucioneve publike.

E drejta për qytet është mundësia për të qenë disident, siç thotë Gjergj Konradi.

Është mundësia për pluralitet identitetesh dhe kundërvënie ndaj imponimit të një shije estetike, që ia pamundëson një qyteti të jetë “adresë tolerance”.

E drejta për qytet do të thotë autonomi sferash shoqërore.

Është kundërvënie ndaj keqpërdorimit të historisë, të kulturës, arsimit, sportit, ekonomisë nga ana e autoriteteve të caktuara politike, me synimin kryesor manipulimin e njerëzve.

Mjerisht e kemi të shprehur privimin e qytetarit nga e drejta për qytet.

Qyteti vazhdon të jetë i mbyllur kundrejt qytetarit të tij, të cilin e konsideron si qenie që duhet të mendojë me mendime të gatshme dhe të ndjejë me ndjenja të gatshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP