Ikën të gjithë

Afrim Ramadani

Afrim Ramadani

Lexoja disa poezi – ishin të bukura! Në atë moment mu kujtjua Senera, djaloshi i poezive,  njeriu që vuante për letërsinë. Nuk pati mundësi të studioj, prindi ishte invalid, dhe ky, si i pashpresë, iku prej këtu, shkoi diku, diku larg…!

Në televizion kishte një temë lidhur me mjekësinë, diskutonte një mjek, nuk kishte shpjegime bindëse, mendova në vete, eh sikur të ishte Bani…, i cili tani bën çudira nëpër spitalet perëndimore, ndërsa dikur refuzohej nga universitetet vendase, edhe ai, i detyruar, iku!

Në një program tjetër televiziv, dikush po përkthente bisedën e dikujt, mu duk se kishte shumë siklet, Mendi…, mendova në vete, të njejtën gjë do ta kishte bërë për mrekulli, por jo, nuk është këtu, ai tani bredh metropoleve lindore, edhepse si një udhëheqës shumë i suksesshëm, por edhe ai, si të tjerët, pa asnjëfarë perspektive, iku!

Ndala televizionin dhe sytë, rastësisht, më shkuan në mur, aty ishte vendosur nje pikturë baleti, kjo më përkujtoi Nikin, i cili asokohe shkëlqente nëpër vallëzime të ndryshme, por edhe ky, i detyruar, i ndërpreu studimet, e gjithë familja ishte nën vartësinë e tij, nuk mundi që ti përballojë harxhimet, iku, edhepse nuk deshti të ikë! Mu kujtuan edhe fytyrat e hareshme të Bicës dhe Çakit, të cilët qëmoti nuk janë këtu, eh lozonjarët e hatashëm…, nuk e di se si, por edhe këta ikën. Më mbyti malli për ta!

Mu duk se diçka po më shtrëngonte në gjoks! Dola në obor, pas vështrimit të disa shtëpive të boshatisura, përnjëçast mu kujtuan bisedat, të cilat vazhdimisht i bëja me disa fqinjë, të cilët qëmoti nuk janë këtu. Edhe ata kanë ikur!

Po, po, ikën të gjithë, iku Dulla iku Sula, iku Mani iku Bani, iku Beni iku Xeni, iku Cini iku Timi, iku Beli iku Meli, iku …, ikën të gjithë!

Ktheva në dhomë dhe i demoralizuar hapa kompjuterin. Për kureshtje, kërkova folderin e përkthimeve! Duke i shikuar dokumentet, të përkthyera kryesisht në gjuhën gjermane, pashë se vërtetë të gjithë  kishin ikur – mjekë, infermierë, informaticientë, gjuhëtarë, mësuesë, ekonomistë, juristë, kuzhinierë, kamerierë, elektriçistë, ujëinstaluesë, muratorë, fasaderë, bujqë, kopshtarë, …!

Para syve filluan të më shfaqen shumë nxënës të mi, të cilët dikur më kishin buzëqeshur, të cilët ishin plot shpresë, por të cilëve gjithashtu u kisha përkthyer dëftesa e dilploma, vërtetime e çetifikata, …, dhe të cilët tani nuk janë më këtu! Edhe këta kanë ikur, ah çapkënët e mi, ku ta di se ku po bredhin tani! U ndjeva fajtor! Ndoshta edhe unë isha pjesë e kësaj fatkeqsie!

Trishtim!

Iku pjesa më e bukur, ikën të mençurit, ikën të vlefshmit, ikën ata që nuk durojnë padrejtësi, iku kritika, ikën…, dhe çuditërisht, askujt nuk i bëhet vonë!

Po kujt, kujt t’i bëhet vonë?  Kush të brengoset?  Hipokritët, barkanjozët, profiterët, kallëkqinjtë, afetarët,…,?

Tani, gjithnjë e më tepër po bindem në thënien “Homo homini lupus”. Definitivisht u zhduk zëri i arsyes, humbi logjika, humbi shpresa,  dhe si pasojë e kësaj katrahure ikën të gjithë!

Ndoshta dikur do ta kuptojmë këtë katandisje të madhe, por ndoshta atëherë do të jetë shumë vonë!

Kam një parandjenjë, se ky vend, një ditë, mund të shndërrohet në vend fantazmash!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP