Demokratizimi i partive politike përmes listave të hapura të votimit

Demokratizimi është proces kompleks i cili kërkon kohë të gjatë dhe përpjekje të vazhdueshme për të arritur transformimin e plotë të sistemeve autoritare apo totalitare politike, në demokraci funksionale liberale. Krahas zhvillimit ekonomik që në thelb ka sistemin arsimor kualitativ, urbanizimin dhe industrializimin si parakushte për treg të lirë, ndërtimin e institucioneve të pavarura, shtetit ligjor, lirisë së mediave e të tjera parakushte që diktojnë qëndrueshmërinë e demokracisë si sistem qeverisës, demokratizimi i shoqërisë nuk mund të përmbyllet pa demokratizimin e klasës politike, gjegjësisht partive politike.

Pavarësisht statuseve, procedurave, praktikave dhe formave organizative brenda partiake sistemi zgjedhor në Maqedoni me lista të mbyllura votimi disfavorizon demokratizimin e partive politike dhe përqendron forcën vendimmarrëse tek liderët partiak, duke krijuar ambient të përshtatshëm për kontroll të plotë të partive nga një grup individësh. Kështu për shembull, jemi mësuar të shohim se si liderët e partive politike dhe një numër i caktuar i njerëzve pran tyre kanë fjalën përfundimtare për të gjitha çështjet me rëndësi për partinë, institucionet, qeverinë vis-a-vis jetën e qytetarëve.

Ky model zgjedhor me lista të mbyllura të votimit, ku zgjedhësit/qytetarët votojnë për partinë dhe renditjen e të zgjedhurve/përfaqësuesve sipas dëshirës së liderit është një nga arsyet kryesore për devalvimin e vlerave dhe uljen e cilësisë të përfaqësuesve në organet legjislative qoftë në nivel lokal apo atë qendror. Ky sistem ka përforcuar një mentalitet të nënshtrimit politik para liderit, besnikëri të verbër dhe mungesë të debatit real brenda partive politike. Kështu, një nga vlerat apo kriteret kryesore për pozicionim në ‘’vendet e sigurta’’ të renditjes në listën e votimit është dëgjueshmëria dhe lojaliteti ndaj liderit apo strukturës udhëheqëse të partisë. Kjo ka prodhuar një matricë politike rezistuese ndaj prurjeve të reja kadrovike në partitë politike, ngulfatjen e ideve progresive, përjashtimin e konkurrencës përmes vlerave individuale, zhdukjen e meritokracisë profesionale/akademike dhe një elitë të konsumuar politike.

Ky problem nuk ndikon vetëm përbrenda partive politike por reflektohet në çdo pore të sistemit duke nxitur, kultivuar dhe mbajtur gjallë manipulimin e procesit zgjedhor përmes blerjes së votës, gjegjësisht klientelizmit politik. Politizimi i institucioneve dhe arsimit, ndarja e shtetit nga partia qeverisëse, politizimi i gjyqësorit dhe në fundit standardi i ulët jetësor në Maqedoni janë rezultat i drejtpërdrejtë i këtij sistemi zgjedhor.

Prandaj, në qoftë se liderët politik në Maqedoni, e sidomos ata të partive në pushtet, janë të sinqertë në përkushtimin e tyre për ndërtuar një Maqedoni demokratike duhet urgjentisht të ndryshojnë kodin zgjedhor dhe të mundësojnë hapjen e listave të votimit. Ky hap do të ishte jetik në demokratizimin e partive politike, gjegjësisht në demokratizimin e shoqërisë dhe shtetit në përgjithësi. Mundësia për të votuar individin dhe jo partinë do nxiste konkurrencën e vërtetë të vlerave individuale, duke i bërë individët të jenë ata që sjellin vlerë të shtuar në partitë me të cilat garojnë dhe jo e kundërta. Ky besoj do të ishte një domino efekt që do të reflektohej në të gjithë shoqërinë dhe një shtysë e fortë për Maqedoni demokratike.

*Autori është drejtor ekzekutiv në Democracy Lab

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button