Dino Mustafiç: Don Kishoti i sotëm duhet të jetë aktivist që lufton për drejtësi

“Don Kishoti jonë vjen si një person romantik dhe përfundon si një person që lufton për të drejtat e njeriut, si aktivistët e sotëm. Unë mendoj që Don Kishoti i sotëm duhet të jetë aktivist, duhet të luftojë për drejtësi dhe të drejtat e njeriut”, tha Dino Mustafic për KultPlus, regjisori i shfaqjes “Aventurat e reja të Don Kishotit” që pritet të vijë premierë në TKK.

Jeta Zymberi, Kultplus.com

 “Aventurat e reja të Don Kishotit” do të keni rastin t’i shihni për herë të parë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Kjo falë punës së madhe të regjisorit Dino Mustafic i cili ka një muaj e gjysmë që është duke punuar rreth përgatitjeve të kësaj shfaqje me aktorët më të njohur kosovar.

Regjisori Dino ka folur për KultPlus rreth kësaj shfaqje, aktorëve kosovar dhe në përgjithësi për nivelin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Kjo shfaqje e cila për autor ka Tariq Ali i cili është një nga filozofët më të njohur sot, autor i disa librave për filozofinë, njihet edhe si një aktivist jo vetëm i të drejtave të njeriut por edhe kundër forcave që dominojnë konfliktet ushtarake sot në botë, pritet të sjellë një Don Kishot tjetër në skenën e TKK-së.

Regjisori Mustafic tha se Tariq Ali është një shembull për gjeneratat e reja sot, sepse ai tregon që njeriu duhet të punojë dhe luftojë për një ideal të caktuar.

Kjo shfaqje e cila provat i ka filluar para një muaji e gjysmë, duket se tashmë ka finalizuar pothuajse gjithçka.
“Kemi punuar shumë intensivisht, sepse unë preferoj më shumë procesin e shkurtër dhe intensiv sepse mendoj që është më kreativ. Jam këtu pas 7 viteve me një produksion të ri. Unë e njoh shumë mirë skenën artistike të Kosovës dhe shumica e aktorëve që kam në këtë shfaqje janë miq të mi. Është një emocion i mirë kur kthehesh në një vend që e njeh mirë. Unë ndjehem shumë mirë këtu, kam gjithmonë një inspirim shumë të mirë, ky inspirim vjen nga bashkëpunëtorët dhe aktorët”, ka thënë regjisori Mustafic për KultPlus.

Ai tutje theksoi se Teatri i Kosovës tashmë është ngritur në nivel. “Unë mendoj që në Kosovë është stabilizuar një ansambël me potencë dhe shumica e tyre janë vërtetë aktorë shumë të mirë. Është e dukshme që standardi i tanishëm estetik i teatrit është disa shkallë më lartë se përpara. Teatri ka nevojë për më shumë mbështetje nga qeveria sepse teatri nuk është i shtrenjtë përderisa është një këmbë shumë e rëndësishme për civilizimin e rajonit dhe një pasqyrë kritike e shoqërisë sonë”, ka theksuar Mustafic.

E për atë se çfarë do të shohë publiku më datë 19 qershor, kur edhe pritet të vijë premiera e shfaqjes, Mustafic, ka treguar që tema kryesore është Don Kishoti, por kërkimi i tij është se si ne përpiqemi të gjejmë Don Kishotin brenda vetës sonë.

“Don Kishoti është paradigma e luftëtarit idealist, pa Don Kishota bota do të ishte një ferr sepse në jetën tonë iluzioni është shumë i rëndësishëm dhe gjithashtu iluzioni është shpresë, shpresa është pjesë e rëndësishme e qenies njerëzore. Don Kishoti duket nganjëherë naiv dhe romantik gjithashtu ai është pjesë e njeriut që e bënë atë shumë kurioz për të zbuluar vlera të tjera”, ka treguar regjisori duke shtuar tutje se në këtë shfaqje autori e ka vendosur Don Kishotin në shekullin 21.

“Është një lloj loje sikur Don Kishoti i dikurshëm i shikon luftërat e sotme, por nuk kanë ndryshuar shumë gjëra që nga mesjeta, nga koha e tij. Por ai zbulon kapitalizmin e ri liberal, i cili ka gjetur një masë të re për një fashizëm të ri. Gjithashtu ai zbulon dashurinë si një vlerë e cila ka humbur në këtë realitet dhe ai shikon sot me dëshpërim se sa luftëra ka sot në realitetin tonë, pa qëllim, pa arsye, vetëm për qëllime imperaliste, për të marrë resurset natyrore të atyre vendeve dhe ai zbulon keqkuptimet ndërmjet lindjes dhe perëndimit dhe sa shumë stereotipe kemi ne për njëri tjetrin”, ka thënë ai.

“Don Kishoti jonë vjen si një person romantik dhe përfundon si një person që lufton për të drejtat e njeriut, si aktivistët e sotëm. Unë mendoj që Don Kishoti i sotëm duhet të jetë aktivist, duhet të luftojë për drejtësi dhe të drejtat e njeriut”, theksoi Mustafic.

Krejt për fund ai tha që për këtë shfaqje ka punuar shumë dhe përmes kësaj shfaqje audienca do të përballet me realitetin tonë.

“Sikur vetëm një nga njerëzit në audiencë të ndryshojë mendimin, për mua është realizim qëllimi”, ka thënë regjisori.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Shkelzen Veseli, Armend Smajli, Blin Sylejmani, Ard Islami, Ylber Bardhi, Gresa Pallaska, Adrian Morina, Dukagjin Podrimaj, Semira Latifi, Kumrije Hoxha, Shengyl Ismajli, Fatlume Bunjaku, Molikë Maxhuni dhe Sheqerie Buqaj.

Skenografia e kësaj shfaqje është përgatitur nga Dragutin Broz, kostumografia nga Albulena Borovci, muzika – Ilir Bajri, dramaturge – Zeljka Udovcic Plestina, koreografia – Gjergj Prevazi dhe ass. Regjie – Erson Zymberi.

Premiera e shfaqjes do të jetë më 19 qershor, kurse repriza e parë me 20 qershor në ora 21:00. / KultPlus.com

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP