Drejtësia që po vie vonë

Shoqëritë që janë të disejnuara sipas modelit kolektivist përherë funksionojnë mbi parimin e viktimizimit të kolektivit të vet dhe mbi demonizimin e kolektivit tjetër, qoftë në rrafshin etnik, qoftë në atë fetar.

Një analizë më e thuktë e raportit që e kanë me politikën njerëzit e rajonit dhe në veçanti ata në Maqedoni, tregon se të gjithë, toptan, jemi specie të çuditshme që vetëm dëshirojmë një lider që do na i zgjidhë të gjitha problemet, ndërkohë që ne do kënaqemi duke shikuar “Big brothers”, “Lufta e nuseve”, Barcelonën e Realin… Tingëllon pak si e karikuar kjo gjendje e jona, por nuk është fort largë nga e vërteta.
Institucionet e Maqedonisë që mund të quhen gjithfare por jo edhe demokratike, për shkak se askush nuk është angazhuar që t’i zhvillojë ato duke ua lënë peng dëshirave dhe vendimeve të njeriut të parë të shtetit, natyrisht që kanë reflektuar përçudshëm dhe kanë ndihmuar krijimin e një shoqërie nacionaliste dhe një politike populliste.
Dhe, pikërisht nacionalizmi i etabluar thellë në shoqërinë tonë, bashkë me popullizmin e llojit më të ulët që karakterizon pjesën dërmuese të politikës, janë barrierat që hë për hë duken aq të pakapërcyeshme në rrugën e avancimit të shoqërisë dhe të shtetit në përgjithësi.

Rreziku nga përsëritja e gjërave

Është një thënie sipas të cilës “Drejtësia është veti e të fortit, por atë e synojnë kryesisht të dobëtit…”. E vitet e tranzicionit në Maqedoni, në veçanti dekada e fundit, e përmbushur me shkelje flagrante të lirisë dhe dinjitetit të njeriut të rëndomtë, me manipulime të spin mjeshtërve, me korrupcion alarmant, është dëshmi e pamohueshme e vërtetësisë të kësaj thënieje. Nëse tërë kësaj ia shtojmë indoktrinimin perfid të gjeneratave të reja me urrejtje ndaj atyre që nuk i takojnë kombit e fesë të atyre që ishin target i këtij indoktrinimi, e tërë kjo storie nis e rumbullakësohet tërësisht.
Së këndejmi, nuk janë për habi kërkesat dhe insistimet e të padrejtësuarve që drejtësia të fillojë të flasë në Maqedoni, kuptohet përmes riparimit dhe ristrukturimit të sistemit të devalvuar gjyqësor të cilit nuk po i besojnë më as ata të cilët e sollën në këtë derexhe. Por, nuk mund të ketë drejtësi pa zbardhjen e të vërtetës, pa e konstatuar tamam atë që ka ndodhur në të kaluarën. Sepse, vjedhjet, manipulimet, korupcioni dhe mashtrimet janë bërë mbi kurizin e dikujt, nëpër xhepat e policëve moralë e ideologjikë të këtij shteti kanë shkuar paratë e njerëzve që janë varfëruar përpjestimisht me pasurimin e manipulatorëve që kanë kontrolluar pushtetin.
Kjo dmth. që nëse viktimat nuk do jenë në gjendje të zbardhin gjërat të cilat ju kanë ndodhur në të kaluarën dhe ua kanë përcaktuar për një kohë më të gjatë fatin, është e sigurtë se kurdoherë do ju përsëriten të njejtat gjëra. Dhe, dmth që shoqëria jonë duhet të kuptojë përfundimisht se viktima nuk quhen vetëm ata që kanë humbur jetën në një luftë, përplasje apo masakër. Jo, viktima quhen edhe të manipuluarit, të ndërsyerit, të shfrytëzuarit, ata nga të cilët është vjedhur dhe ata nga të cilët është kërkuar ryshfet, ata që kalben burgjeve si viktima të proceseve të montuara gjyqësore.
Drejtësia të cilën sot po e kërkojnë dhe për të cilën po insistojnë të padrejtësuarit, është në fakt një si parakusht për shërimin dhe kthjelljen e shoqërisë, si edhe për ringitjen e marëdhënieve të shëndosha në shoqërinë që mëton të jetë demokratike.
S’do mend se drejtësia që po kërkohet gjithnjë e më shume dhe gjithnjë e më zëshëm, do injorohet dhe do pengohet nga elita politike që e përfundoi karrierën e vet. Ajo nuk do pranojë asnjëherë se fuqia dhe ndikimi që kishte për më shumë se një decenie, vinte nga veprimtaria e saj kriminele dhe nga kultivimi i narativit konfliktuoz.
Për të mos u zhveshur tërësisht përpara popullit që e ka gënjyer dhe vjedhur me vite, elita politike që iku edhe më tej do përpiqet të shkaktojë huti dhe tensione. Shërbetorët që i kanë mbetur besnikë ajo do i shfrytëzojë për të provokuar incidente siç ishte ai kur një grup të frustruarish egzaltimin e tyre me fitoren e hendbollistëve të Vardarit e shprehën me brohoritjet e njohura nga arsenali antishqiptar

Viktimizimi si profesion jetësor
Shoqëritë që janë të disejnuara sipas modelit kolektivist përherë funksionojnë mbi parimin e viktimizimit të kolektivit të vetë dhe mbi demonizimin e kolektivit tjetër, qoftë në rafshin etnik e fetar, qoftë në atë ndërkombëtar. Në këtë drejtim duhet shikuar dhe analizuar mitin e ndërtuar në Maqedoni nga makineria propaganduese e pushtetit të kaluar dhe nga shërbimet sekrete sipas të cilit mit për stagnimin dhe fatkeqësitë që po i ndodhin Maqedonisë përherë janë fajtorë të tjerët. Kështu, Maqedonia ka qenë viktimë e “zemërgjërësisë ndaj shqiptarëve që ia kanë kthyer me përpjekjen për të krijuar Shqipërinë e Madhe”, e Greqisë që “dëshiron të vjedhë antikitetin maqedonas”, e “përpjekjeve bullgare për të vënë dorë mbi historinë, gjuhën dhe kulturën maqedonase”, e Sërbisë që “e konsideron Maqedoninë si një banovinë të veten”…
Pra, në vend se të zhvillohet vetëdia demokratike dhe të kultivohet gjurmimi pas të vërtetës dhe drejtësisë, në këtë shtet pafundësisht është bërë detektimi i “armiqëve të brendshëm e të jashtëm”. E tërë kjo me një arsye të vetme – mbajtja gjallë e idesë së viktimizimit e cila, duke u shndëruar në profesion, një kategorie politikanësh ju ka sjellë benefite të ndryshme politike e materiale.
Nga ana tjetër, vite me radhë ne jemi ballafaquar me një sistem dhe me një politikë e cila nuk ka çarë kokën për individin dhe për fatin e tij, duke ndikuar padiktueshëm në dehumanizimin e gjeneratave të tëra. Të nxitura e të zhytura në egoizmin e nacionalizmit, ato gjenerata i kanë transferuar mbi kolektivin e vetë gjërat më të errëta që i kanë pasur dhe e kanë flakur tërësisht postulatin fetar, qoftë islam apo të krishterë, sipas të cilit njeriu për njeriun duhet të jetë vëlla. Brohoritjet “Shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë”, më mirë se çdo gjë dëshmojnë dehumanizimin, do kisha thënë edhe bestijalizimin që një pushtet e një politikë e kanë kultivuar te rinia e vet.
Shtrohet pyetja logjike – si mund të ndryshohen këto fenomene dhe kjo mendësi, si mund njeriu i rëndomtë të përjetojë çfarëdo satisfaksioni për vitet e veta të humbura dhe për padrejtësitë që i janë bërë në mënyrë permanente. Me çka do shpaguhet njeriu të cilit sistematikisht i është shpëlarë truri dhe është sjellë në situatë që të mos dallojë gënjeshtrën nga e vërteta ?
Do të mund të ndryshojë, mendoj unë, vetëm përmes një politike dhe përmes politikanëve të cilët do kenë parim të vetin përgjegjësinë dhe dëshirën për të përmirësuar gabimet e të kaluarës, përmes konceptimit të politikës jo si mundësi për të fituar pasuri e për të sunduar.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button