HAJT TA LUJMË EDHE NI PARTI SHAH

Xhabir Ahmeti

Xhabir Ahmeti

I shikoj dy njerëz para një dyqani të lagjes ku kaloj shpesh.
Njëri është Shema, tjetri është Xhema. Duhet t’i kenë aty kah të dyzetat A ndonjë vjet më shumë. Më pak jo.. Luajnë shah, ulur në dy cungje. Ndërmjet tyre e kanë një kuti të madhe prej kartoni ku e kanë vendosur tabllën e shahut.
Kaloj pranë tyre dhe i dëgjoj komentet që kanë për njëri-tjetrin kur luajnë.
“O Shemë, unë e luaj këtë të shkretë. E luaj, o Shemë, me kuaj luaj shumë mirë…” lëshon thumba Xhema.
Shema duket i humbur në mendime, mundohet të gjejë kombinime. Duket i lodhur, mirëpo e ka energjinë krijuese, zgjuarsinë. I duket kjo në mënyrën si shikon me përqendrim figurat e renditura. I ka sytë, si i thonë fjalës, gjilpërë. Në fund e luan kalin:
“Shah, o Xhemë”. Xhema reagon dukshëm i pakënaqur. “Mos u habit Xhemo, mat e kije, mat!… A po e sheh se si luaj unë me kuaj e me topa? Ta dish kur të ulesh me mua, ta kesh të qartë se je ulur të luash me oficerë”! Xhema e shikon si shikon i mposhturi dhe thotë.
“Pa hiri ke kjo punë… Hajt ta lujmë edhe nja dhe e sheh ti sa dyr ka dunjaja”!
Sa herë që kaloj aty-pari, aty i gjej. Herë është dita e njërit, herë e tjetrit. Shpesh them vetë me vete: si e bjerrin kohën kot këta burra?!… Megjithatë herë pas here ndalem një çikë të shikoj si luajnë. Jo vetëm loja, më pëlqen edhe humori që lidhet me lojën. Në këtë humor ka edhe grimca dhembjeje, dëshpërimi, pamundësie, pashtegdaljeje. Dhe, thumbat e humorit lëvizin andej-këndej në mikrouniversin e kësaj dysheje shahistësh, duke mos dalë jashtë. Këta burra janë të lidhur me zinxhirë të padukshëm të pamundësisë në universin e tyre. Kriza dhe plogështia e deritashme qeverisëse e qeveritarëve shqiptarë i kanë mbyllur të gjitha dyert në të cilat ata kanë trokitur për të gjetur çare, për të qenë të dobishëm, për t’u sjellë një copë bukë fëmijëve, për të dalë nga pamundësia e tyre e pafundme. Po, asgjë tjetër s’u ka mbetur përveç lojës së shahut, ku zhyten thellë në botën e harresës dhe nuk e kujtojnë thesin e miellit që është kah fundi, rrymën e papaguar e kështu me radhë.
Një ditë kaloj unë, ata aty, ndërsa figurat e shahut të derdhura, një pjesë në tabllën e hapur, një pjesë mbi kuti të kartonit. Bashkë me Shemën e Demën sot është edhe një tjetër. I moshës së tyre. Me disa dhëmbë të rënë. E dëgjoj ta thërrasin Memë. Pra sot janë Shema, Xhema e Mema. Shah nuk luajnë, për çudi, por bisedojnë.
“Trandhitthioni, deri sa t’thothet kyfarë trandhitthioni, kthtu kemi me e pathë”, thotë Mema, duke komentuar formimin e qeverisë së re, kurse s-jat dhe z-jat e tij dalin si dh-ja dhe th-ja, për shkak të dhëmbëve të rënë.
“Çka asht ky tranzicioni”? pyet Xhema.
“Urë asht o Xhemë, urë asht tranyicioni”, thotë Shema që kështu thuaja padiktueshëm i korrigjon dh-jat dhe th-jat e Memës..
“Urë ddhehnemi”! përgjigjet Mema. “Nëpër ta jem tue kalue na përditë”.
Xhema e kruan faqen dhe shikimi i tij tregon se nuk e ka të qartë se çfarë është tranzicioni.
“A ka me pasë punë, o Memë? Kta kallxoma mue, lee atë farë tranyicionitrazicionin ti”!
“Thonë the po, the ka me pathë, ama math padharit”…
“Kur”? pyet Xhema.
“Thonë the ditën e mërkurë para t’ejteth”…
“Po a nuk u ba qeveria e re?” pyet Xhema që e mer vesh se hallet e tij do të vazhdojnë.
“U ba qeveria e re, po neve na përfaqëthojnë ata qi i kemi pathë n’qafë n’qeverinë qi shkoi”… thotë Mema.
Xhema e kruan edhe njëherë faqen edhe thotë:
“Luja nanën, hajt ta lujmë edhe nji parti shah”…


Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP