5 konkluza nga zgjedhjet në Kosovë

Vetëvendosja bëri revolucion politik, PDK-së i dështoi blofi ngase bëri hesapet pa hanxhiun, ndërsa LDK-së do t’i duhen reforma të thella për tu këndellur

1. Blofi i pamenduar i PDK-së. Njëlloj si Theresa May në Britani, Hashim Thaçi e Kadri Veseli me siguri po kruajnë kokën për t’u kujtuar se ç‘ju deshën PDK-së këto zgjedhje të parakohshme. Partia e tyre ishte në bashkëqeverisje komode me LDK-në dhe mundej të shtynte rehatshëm pjesën e mbetur të mandatit, në kontroll të plotë dhe pa qenë e kushtëzuar nga askush. Ajo pra nuk kishte aspak nevojë për zgjedhje të reja, me gjithë paqartësinë që sjellin përherë ato.

E vetmja arsye racionale mund të ketë qenë përforcimi i mëtejmë i pozicioneve dhe fitimi i menjëhershëm i katër viteve shtesë në pushtet. PDK mbase ka llogaritur se i forcohen pozicionet duke hequr qafe LDK-në, sepse mund të menaxhonte më lehtë me AAK-në dhe Nismën si parti më të vogla, edhe duke ju lënë më tej postin e kryeministrit.

Sado briliante të ishin dukur fillimisht lojërat taktike të PDK-së, ajo si duket kishte bërë hesapet pa hanxhiun, në këtë rast pa popullin e Kosovës. Në zgjedhje populli jo vetëm që nuk i dha mandat të fuqishëm aleancës PAN, por ndëshkoi atë duke ja reduktuar votat për 10 pikë përqindje. Sipas projeksioneve të fundit duket se PAN as që do të arrijë të formojë qeveri. Njëlloj si Theresa May-t, blofi i PDK-së ju kthye bumerang nga votuesit.

2. Revolucion i Vetëvendosjes. Zgjedhjet e djeshme siguruan se skena politike në Kosovë kurrë më nuk do të jetë e njëjtë. Rezultati i Vetëvendosjes nuk ka si të përshkruhet ndryshe përveç si revolucion politik. Ajo ka shënuar rritje të votave prej 120-130% dhe ka shkatërruar përgjithmonë status-quonë politike ku sundonin dy parti të mëdha që vazhdimisht ndërronin njëra-tjetrën në pushtet. Vetëvendosja është rradhitur e dyta, por duhet mbajtur mend se ajo ka garuar e vetme në zgjedhje, pa koalicion. Kur të përfundojë numërimi i votave dhe të dihet numri i saktë i deputetëve i secilë parti, pa koalicione, Vetëvendosja sipas të gjitha gjasave do të dalë parti e parë dhe më e madhe në Kosovë. Qoftë si opozitë, apo edhe nëse ngjitet në pushtet, Vetëvendosja tani e tutje do të jetë faktori kyç i politikbërjes në Kosovë. Asnjë hap më tutje nuk do të mund të bëhet pa marrë parasysh qëndrimin e Vetëvendosjes.

3. Qeverisje e vështirë ose zgjedhje të reja. Nga projeksionet e fundit të numrit të deputetëve ende nuk është e qartë nëse koalicioni PAN ka arritur të sigurojë të paktën 41 deputetë, që do t’i mundësonin koalicion qeverisës me pakicat. Por edhe sikur të bënte një koalicion të tillë, apo të vidhte ndonjë deputet nga koalicioni LAA, të themi të AKR-së, qeveria eventuale e koalicionit PAN do të jetë tepër e brishtë. Ajo do të jetë përherë e varur dhe shantazhuar nga deputetët e Listës Sërbe. Në asi rrethanash ajo nuk do të mund të sjellë asnjë vendim të madh dhe nuk do të mund të vazhdojë të qeverisë siç ka bërë deri tani.

Natyrisht ngelet mundësia që PAN përsëri të koalicionojë me LDK-në, nëse kjo e fundit vendos të bëjë përsëri një hap të tillë gjoja “për të mirën e shtetit”. Aspak i mundshëm nuk duket as një koalicion eventual i PAN me Vetëvendosjen. Në këto zgjedhje populli kosovar dha mesazh të qartë se nuk i përpin më avanturat e tilla. As Vetëvendosja e cila duket se u shpërblye për opozitarizëmin e saj konsistent, as LDK e cila u ndëshkua për koalicionimin me PDK-në, nuk duket se kanë apetit për të ndarë pushtetin me ta. Me një fjalë PAN-i është bërë brend toksik për partnerët e saj.

Në pamundësi që qeverinë t’a formojë partia e parë, çdo demokraci tjetër parlamentare do t’i kishte dhënë shansin subjektit të dytë. Është kapriço e sistemit politik kosovar që nuk lejon një gjë të tillë dhe ku qeverinë mund t’a formojë vetëm i pari. Në pamundësi për t’a bërë këtë, vendi shkon në zgjedhje të reja. Ky opsion duket më i realti për momentin dhe nuk është për t’u habitur nëse Kosova sërish del në zgjedhje pas disa muajsh.

4. Profilimi i partive. Pas disa ciklesh zgjedhore me koalicione të panatyrshme, këtë rradhë të tre grupacionet e mëdha patën profile të qarta. Në grupacionin e PAN-it u grumbulluan të ashtuquajturat parti të dala nga lufta. Në koalicionin LAA e gjetën veten parti diçka më urbane, që pikë shitje te elektorati kanë profilin e tyre gjoja intelektual, të eksperiencës, ekspertizës e burështetësisë. Dhe e treta Vetëvendosja, e cila kryesisht grumbulloi rreth vetes shtresa intelektuale urbane dhe gjeneratat e reja.

Ajo që bie menjëherë në sy pas këtyre profilizimeve është ndasia e thellë urbane-rurale. Vetëvendosja përfundimisht ka shpërthyer përtej Prishtinës dhe ka shënuar rezultate tejet të mira në çdo qytet të madh të Kosovës. Megjithëse çdokund ka pësuar rrënie, LDK ka një shtrirje të ngjashme gjeografike. Ndërkohë PAN gjithnjë e më tepër po bëhet parti e fshatrave dhe qytezave të vogla, ndërsa ka shënuar rezultatin më të dobët në histori të kryeqytetit, ku ka rrënë në nën 20% të votave.

Profilizimi i këtillë i partive dhe ndasitë gjeografike fshehin një fenomen që mund të jetë tejet i rëndësishëm në të ardhmen. Si duket LDK dhe Vetëvendosje kanë strukturë më të ngjashme votuesish (jo funksionarësh!) me njëra tjetrën se me PDK-në. Kjo do të thotë se në të ardhmen një koalicion Vetëvendosje-LDK është shumë më i natyrshëm dhe pranueshëm për votuesit, se avantura të reja me PAN-in. Afatgjatë pra është vetëm çështje kohe kur në pushtet do të vijë një koalicion i tillë.

5. Nevoja për reforma në LDK. Megjithëse PAN ka humbur më tepër vota, humbës më i madh i zgjedhjeve del LDK. Këtë parti psikologjikisht duhet t’a ketë goditur rëndë fakti që nuk është më as parti e dytë në Kosovë. Prandaj më tepër se çdo parti tjetër, LDK ka nevojë për reforma të thella të menjëhershme.

Në këtë moment LDK ka dy rrugë që mund të ndjekë. E para është ruajtja e status-quosë brendapartiake dhe vazhdimi me njerëz të njëjtë dhe politika të njëjta. Në këtë skenar ajo madje mund edhe t’i bashkangjitet PAN-it në pushtet, siç bëri pas zgjedhjeve të kaluara. Por mesazhi i votuesve ishte i qartë. Nëse LDK përsëri bën hap të tillë, ajo shkon drejt vetëvrasjes dhe shkatërrimit total.

Opsioni tjetër i LDK është reforma e thellë, pensionimi i kuadrove të vjetra që mbajnë peng partinë me dekada të tëra dhe rifreskimi e dhënia shans fytyrave të reja. Kësisoj LDK do të ishte më e kapshme për elektoratin dhe më e afërt me Vetëvendosjen. Në një të ardhme jo të largët, mbase pas disa muajsh, ajo mund të ngjitet lehtë në pushtet bashkë me Vetëvendosjen dhe kështu të lajë veten nga gabimet e të kaluarës. Kjo duket të jetë perspektiva e vetme e ndritur për këtë parti, dikur më të madhen në Kosovë.

Vendimi final për kahjen e partisë natyrisht i përket udhëheqësisë së saj, por është e qartë se për të ka vetëm një rrugë të drejtë dhe një opsion fitues.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button