Partia e Macron, drejt triumfit në zgjedhjet parlamentare

“Dallga” Macron nuk ndalet në Francë. Mbi një muaj pasi mori Presidencën, partia e tij “La Republique en Marche” triumfon edhe në zgjedhjet parlamentare, duke siguruar më shumë se 30% të votave e mund të marrë 400 deri në 445 vende në Asamblenë Kombëtare 577-vendeshe, njofton Top Channel.

Sistemi politik francez tronditet kështu nga një lëvizje e lindur vetëm një vit më parë, një subjekt politik që vendoset në qendër, ku askush në Francë nuk kishte fituar ndonjëherë, e tani merr edhe më shumë vende në Parlament nga sa pritej prej saj.

Rezultati përfundimtar vendoset në raundin e dytë të votimeve, të dielën e ardhshme. Republikanët mundën të sigurojnë diku te 16% të votave, ndërsa socialistët që kanë mbajtur deri vonë pushtetin, vetëm 7.4%. Pjesëmarrja në zgjedhje, sidoqoftë, ka qenë më e ulët sesa zgjedhjet e kaluara, 48.7%, krahasuar me 57.2% që ishte në vitin 2012.

Ekspertët mendojnë se ishin kundërshtarët e Macron që kanë zgjedhur më së shumti të mos marrin pjesë në votime, ndërsa mes parizienëve kjo ka ngjallur njëfarë shqetësimi.

“Kam qenë pak a shumë mbështetës i ‘Republikës në marshim’, por është edhe kjo çështja e legjitimitetit. Gjendemi përballë faktit që më shumë se 40% e zgjedhësve nuk dolën në votime, pa përmendur pastaj ata që hodhën votat bosh”, tha Frederic Maynier, kalimtar.

Zgjedhjet e përgjithshme konsiderohen një test vendimtar për presidentin 39-vjeçar. Rezultati i tyre do të përcaktojë mbështetjen parlamentare të Macronit, për vënien në jetë të planeve të tij ambicioze reformuese, ndër të cilat, kryesorja mbetet ripërtëritja e legjislacionit të punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button