Dashuri italiane, çfarë e bashkoi Sophia Loren-in me djalin e Benito Mussolini-t (Foto, Video)

Sophia Loren, një nga aktoret më të njohura italiane, ka pasur një histori familjare jo dhe aq të zakontë. Bijë e një burri që nuk u martua kurrë me të ëmën dhe që e braktiste e afrohej me të sa herë i tekej, ajo është rritur pa një figurë atërore. Kur ishte ende fëmijë dhe rritej në familjen e gjyshërve të saj, e ëma kthehet sërish nga Roma, pasi një periudhe paqeje me dashurinë e jetës, babain e Sophia-s, shtatzënë. Këtë herë, Riccardo Scicolone as nuk do ia jepte mbiemrin vajzës së dytë, Anna Maria-s, e cila mbajti mbiemrin e së ëmës, Villani deri kur, Sophia nisi të siguronte ca para si modele dhe aktore dhe e rregulloi që e motra të merrte mbiemrin e të atit, duke i hequr asaj një turp që e brente mes nxënësve dhe mësuesëve në shkollë. Tashmë, femrat e bukura kishin ikur nga Napoli dhe ishin vendosur në Romë, ku Sophia, që mori mbiemrin e artit Loren, nisi të përmbushte ëndrrën e ndërprerë të mamasë dhe të plotësonte të sajën, duke fituar rolet e para në një kohë kur po lulëzonte Cinecitta.

Suksesi i mëvonshëm tashmë njihet. Ajo kaloi shumë shpejt kufijtë e Italisë, për të arritur, si pak aktore të tjera italiane, të ndërtonte një karrierë edhe në Amerikë. Në udhëtimin e saj për atje, mori me vete edhe motrën e vogël, e cila ishte e talentuar si këngëtare. Me vesh muzike dhe zë të bukur, Maria mund të kishte qenë një këngëtare e njohur, por mesa duket, mamaja e tyre Romilda Villani, nëse kishte bërë lëshime që Sophia të ndiqte këtë karrierë me kaq shumë udhëtime dhe larg shtëpisë, do e kishte paksa të vështirë të pranonte të njëjtën gjë edhe për vajzën e vogël. Edhe pse ajo kishte ëndërruar vetë të bëhej aktore, zhgënjimet në jetë e kishin bërë më shumë protektive sesa mamatë e tjera, ndaj të bijave. Kështu që ndoshta edhe prej këtij kujdesi, por edhe për shkak të zgjedhjeve të Maria-s, motra e Sophia-s u kthye në Itali.

Në Romë, u njoh dhe u dashurua me djalin e vogël të ish-udhëheqësit fashist italian Benito Mussolini-t, Romano-n, një pianist jazz-i.

Edhe pse familja e saj i bëri thirrje ta mendonte këtë marrëdhënie, Maria ishte plotësisht e dashuruar. Sigurisht profesioni i Romano-s kishte ndikimin e tij. Ajo ishte e magjepsur pas pianistit me duar të bukura që jetonte brenda muzikës. Këtë i tha edhe së motrës, ai nuk donte t’ia dinte për politikë, ishte artist! Gjë që ishte e vërtetë deri diku. Ai qëndroi i tërhequr publikisht nga marrëdhëniet familjare. Vetëm vite më vonë do të shkruante një libër autobiografik mbi të atin, Duçen.

Romano dhe Maria u martuan në kishë, në vitin 1961, Maria veshi fustanin e bardhë, e vetmja dasmë e vërtetë sipas konceptit të mamasë së tyre, duke qenë që Sophia, vite më vonë bëri vetëm një martesë civile në Paris. Vajza e tyre e parë, Alessandra, do të lindte një vit më vonë dhe do të kishte nune pikërisht Sophia-n edhe pse Kisha do të protestonte për shkak që Sophia kishte një marrëdhënie me një burrë të martuar, burrin e saj të jetës, i cili edhe pse i ndarë, ishte ende peng i martesës së parë që nuk ishte zgjidhur ligjërisht.

Sot, Alessandra Mussolini është deputete e Parlamentit Evropian, si anëtare e partisë Forza Italia. Më vonë lindi motra e vogël, Elisabetta. Megjithatë martesa nuk do të zgjaste. Kur vajza e vogël ishte pesë vjeç, Romano dhe Maria u ndanë.

Djali i Mussolinit, u martua sërish, këtë herë me një aktore, ndërsa Maria, shkrimtare dhe gazetare, në një vizitë për punë në një nga spitalet e Romës, u njoh me kirurgun e zemrës nga Irani, Magid Tamiz. Ai në atë kohë po mendonte të kthehej në atdhe, por qëndroi dhe madje u martua me gruan energjike e cila sa e pa, vendosi të mos e linte më.

Ata vazhdojnë të jetojnë në Romë që kur u martuan në vitin 1977. Maria ka luajtur veten në dokumentarin e mbështetur në librin autobiografik të Sophia-s dhe ka krijuar romanin autobiografik “Shtëpia ime është plot me pasqyra”, që u kthye në film, ku rolin e mamasë së tyre, e luan Sophia.

Maria me bashkeshortin e saj te dyte

Edhe pse jetojnë larg, Sophia dhe Maria mbeten dy motra me një marrëdhënie shumë të ngushtë. Tashmë kur vjen në Romë, në shtëpinë e së motrës, ku Maria jeton me bashkëshortin e saj të dytë, Sophia, si askund tjetër, ndihet në shtëpi teksa gatuajnë salcën dhe patëllxhanët dhe flasin sikur vitet të mos kishin kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button