E njohur si “Zemra e Afrikës”, Nigeria ende ëndërron për prosperitet

Pas shekujve të shtypjes dhe kolonializmit, Nigeria në gjashtë dekadat e kaluar të pavarësisë është bërë vendi më i populluar dhe ekonomia e dytë në Afrikë, dhe për shkak të veçantive shpesh mbart emrin “Zemra e Afrikës”, shkruan Anadolu Agency (AA).

Nigeria nga shekulli i 19-të ishte nën sundimin e politikave koloniale britanike, por që nga shekulli i 15-të, ishte e sulmuar nga Portugalia dhe vendeve të tjera imperialiste evropiane të cilat nga Nigeria kanë marrë njerëzit dhe i kanë shitur si skllevër në Amerikë, Karaibe dhe në mbarë Evropën.

Britanikët zyrtarisht kanë sunduar me Nigerinë nga 1850 deri në 1960, kur Nigeria fitoi pavarësinë dhe doli nga kthetrat e kolonializmit. Ishte kjo periudha kur gjithsej 18 vende afrikane shfrytëzuan periudhën e fillimit të një bote të re pas Luftës së Dytë Botërore dhe të njëjtin vit shpallën pavarësinë.

Udhëheqësi i luftës për pavarësinë e Nigerisë, Tafewe Balewa në sheshin e kryeqytetit të parë nigerian Lagos shpalli pavarësinë e vendit, kurse sot platoja mbi të cilën është mbajtur fjalimi i famshëm përdoret për koncerte dhe ngjarje të tjera.

Kujdestari i sheshit Hafeez Ballo Ilyasu në një deklaratë për gazetarin e AA-së theksoi se i përzihen ndjenjat kur mendon në lidhje me periudhën e kolonisë britanike, por se kujtimi i ditës së shpalljes së pavarësisë dhe fjalimin e Balewinit i ka ende të freskëta.

“Pikërisht këtu është shpallur pavarësia e Nigerisë. Isha nxënës dhe kishim një paradë të nxënësve në shesh. Ishte kjo një kohë emocionuese kur të gjithë iu gëzuan pavarësisë. Ishte interesante dhe e paharrueshme, por nuk mund të them se kemi arritur të realizojmë të gjitha ëndrrat, sepse edhe sot kemi shumë probleme që i kemi pasur edhe gjatë kolonializmit”, tha Ilyasu.

Në krye të listës së problemeve me të cilat përballet Nigeria sot, dhe për të cilat flet dhe Ilyasu, janë varfëria që është rezultat i faktit se Nigeria nuk i përdor burimet e pasura natyrore që ka në mënyrë efikase.

Me popullsi prej rreth 200 milionë banorë, Nigeria është vendi i dytë me ekonominë më të madhe afrikane pas Afrikës së Jugut, por varfëria është rezultat i faktit se ekonomia kombëtare është bazuar vetëm në të ardhurat nga nafta dhe nuk janë bërë reforma për të zgjeruar gamën e të ardhurave sociale.

Nafta përbën madje 90 për qind të eksporteve të Nigerisë dhe rënia e çmimeve të këtij karburanti në tregun botëror ka shkaktuar rënien e të ardhurave kombëtare të vendit afrikan për kokë banori nga 6.200 dollarë amerikan në vitin 2015 në 5.900 dollarë amerikan në vitin 2016.

Një burim tjetër i rëndësishëm për të ardhmen e Nigerisë është sigurisht popullata e re, sepse 60 për qind e popullsisë janë të rinjtë e moshës deri në 24 vjeç. Multi-etniciteti është diçka që e bën Nigerinë të njohur në rajon me mbi 250 grupe etnike. Grupet më të mëdha etnike janë Hausa, Fulani, Yoruba, Igbo, Ijaw dhe Kanuri.

Si trashëgimi e kolonializmit, gjuha angleze është zyrtare në Nigeri, por supozohet se në këtë vend fliten rreth 500 gjuhë të ndryshme lokale.

Në Nigeri, jetojnë rreth 90 milionë muslimanë, që është popullsia më e madhe muslimane në të gjithë Afrikën. Popullsia e Nigerisë përbëhet nga 50 për qind muslimanë, 40 për qind të krishterë, dhe pjesa tjetër janë pjesëtarë të grupeve fetare lokale.

Pas një serie të grusht shteteve ushtarake, Nigeria në zgjedhjet e vitit 1999 fitoi qeverinë e parë civile. Në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar fitoi Muhammed Buhari, gjeneral në pension i cili në vitin 1983 udhëhoqi një grusht shteti ushtarak.

Nigeria shtrihet në një sipërfaqe prej 920 mijë kilometra katrorë në të cilat ndodhen rezerva të pasura minerale. Burimet e Nigerisë dikur janë përdorur për industrializimin dhe ndërtimin e Britanisë së Madhe, por autoritetet e saj, kurrsesi nuk janë duke gjetur mënyra dhe mekanizma që burimet minerale kombëtare t’i përdorin për zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas shifrave zyrtare, Nigeria është vendi i tetë në botë për nga rezervat e naftës dhe e nënta për nga rezervat e gazit natyror, por ende banorët e saj jetojnë në varfëri dhe nuk kanë ndonjë dobi nga pasuritë mbi të cilat shtrihen.

Mosinvestimi në infrastrukturë, eksporti i naftës së papërpunuar dhe importi i produkteve të përpunuara të naftës më shumë gjasa janë shkaku kryesor i stagnimit ekonomik të Nigerisë.

Klima e favorshme dhe 37 për qind të tokës së punueshme, i ofrojnë Nigerisë edhe zhvillimin e bujqësisë, por edhe ky burimi nuk është shfytëzuar.

Të ballafaquar me varfëri, me mungesë të infrastrukturës shëndetësore dhe çdo infrastrukturë tjetër, nigerianët mesatarisht jetojnë deri në moshën 53-vjeçare, ndërsa gratë në këtë vend mesatarisht jetojnë tre vite më gjatë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button