Partneri ideal? Një fizikant i NASAS ka krijuar testin “shkencor” për ta gjetur, por jo të gjithë i zënë besë

Kur Rashied Aminin, një fizikant nga Saint Louis-i, Misuri, e la e dashura me të cilën kishte dy vite, u gjend përballë një pyetje jo të zakontë. “Më përgatit një analizë kosto-përfitime dhe ndoshta vendos t’i jap një shans të dytë lidhjes tonë”, pretendonte ajo. Rashied, për momentin, i dha një vetëm një buzëqeshje… më pas filloi të reflektonte për këtë gjë. Në fund të fundit, si inxhinier i NASA-s, ishte marrë tashmë me përpunimin e modeleve matematikore – në kuadrin e programit të fundit të quajtur Konstelacion – të analizave të kostove dhe përfitimeve, për të vendosur nëse do të ndërtohen baza mbi Hënë, ose mbi Mars. Përse të mos shfrytëzohej kjo eksperiencë, për të zhvilluar një sistem testimesh dhe algoritmesh, në gjendje për të llogaritur mundësitë për gjetjen e shokut, ose shoqes së duhur në jetë? Apo të zëvendësohej përkohësisht partneri aktual, me dikë me të cilin mund të ndihesh më rehat? Rashied rrëfen sot që megjithatë, në atë moment duhej të sajonte diçka për të bërë, për të mos menduar shumë për fundin e historisë së vetë sentimentale.

ME KOHË TË PLOTË
Si rrjedhim, fizikanti iu fut punës për të zbuluar nëse kjo gjë ishte me të vërtetë e matshme. Skicoi një seri pyetësorësh, zhvilloi një prototip algoritmi, filloi të përfshinte ndonjë mik, për të kaluar më pas në fazën embrionale të provës me ndonjë vullnetar. Projekti funksionoi kaq mirë sa, në fund, Rashiedi vendosi që t’i kushtonte të gjithë kohën e vet të lirë, për të realizuar një aplikacion në rrjet, të pagëzuar me emrin Nanaya. E kështu, në janar, janë nisur provat e para të personalitetit, të destinuara për përdoruesit online, për të vlerësuar kapacitetet e parashikimit të softit të ri dhe në të njëjëtën kohë, për të mbledhur në formë anonime, informacione demografike, të cilat i perfeksionoi më tej. Por si funksionon modeli i Rashiedit? E, mbi të gjitha, a është me të vërtetë e mundur të “peshohet” e paparashikueshmja, që është mundësia për të gjetur dashurinë e vërtetë?

PROBLEMI I SEKRETARES
Për t’ia dalë mbanë, studiuesi amerikan është nisur nga një mendim i vetëkuptueshëm: mundësia e gjetjes së gjysmës tjetër ideale, varet si nga dëshirat tona, që do të thotë nga ajo që presim nga personi tjetër, ashtu edhe nga numri dhe nga lloji i njerëzve që frekuentojmë. Nëse jemi në gjueti për një partner të pasur por takojmë vetëm të varfër, do të mbetemi ndoshta të zhgënjyer.

Rashiedi ka postuar një prezantim të projektit të vet në ArXiv, faqe ku mblidhen bocat përfundimtare të artikujve shkencorë, për t’iu nënshtruar kontrollit të kolegëve. Të gjesh dashurinë, argumenton studiuesi, është e barazvlershme me zgjidhjen e të ashtuquajturit “problemi i sekretares”, i mirënjohur për matematikanët. Imagjinojmë që drejtuesi i një ndërmarrje ka dëshirë të zgjedhë bashkëpunëtoren më të mirë të mundshme, midis një numri të caktuar kantidatesh, që do të prezantohen tek ai, njëra pas tjetrës. Mund të punësojë atë që preferon, por me një kusht: duhet të vendosë menjëherë, në mënyrë të pakthyeshme. Kur do të refuzojë një vajzë, kjo do të ikë e nuk do të jetë më në dispozicion: seleksionuesi nuk do të takojë kurrë konkurrentet ende në pritje, midis të cilave ndoshta mund të ishte ndonjëra më e përshtatshme. Mbi këtë bazë, si mund të maksimalizohet probabiliteti për të gjetur personin e duhur?

Nëse problemi ju kujton diçka, keni të drejtë. Jo rastësisht është i njohur edhe me emrin “Problemi i Martesës”. Eshtë zgjidhur në mënyrë të shkëlqyer në vitin 1984, nga matematikani belg Thomass Bruss dhe zgjidhja, konsiston në kundërshtimin në mënyrë automatike të kantidateve të para, pavarësisht cilësive të tyre. Prandaj, Rashiedi ka vendosur të shfrytëzojë një ndryshim të formulës, në kërkimin e partnerit të përsosur.

LARTËSI E MADHE
Konkretisht, kush i drejtohet Nanaya-s duhet t’i përgjigjet një serie pyetjesh të parashikueshme (mbi vetë historinë e dashurisë dhe mbi zakonet shoqërore, për shembull), por edhe të çuditshme: “A do të dilje me dikë, të cilin e ke takuar në avion?” ose: “Cila është kafsha jote e preferuar?”. Apo më tej: “Sa me fat mendon se je?”. Procesi zgjat nga 10 deri në 30 minuta, varet se sa e komplikuar është jeta e përdoruesit, dhe në fund arrin përgjigja e dëshiruar, e cila mund të përfshijë panorama të detajuara, për marrëdhënien aktuale sentimentale, si edhe truke apo këshilla për të gjetur një partner të ri, më të përshtatshëm.
Rashiedi ka në plan të vazhdojë fazën e provës – deri në fillimin e verës, për ta bërë të mundur më pas këtë shërbim nga fundi i vitit. E gjitha gradualisht, rajon pas rajoni, vend pas vendi, sapo arrin një numër të mjaftueshëm informacioni për atë zonë. “Nuk është qëllimi im”, shpjegon ai, “të mashtroj përdoruesit me rezultate më pak të sakta”. BISEKSUAL? ËSHTË TEST I VËSHTIRË!

Provat e Nanaya-s janë në dispozicion për meshkuj dhe femra, heteroseksualë dhe homoseksualë, madje edhe për biseksualë. Që janë më të vështirët. “Sfida e vërtetë është të kuptosh nuancat algoritmike të biseksualitetit”, komenton Rashied. “Kush është biseksual mund të mos jetë i tërhequr në të njëjtën mënyrë nga dy gjinitë. E nëse kërkon një marrëdhënie me afat të gjatë, mund të dëshirojë gjurmë të ndryshme personaliteti, tek burrat dhe tek gratë. Kam arritur edhe unë me pak vonesë, duke mos qënë personalisht biseksual, të kuptoj, vetëm kur kam filluar të pyes miqtë e mij, që të më tregojnë eksperiencat e tyre”. Nuk ishte e thjeshtë – e pranon – të organizoje pyetësorët dhe të adaptoje algoritmin për atë që tërhiqet nga të dyja sekset. Ky është thotë, aspekti i vetëm i të gjithë projektit që po studiohet ende, për të furnizuar të dhëna të besueshme.

SKEPTIKË
Kur ish fizikanti i NASA-s ka botuar projektin Nanaya, nuk kanë munguar me sa duket kritikat mes atyre që e kanë analizuar. “Është e vështirë të parashikosh nëse do të ketë tërheqje midis personave”, mbështet skeptiku Harry Reis, psikolog në Universitetin e Rochesterit në New York, “është e pamundur ta bësh duke e limituar studimin e një subjekti mbi kartë”. Dëgjohet jehona tek Paul Eastwick nga Universiteti i Texasit në Austin, që e gjykon “jo të plotë” programin e Rashiedit.

“Algoritmet për të pikasur përputhshmërinë midis personave janë në linjë teorike të matshme, por të dhënat do të mblidheshin vetëm pas takimit midis të interesuarve, e jo më parë”.

I njëjti ish-inxhinjer i NASA-s duket se nuk i fsheh duart, kur shkruan, në artikullin në ARXIV: “Dashuria është më shumë sesa një numër. Për sa mund të jesh racional dhe objektiv, mendojmë që marrëdhëniet njerëzore nuk mund të jenë komplet të përshkruara nga shifrat”. Dhe ende ka nga ata që e besojnë. Kur një mik i Rashiedit ka parë parashikimet mbi mundësitë për të gjetur dikë që do donte të impenjohej sentimentalisht me të, është “dorëzuar” duke u martuar me shoqen e vet aktuale. Tipi në fjalë është pak a shumë ekstrovert dhe takon shumë gra, por është shumë kërkues, e kështu shanset e tij për një risi, sipas algoritmit, bien në mënyrë drastike (programi i ka këshilluar të qëndrojë me gruan e tij aktuale për 7 vite të tjera, e pastaj të fillojë të kërkojë). E për atë që do të donin të dinin… Jo, Rashiedi dhe ish e fejuara nuk janë rikthyer përsëri bashkë.

Përkthimi: Bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button