Basha fton Ramën publikisht në debat televiziv: Më pas vendosin shqiptarët

Partia Demokratike ka çelur mbrëmjen e sotme fushatën elektorale në Fier, me një miting të zhvilluar në këtë qytet me mbështetësit e vet.

Basha e ftoi kryeministrin Rama publikisht në debat televiziv, ku sipas tij mund të shpalosin secili programin e vet dhe më tej do të jenë shqiptarët ata që do të vendosin me voten e tyre.

“Sonte e ftoj këtu nga Fieri për një debat televiziv me kandidatin për kryeministër të republikës së re. Edi Rama mund të shëtisë në Shqipëri duke treguar barsoleta, por nuk i çon dot 4 javë me barsoleta, eja në debat, bëj bilancin tënd, unë bilancin tim. Ti programin tënd unë programin tim dhe qytetarët të vendosin me votën e tyre. Ftesën e bëra publike, po nuk e pate dëgjuar po ta nis dhe me shkrim. Por tani do ta them unë pse nuk vjen të shpjegojë, të japë llogari. Ndonjë punë edhe e ka bërë. Unë vetë i kam parë palmat me sy, ti thua asgjë. Mijëra palma, palma dhe fasada bosh”, tha Basha.

Kryedemokrati u shpreh se në 4 vitet e fundit ka ardhur me dhjetëra herë në të gjithë zonën e Fierit, ku ka gjetur vetëm hallet dhe problemet e njerëzve të thjeshtë të shkatërruar nga varfëria dhe taksat e larta.

“Kam ardhur në qytet, në fshatra anembanë zonës së Myzeqesë me dhjetëra herë këto 4 vite, jam takuar me shumë prej jush. Na kanë bashkuar kryesisht hallet. Hallet na kanë bashkuar kur bashkë me biznesin e vogël në tregun e Fierit shikonim se të vetmit që hynim në treg ishim ne, blerës s’kishte, vetëm taksidarët me bllok në dorë. Kam takuar sipërmarrës të vegjël, në dyert e dyqaneve që rrinin bosh dhe nuk arrini të siguronin të ardhurat minimale për fëmijët e tyre. Padrejtësitë u bënë shkak për nisjen e lëvizjes më të madhe popullore shqiptare që lindi më 18 shkurt. Shqiptarët u bashkuan për t’i thënë ndal iluzionit të demokracisë, frytet i korrin vetëm një grusht politikanësh duke i lënë shqiptarët me gisht në gojë. U bashkuan për t’i thënë ndal grabitjes së vendit. Ndaj jemi këtu për të thënë shqiptarë merrni vendin në dorë me votën tuaj më 25 qershor për republikën e re, për republikën tuaj”, tha Basha.

Sipas kryedemokratit, sot më shumë se kurrë opozita është e bashkuar dhe kjo do t’i çojë ata drejt fitores së sigurt më 25 qershor, në një kohë që sipas tij pala kundërshtare është e përçarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button