Zoti është Një, politikanë ka shumë

Viti i Zotit 2017! Muaji i shenjtë Ramazan filloi, qetësia e paqa po e mbështjellin shpirtin dhe zemrën e besimtarit musliman. Ibadetet, durimi dhe sakrifica jonë do ta dëshmojnë besimin që kemi. Rastësisht ose jo, ky Ramazan po vie bashkë me fillimin e zgjidhjes së krizës së gjatë politike e cila shkaktoi aq shumë dridhje dhe paqartësi te njeriu i rëndomtë, por njëkohësisht dëshmoi se të gjithë ata të cilët pretendojnë të paraqesin veten të pazëvendësueshëm e të përhershëm, heret a vonë ballafaqohen me rrënimin e iluzioneve. I Pazëvendësueshëm dhe i Përhershëm është vetëm Zoti, Krijuesi dhe Sundimtari i botërave.

Sëkëndejmi, kujtoj se pikërisht ky Ramazan është rasti më i volitshëm për politikanët tanë që të bëjnë një rekonstruim të qëndrimeve dhe përcaktimeve që i kanë dhe nga të cilat shumë shpeshë po varet fati i njerëzve të tjerë. Agjërimi nuk e pastron vetëm trupin, ai mbi të gjitha i ndihmon mendjes. Dhe, politikanët tanë kanë nevojë urgjente t’i thërrasin mendjes!

Banaliteti i mitizuar dhe miti i banalizuar

Gjysmakët janë ata që e prishin këtë botë sepse, pa turp e pa perde, pretendojnë se dinë çdo gjë ndërkohë që as nuk e shohin dhe as nuk e kuptojnë injorancën në të cilën janë zhytur. Veprimi i pa kontrolluar i tyre në emër të njëfarë lirie të imagjinuar, në fakt, është një rrezik permanent për proceset demokratike. Në një shoqëri sikur kjo e jona, në të cilën mungesa e kulturës politike është shtresuar me vite dhe ka krijuar një traditë të dhembshme, kjo mungesë sikur gjeti tokë të pjellshme pikërisht te proceset që neve na pëlqen t’i quajmë “demokratike”.
Në vitet që shkuan, klasa jonë intelektuale dhe ajo politike bashkë me mediat dhe me institucionet arsimore heshtën kur duhej të shpjegojnë se liria nuk mund të konceptohet vetëm si mundësi për të thënë e për të bërë çka të do qejfi. Ata nuk ia qartësuan popullit rrezikun që sjellë me vete fjala e lirë që nuk përcillet me vepra konkrete, ndoshta edhe për faktin se vetë ishin të zotët vetëm për llafe boshe.

Edhe sot, kur jemi ndalur në një udhëkryq, njerëz me mentalitet fisnor e bajraktaresk po përpiqen të vendosin cilën udhë do e marrim, të pavetëdijshëm se koha e mitizimit të banaliteteve, si edhe e banalizimit të miteve, përfundimisht iku. Po fillon çmitizimi, pra proçesi i ndërgjegjësimit të njeriut të thjeshtë që po e kupton se politikanët gjysmakë që janë pasuruar mbi kurrizin e të tjerëve dhe njëkohësisht kanë kultivuar bindjen se janë të përhershëm, janë në të vërtetë vetëm një fluskë sapuni. Dikur, rapsodët shqiptarë këndonin: “ Dy luanë i ka bota, një Azia e një Evropa, Enver Hoxha e Mao Ce Duni, janë si buka e një brumi…”. Shyqyr, rapsodët e sotëm po këndojnë ndryshe.
Sido qoftë, u dëshmua sa janë të kotë kuajt e luanët, Aleksandrët e Justinianët, fontanat, kandelabrat, baroku… Besoj se njerëzit tanë të politikës do nxjerrin mësime e do e kuptojnë se çdo gjë shkon drejt përfundimit të vet, çdo gjë rrjedhë e ndryshon, një kohë të bërë harap Zoti e zëvendeëson me një kohë drite në të cilën bashibozuku do ia lërë vendin menjendriturve. Kuptohet, bashibozukët mund të jenë maqedonasë dhe shqiptarë, siç kemi shqiptarë e maqedonasë mendjendritur.

Politika s’edukohet, populli po

Politika në Maqedoni e ka përdorur popullin gjatë tërë periudhës së demokratizimit sikur një monedhë për të kthyer kusurin, herë duke luajtur në kartën kombëtare, e herë-herë besa edhe në atë fetare. Personalisht, nuk mbaj mend që ndonjë politikan a ndonjë parti ka fituar ndonjëherë votat me ndonjë program a projekt të cilit populli ia ka pa fortë e fortë hajrin. Gjysmakët dhe politika e tyre gjysmake shkaktuan dëme të pariparueshme për popullin dhe vendin, për perspektivën dhe shpresën e njerëzve të etur për ndryshime. Kjo nuk vlenë vetëm për bllokun politik maqedonas dhe vetëm për garniturën politike në ikje, kjo vlenë edhe për parti të ndryshme shqiptare dhe për njerëz që kot kanë defiluar në skenën politike shqiptare.

Përfundimisht, mbetet fakti se të gjithë ne bashkë nuk mund t’a edukojmë politikën e cila përherë kërkon dhe gjenë shteg për t’u përbiruar drejtë interesave të veta. Por, besoj thellësisht se një klasë intelektuale e zgjuar nga gjumi, mediat e reformuara e të profesionalizuara, elementi i shëndoshë fetar dhe, mbi të gjitha, një revolucion në të gjitha nivelet arsimore, mund të ndikojnë në edukimin e popullit dhe do e pengojnë që në të ardhmen të prodhojë gjysmakë. E pranuam ne ose jo, realiteti në Maqedoni është i këtillë.

Për fat, të gjithë ne kemi arrsye të shpresojmë se po vijnë kohëra të tjera që do mundësojnë jetë më të dinjitetshme për njeriun që jeton në Maqedoni, periudha e zymtësisë, e padrejtësimit dhe qasjes selektive ndaj problemeve dhe kërkesave të qytetarëve, duket se po përfundon. Por, të mos harrojmë, asnjëherë, ne po jetojmë në Maqedoni, në shtetin e çuditshëm në të cilin çdo gjë është e mundur dhe befasitë presin në çdo skutë. Nëse nuk i detektojmë dhe nuk i emërtojmë problemet dhe rreziqet, ne edhe pas njëzet vitesh do flasim po kështu, me po këtë gjuhë.
Ramazani përherë sjellë mbarësi dhe i ndriçon zemrat e njerëzve, të shpresojmë se do të ndikojë edhe në vendimmarrjen e atyre të cilëve ua kemi lënë në duar politikëbërjen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button