Koncert në fund të dimrit

Kaluan disa ditë nga koncerti madhështor i hapjes së ndërtesës së re të Filharmonisë së Maqedpnisë. Nga gjithë ai luks që shihej aty njeriu fitonte përshtypjen se jeton në kohën e Revolucionit Borgjez Francez i cili mes tjerash filloi për shkak se derisa familja mbretërore jetonte në luksin e barokut të Versajës, populli i thjeshtë vdiste për bukë. Ata që jetonin në Versajë ishin aq të shkëputur nga realiteti sa që nuk arrinin ta kuptonin pakënaqësinë e përgjithshme ekzistenciale që mbisundonte. Kështu, kur njerëzit e thjeshtë sulmuan pallatin gjatë kryengritjes, Mari Antuaneta, mbretërsha e Francës dhe bashkëshortja e Luigjit të XVI, i pyeti nëpunësit e pallatit se çfarë kërkojnë këta njerëz që kanë ardhur poshtë derës së saj. Iu përgjigjën që janë njerëz të varfër që nuk kanë bukë për të ngrënë. Atëherë Mari Antuaneta e tha fjalinë e saj legjendare që më së qarti tregon gjendjen e një personi që nuk ka asnjë kontakt me realitetin: “Epo nëse nuk kanë bukë për të ngrënë, le të hanë çokollata!”

 

E di që tingëllon e njohur si fjali, sepse e kemi degjuar edhe nga ish-ministri i financave, Stavrevski. Njëra ndër bisedat më të famshme të përgjimeve është ajo ku ai i thotë ish ministers së brendshme që kjo që bëjnë ata lidhur me marjen e kredive ndërkombëtare për të ndërtuar projektin Shkupi 2014 është jonormale. Ai përfundon me një fjali të ngjashme me atë të Mari Antuanetës por që tregon vetëdije të plotë për atë që po bëjnë: “Ne jemi të çmendur! Ne harxhojmë për çokollata e nuk kemi për bukë!”

Kështu, të dielën që shkoi shokët e partisë që sapo filloi të bjerë nga pushteti erdhën t’i hanë çokollatat në koncertin që shënonte fundin e një sundimi, apo si që do të kishte thënë Kadare, fundin e një dimri të madh dhe shumë të gjatë për ne, e për ata në fakt ishte një pranverë e gjatë dhe e hareshme. Njerëz të pispillosur kishin ardhur ta shohin rezultatin e “punës” së tyre, të dëgjojnë muzikë të bukur dhe të relaksohen nga stresi i përditshëm që ua shkaktuam ne të gjithë këto vitet e fundit, si dhe ta presin edhe një here të fundit kryesundimtarin e tyre, i cili edhe në këtë ngjarje vendosi të vonohet gjysmë ore!

Por ajo që ra në sy në këtë ngjarje ishte nervoza që shkaktuan tek disa nga mysafirët gazetarët me pyetjet e tyre direkte. Kështu, deputetja e VMROsë dhe njëkohësisht edhe ministre e kulturës (kush thotë që është kundërkushtetuese që dikush njëherit të jetë edhe deputet edhe ministër ia do të keqen Maqedonisë dhe nuk është sa duhet patriot), dukshëm u zemerua nga pyetjet e njëpasnjëshme të gazetrëve lidhur me atë se pse nuk ka pasur bileta edhe për njerëzit e partive tjera dhe për mandatarin e ri por vetëm për pjesëtarët e VMROsë. Ajo tha që biletat kanë qenë në shitje dhe se gjithkush ka mundur ti blejë. Por gazetarët e “paedukuar” i pyesnin edhe mysafirët se a kanë blerë bileta dhe sa kanë kushtuar ato dhe ata nuk dinin të tregonin. Sa e sikletshme! Por pyetja më e sikletshme për deputeten-ministre Kançevska-Milevska ishte ajo se a e njihte personin me maskë i cili u përqafua me të brenda parlamentit në të enjten e përgjakshme të 27 Prillit. Ajo u përgjigj thjeshtë: “Jo.”

Por gazetarët nuk u ndalën me këto pyetje, por iu vërsulën ditë me rradhë edhe personave tjerë të rëndësishëm. Kështu, i pyesnin me shumë insistim deputetët e VMRO-PMNE-së se pse i kanë hapur dyert e parlamentit që dhunuesit të hynë brenda. Ata thonin që nuk është ashtu. Gazetarët përsëri insistonin: “Por ne i pamë inçizimet, ju i hapët dyert. E mohoni këtë?!”. “Nuk është e vërtetë, ne nuk i kemi hapur.” thonin deputetët e kapur në flagrancë. Epo tani nuk e di kush është në të drejtë dhe kujt duhet ti besohet, fjalëve të deputetëve bashkëryerës të sulmit, apo inçizimeve të video-kamerave të parlamentit. Para fakteve edhe zotërat heshtin, kanë thënë, por disa i mohojnë siç duket duke na sugjeruar të mos u besojmë syve dhe veshëve tanë.

Ky mohim kaq i hapur i fakteve më kujton një barcoletë të njohur: Një ministër ka udhëtuar me makinë nëpër Bullgari por ka vozitur më shpejt se që duhet. E ka ndaluar polici bullgar dhe pa shumë fjalë ia ka kërkuar dokumentet, i ka thënë që ka vozitur shumë shpejt dhe menjëherë ia k ashënuar dënimin. Dënimin në atë kohe e kanë shënuar direkt në lejen e vozitjes duke bërë një vrimë tek e njejta. Pasi e ka shtypur vrimën polici, ministri i ka treguar se kush është dhe se në fakt ai ka dënuar një person shumë të rendësishëm. Polici duke mos ditur si ta përmirësojë “gabimin”, e ka rrethuar me stilolaps vrimën tek leja e vozitjes dhe ka shkruar: “Tazi dupka ne e dupka” apo në përkthim “Kjo vrimë nuk është vrimë”.

Nuk gjej dot mënyrë tjetër se si ta sqaroj këtë tendencë të këtyre personave të kapur gjersa kryejnë vepër penale të thonë që kjo që po shohim thjeshtë nuk është e vërtetë. Kështu, deputetja-ministre e kulturës me siguri ka shpërndarë përqafime falas atë ditë, me qëllim që ta ulë pak vnerin e personave që kishin ardhur të vrasin njerëz. Ndryshe nuk ka si shpjegohet përqafimi i njerëzve të “panjohur” me maska. Këta deputetët që hapnin dyer e drejtonin dhunues aty ku duhej të vrasin njerëz, nuk e di tamam çka kanë dashur të bëjnë por me siguri jo atë që shihet në kamerë. Ndërsa ata dhunuesit që të gjithë i pamë çfarë bënin, me siguri kanë qenë duke u kërkuar falje Selës, Zaevit, Sheqerinskës e të tjerëve, vetëm që ne në atë tollovi nuk arritëm t’i dëgjojmë qartë si thonë: “Më fal! Më fal bre heeej! Me fal po të them!”

Por shyqyr që e kemi gjykatën që i kupton të gjitha gjërat që ne nuk i shohim ose nuk i dëgjojmë në video-incizime. Kështu, gjyqtarja Milka Vasevska Angelovska e pa atë që ne të tjerët, njerëzit e thjeshtë, nuk arritëm ta shihnim. E pa të mirën brenda dhunuesve, e pa engjëllin brenda djallit dhe i dënoi vetëm me kusht ata që terrorizuan deputetët, gazetarët dhe të gjithë neve, ata që deshën të vrasin. Çfarë aftësie fenomenale duhet të ketë gjyqatarja që e sheh engjëllin brenda sulmuesit të Sheqerinskës dhe djallin brenda shitësit të 10 kavanozeve me ajvar të cilin e dënoi me burg pa asnjë kusht. Sa i përket djallit brenda shqiptarëve, atë e kanë pare moti gjyqatrët, prandaj demonsturesit e Monstrës morën dënime me burg prej dy vjetë e gjysmë për atë se guxuan të thejnë disa dritare të gjykatës që në bazë të dëshmisë së një dëshmitari të mbrojtur i dënoi me burg të përjesthëm 6 shqiptarë. Poashtu djallin bredna nesh gjyqtarët e pane edhe kur dënuan të akuzuarit në rasin e Sopotit përsëri në bazë të dëshmisë së një dëshmitari të mbrojtur të cilën dëshmi e kanë marë me torture, siç deklaron tani Prokuroria Spciale. Gjithkund tjetër gjyqatrët si Milka e shohin djallin, vetëm tek sulmuesit e parlamentit, organizatorët e tyre, përkrahësit e tyre dhe inspiruesit dhe urdhërdhënësit e tyre, vetëm brenda tyre shohin engjëllin me flarat patritorike të ngjyrosura me të kuqe e me të verdhë. Gjyqtarë me nam këta si Milka, se jo mahi, gjyqtarë që mendojnë se partia është mbi shtetin dhe mbi të drejtën, dhe si e tillë nuk mund të dënohet as ajo e as pjesëtarët e saj, e ku më të ngrihen pronat e saj si që është ajo torta me shllag në mes të Shkupit – kalaja e mbrojtur më fuqishëm se çdo institucion tjetër shtetëror.

Por këta gjyqtarë poashtu jetojnë të shkëputur nga realiteti, dhe si duket u ka ikur pa e kuptuar informata që shefat e tyre nuk janë më shefa, dhe ne fakt, ata tani marin urdhëra nga banditë të thjeshtë që vendin e kanë në burg. Le të shohin pak lajme dhe ti dëgjojnë gazetarët “e paturpshëm” që guxojnë ta pyesin Gruevskin kur promovon projektet e reja “A jeni i vetëdijshëm që nuk jeni më premier?!” Le të shohin këta gjyqtarë pak lajmet sepse siç duket edhe ata kanë ngecur në kohën e Mari Antuanetës dhe kanë humbur çdo lidhje me realitetin. Nëse nuk arrijnë ta shohin, aq më keq për ta, sepse vetëdijësimin do e përjetojnë brenda qelive të burgut, krah për krah me banditët të cilët ata vendosën ti mbrojnë deri në fund.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button