“IKËT”

Për situatën në të cilën na ka futur dhunshëm fati mund të flas gjithçka. Dhe, kam se çfarë të flas. Para së gjithash, dua ta shpreh pakënaqësinë për të gjitha gjërat që na i kanë kurdisur dhe për pozitën e të nënshtruarit në të cilën na kanë mbajtur për njëqind e sa vjet me radhë. Por kjo le t’i mbetet historianëve. Kësaj radhe dua të ndalem në këto ditë, kur vazhdon avazi i moçëm, kur bëhen matematika të zymta në hesapin tonë.

Edhe në pozitë nënshtruese, kurrë nuk i kam urryer fqinjët të cilët i kanë gëzuar të gjitha privilegjet e mundshme, të cilët kanë pasur plot mundësi t’i realizojnë ëndrrat e tyre, të cilët kanë mundur lirshëm të komunikojnë në gjuhën e tyre e të jenë rehat, përkundër nesh që s’e kemi pasur atë fat. Kjo  kurrë nuk bëri që t’ua mendoj as të keqen më të vogël atyre. Përkundrazi kam dashur dhe kam menduar se është e vërtetë dhe e drejtë ajo që ma thoshte gjyshi im se të gjithë njerëzit linden të barabartë dhe se secili syresh, veç e veç e vet do të përgjigjet para Perëndisë. Dhe, përsëri mendoj kështu.

Kur kam qenë i vogël, pra kur kam shkuar në shkollën fillore, kam jetuar në fshat. Atje jetohej nga bujqësia ekstensive. Dhe, i tërë fshati ynë jetonte në varfëri, i rrethuar me një pasiguri, të cilën e ndjeja edhe unë si fëmijë, por nuk e dija nga vinte.

Pranë fshatit tonë ka qenë edhe një fshat tjetër që fliste dy gjuhë të tjera, përveç shqipes. Vetëm lumi malor na ndante. Fshati ynë ishte bota jonë, makondoja jonë. Po edhe fshati tjetër ishte botë më vete, ku jetonin në lagje të ndryshme tre popuj të ndryshëm.

Jetonim në paqe, njëri pranë tjetrit, secili në hall të vet e në punë të vet.

Ndërkaq diçka e turbullonte shpesh lumin e kullaur që na ndante.

Jo rrallë në qetësinë e këtyre botëve kishte ndërhyrje brutale, kryesisht ndaj nesh, përmes milicisë, përmes poreznikëve, naçallnikëve, presednikëve  e “ikëve” të tjerë, të cilët vinin me një arrogancë thuajse ishin pronarë të jetëve tona dhe ushtronin dhunë, kryesisht në fshatin tonë dhe në lagjet e shqiptarëve në fshatin tjetër. Sa herë që vinin i fërkonin duart nga kënaqësia, sepse ata mund të bënin çfarë të donin, pa kufizime. Dhe, gjithmonë pas vetes lenin zullumin.

Me kohë shumëçka nga ato imtësira të bukura që japin shpresë, u fundos në humnerat e harresës, mirëpo poreznikët dhe të gjithë “ikët” tjerë të dhunshëm kanë mbetur të betonuar jo vetëm në kujtesën time, por edhe në kujtesën kolektive të banorëve të fëmijërisë sime . Kanë mbetur aty milicë, poreznikë, naçallnikë e “ikë”  të tjerë ashtu të mrrolur, të vrazhdë, të panjerëzishëm, të dhunshëm  dhe ende hijet e tyre shpërndajnë pasiguri e llahtar ndër ne.

Nuk e dija asokohe nga vinin këta “ikë”, kush ua jepte gjithë atë forcë që aq lehtë të enden nëpër oborret tona me ato çizmet e thella që nga gjunjët e deri te shputat dhe me pantollone ngjyrë ulliri, me gjerdanë dhjami nën mjekër e të trashë. Nuk e dija  fshehtësinë nga e cila e merrnin gjithë atë fuqi.

Me kalimin e kohës, edhe unë, si të gjithë të tjerët, e mora vesh se cila ishte çerdhja e “ikëve ishte pushteti. Pushteti që vinte ndër ne në formë “ikësh” duke ushtruar  dhunë e tmerr dhe duke përhapur bindjen se ata do të jenë mes nesh dhe mbi kurrizin tonë të lodhur deri në përjetësi.

Pas mëvetësimit të Maqedonisë na lindën shpresat se do të lindë një diell tjetër dhe se do të na hiqen qafe “ikët” e ndryshëm. Se do të na kthehet dinjiteti i grabitur, se do të jemi qytetarë të lirë. Të barabartë. Se do ta flasim lirisht gjuhën tonë të lashtë pa pengesa.

Fatkeqësisht nuk ndryshuan shumë gjerat. Shikoni se si edhe sot na sulmojnë pa kurrfarë arsyeje ushtarët partiakë të VMRO-së.

Shikoni si na kanoset nacionalizmi nga koka e politikës.

Shikoni si shpërblehet kjo politikë e urrejtjes përmes gjyqeve dhe nga Moska.

Shikojeni edhe presednikun tonë që nuk e kemi votuar, që nuk e dimë si e zuri kolltukun ku rri, një presednik që nuk don të jetë zot shtëpie për të gjithë, por do që të jetë presedniku që ushtron ashpërsi ndaj nesh, si të gjithë të tjerët për shtatëdhjetë vjet dhe si i tillë kurrsesi nuk don të na e shtrijë dorën e miqësisë, por mbahet për do floskula të përhirta të prodhuara në kuzhinat provinciale e nacionaliste dhe për çudi, për të gjitha të gjitha këto mbrapshti pritet si burrështeti me merita në Moskë.

Ky presednik  është hija dhe dytëshori i të gjithë “ikëve” të cilët kanë larë lesh mbi kurrizin tonë.

Çfarë mund të presim prej tij?

Dhe a do të ndodhë që ta shohim atë ditë kur do të na hiqen qafe “ikët” e shumtë partiakë dhe shtetërore të nacionalizmit?! Apo ata do të stolisen me kurora nga fuqitë e mëdha dhe do të vazhdojnë ta bëjnë punën e “ikëve”?…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button