Gjenevë, përfundon raundi i 6-të i bisedimeve për Sirinë, ja çfarë u vendos

Përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura, ka njoftuar se raundi i 6-të i bisedimeve për Sirinë në qytetin Gjenevë të Zvicrës ka përfunduar pa u diskutuar 4 çështjet kryesore që formojnë themelin e negociatave, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ditën e fundit të bisedimeve të raundit të 6-të të këtyre bisedimeve të cilat filluan më 16 maj në Gjenevë, Mistura ka mbajtur takime ndarazi me kryesuesin e delegacionit opozitar Nasir el-Hariri dhe me delegacionin e regjimit të Bashahr al Asadit.

Në një konferencë për shtyp pas takimeve Mistura tha se “Sot kemi përfunduar raundin e 6-të të bisedimeve për Sirinë në Gjenevë”.

Duke bërë të ditur se në bisedimet e raundit të 5-të, në Gjenevë, kanë diskutuar në mënyrë të detajuar 4 temat kryesore të përbëra nga qeveria e tranzicionit, kushtetuta, zgjedhjet dhe lufta kundër terrorizmit, Hariri ka theksuar se këto çështje nuk kanë mundur ti diskutojnë për shkak se bisedimet në raundin e 6-të kanë qenë të shkurtra.

Ndërsa Mistura është shprehur se “Në këtë raund dëshiroja të nisja procesin e takimeve të përbërë nga ekspertët. Kam kërkuar nga palët duke i ftuar të marrin pjesë në këto takime. Në këtë mënyrë ndarazi nga bisedimet kryesore kemi nisur procesin e takimeve, ku diskutohen çështjet ligjore dhe kushtetuese që kryhen me pjesëmarrjen e ekspertëve. Në këto negociata kanë kryesuar ekspertët e OKB-së. Me të vërtetë jam i kënaqur për nisjen e këtij procesi”.

Ndër të tjera pasi ka theksuar se takimet me ekspertët nuk kanë qëllim të mbushin vendin e bisedimeve të kryera me krerët e delegacioneve të opozitarëve edhe regjimit, Mistura tha se kjo kontribuon për 4 temat kryesore të takimeve.

“Nuk bëjmë planin e përgatitjes së projektkushtetutës së re”

Në fjalën e tij Mistura ka theksuar se “Me këto takime nuk kemi për qëllim planin e përgatitjes së projektkushtetutës së re për Sirinë. Kjo duhet të kryhet nga sirianët”. Ai ka shpjeguar se në raundin e ardhshëm kanë planifikuar të diskutojnë 4 temat kryesore, si dhe do të vazhdojnë njëkohësisht edhe procesin e takimeve të përbërë nga ekspertët.

“Në këtë raund ka patur fjalime të pakta, por më shumë takime pune”, është shprehur Mistura, duke shtuar se raundi i radhës do të përcaktohet pas konsultimeve me palët në mesin e muajit qershor.

Në lidhje me mos diskutimin e 4 çështjeve kryesore, Mistura ka nënvizuar se nuk kanë patur kohën e mjaftueshme për shkak se bisedimet kanë zgjatur vetëm 4 ditë, dhe se në këtë raund janë përqendruar në procesin e takimeve të mbajtura me pjesëmarrjen e ekspertëve. Ai ka shtuar më tej se 4 temat kryesore janë të detyrueshme të diskutohen në raundin e ardhshëm.

“Procesi në Gjenevë duhet të vazhdohet”

Hariri duke theksuar se përparësia kryesore në bisedimet për Sirinë është formimi sa më parë i qeverisë së tranzicionit, tha se në bisedimet e kryera kanë diskutuar çështjen e qeverisë së tranzicionit.

Duke bërë të ditur se dëshirojnë të vazhdojnë procesin politik nën ombrellën e OKB-së, Hariri në lidhje me raundin e 6-të të bisedimeve në Gjenevë, është shprehur: “Kemi kryer një raund bisedimesh që ka zgjatur katër ditë. Mendoj se këtu duhet të flitet për një sukses të pakët, por për të arritur në sukses duhet të vazhdohet procesi i Gjenevës. Sepse shumë vende kryesisht Irani përpiqen ta tërheqin në një pikë tjetër procesin politik të vendit”.

Pasi ka theksuar se regjimi sirian është pengesa më e madhe në qeverinë e tranzicionit dhe se delegacioni i regjimit ka një qëndrim të largët nga serioziteti, Hariri ka vlerësuar se “Regjimi në Siri nuk mendon për nënat, fëmijët dhe qytetet tona. Janë të gatshëm të fusin të gjitha shtetet në vend për pushtetin e tyre.”

“Uroj që OKB-ja të gjejë një mekanizëm për zgjidhjen”, është shprehur Hariri duke vënë në pah se nuk ka ndonjë mekanizëm, presion, përpjekje ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje ndaj krizës së Sirisë.

“Kemi paraqitur një dokument në lidhje me ‘rolin sabotator’ të Iranit”

Hariri ka njoftuar se kanë paraqitur një dokument në lidhje me “rolin sabotator” që Irani luan në Siri, ku ai ka shtuar se Irani ka hyrë në mënyrë jo legjitime në Siri dhe se ka dërguar dhjetëra milicë dhe ushtarë mercenarë.

“Irani ka vrarë popullin e Sirisë. Ka kryer një numër të madh masakrash. Këtë e kanë bërë për të rritur ndikimin e tij në Siri dhe në rajon. Për zbatimin e planeve të tyre nxjerrin në plan të parë retorikën sektare. Për shkak të gjitha këtyre gjërave që Irani ka kryer nuk do të ketë paqe as në Siri dhe as në rajon. Irani duhet të ndëshkohet për krimet njerëzore dhe masakrat që ka kryer”, ka theksuar Hariri.

Ndër të tjera Hariri ka shtuar se Mistura-s i kanë paraqitur edhe një dokument tjetër në lidhje me të burgosurit në Siri dhe ndryshimin e strukturës demografike, ku ka theksuar më tej se janë të gatshëm të luftojnë kryesisht me regjimin në Siri, por edhe me milicët e Iranit dhe me të gjithë organizatat terroriste duke përfshirë edhe DEASH-in.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button