Universitetet publike shqiptare organizuan manifestimin kulturor ,,Ura me tri harqe”

 Në Universitetin e Tetovës u organizua aktiviteti vjetor kulturor ,,Ura me tri harqe”, që është një projekt i përbashkët i Universitetit të Tetovës, Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Arteve në Tiranë. Sipas organizatorëve, ,,Ura me tri harqe” tanimë është kthyer në një sfidë për studentët e Fakultetit të Arteve të tre universiteteve shqiptare, në dëshmimin e talentit dhe shprehjes së vizionit të tyre mbi artin. Por, gjithashtu është edhe një mundësi për shkëmbimin e ideve dhe ndërveprimin praktik, jo vetëm të studentëve, por edhe të pedagogëve dhe pse jo edhe të publikut.

UT (6)

Në hapjen solemne të aktiviteti kulutor ,,Ura me tri harqe”, të pranishëm ishin shumë personalitete të fushave të artit nga vendi, Kosova dhe Shqipëria, në mesin e të cilëve edhe Rektori i UT-së, Prof.Dr.Vullnet Ameti, Ambasadori i Shqipërisë në vendin tonë, ekselenca e tij, Fatos Reka, Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehabi, dekanë, senatorë, profesorë dhe studentë.

Organizimit të këtij projekti kulturor, fillimisht i parapriu një konferencë e përbashkët për mediat nga tre dekanët e Fakulteteve të Arteve.  Dekani i Fakultetit të Arteve i Universitetit të Tetovës, Prof.Dr.Miftar Memeti, tha se kjo ngjarje e lehtëson edhe tejkalimin e barrierave artistike brenda kombëtare. ,,Studentët e universiteteve tona vijnë me punimet më të mira të fushave të ndryshme artistike, përfshirë këtu: artin muzikor, artin skenik dhe artin figurativ, duke performuar së bashku në koncerte, shfaqje teatrale, paraqitje filmash dhe ekspozitë. Ky eveniment kulturor, duke i bashkuar të gjitha në një vend, e lehtëson edhe tejkalimin e barrierave artistike brenda kombëtare. Me dëshirë të papërmbajtur studentët të finalizojnë eksperimentin e veprave të tyre, të cilat na sjellin përjetime dhe histori të ndryshme nga vendet prej nga vijnë”, tha Prof.Dr.Miftar Memeti.

UT (5)

Dekani i Fakultetit të Arteve i Universitetit të Arteve në Tiranë, Prof.Dr. Isak Shehu, tha se ky aktivitet tanimë ka krijuar një traditë të mirë dhe plot 16 vite ka pasur bashkëpunime të ndërsjellta dhe të njëjtat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe do të jenë edhe më të frytshme. ,,Është kënaqësi që jam një nga iniciuesit e këtij projekti, projekt ky i nisur 16 vite më parë. Bashkëpunimi ynë ka qenë shumë i mirë në të gjitha fushat, përfshirë edhe shkëmbimin e studentëve ndërmjet tyre, ndër vite i kemi ruajtur kontaktet dhe sigurisht që ky projekt ka jetë të gjatë dhe do të jetë i frytshëm për çdo gjeneratë”, theksoi Prof.Dr.Isak Shehu.

UT (4)

Kurse dekani i Fakultetit të Arteve i Universitetit të Prishtinës, Prof.Dr.Agim Selimi, deklaroi se ,,Ura me tri harqe” është një nga festivalet tepër i pëlqyer nga studentët e tri universiteteve tona. Ky festival ka një traditë e cila nuk duhet humbur. Në këto takime studentët kanë mundësi të ekspozojnë punimet e tyre, shfaqje, filma, por edhe shumë aktivitete të tjera. Është takimi më kuptimplotë dhe ky bashkëpunim duhet të rritet edhe më tepër në të ardhmen, me qëllim që përvojat dhe eksperiencat t’i ndajmë në të gjithë hapësirën shqiptare”, shtoi Prof.Dr. Agim Selimi.

UT (3)

Në kuadër të këtij aktiviteti, në holin e Rektoratit u hap edhe ekspozita me punime të ndryshme të studentëve dhe pedagogëve nga të tri universitetet. Profesoresha Jëlldëz Asani tha se ekspozita si tërësi dëshmon se këta studentë kanë kurajo të veçantë për t’i konkretizuar njohuritë e tyre nëpërmjet mediumeve të ndryshme artistike, duke premtuar një vazhdimësi në punën e tyre kreative. ,,Duhet theksuar se në shkollën e Prishtinës dominon ekspresionizmi tradicional me tendenca konceptuale, në shkollën e Tetovës mbizotëron fryma e fotorealizmit, ndërkaq Tirana kësaj radhe është e pranishme më shumë me vizatimin dhe video instalacionin. Video instalimet, ndërkaq, hapësirën e pasurojnë me përmbajtje dhe domethënie të re, duke e modifikuar përvojën perceptuese të vëzhguesit përmes intervenimit artistik në një hapësirë konkrete”, deklaroi profesoresha Jëlldëz Asani.

UT (2)

Ekspozitën e përshëndeti edhe Ambasadori i Shqipërisë, ekselenca e tij Fatos Reka, i cili projektin ,,Ura me tri harqe” e vlerësoi si një shembull tepër të mirë të bashkëpunimit mbarëkombëtar. ,,Është një privilegj i veçantë për mua që sot marr pjesë në një ceremoni të përurimit të traditës tashmë të konsoliduar prej vitesh të projektit ,,Ura me tri harqe”, që nën përkujdesje dhe nën patronazhin e Rektorit të UT-së, Prof.Dr.Vullnet Ameti, po vazhdon me sukses. Ky është një projekt shumë domethënës, sepse lidh tre universitete, Universitetin e Tetovës, Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin e Arteve të Tiranës, si dhe krijon mundësinë e shkëmbimit të ideve, mendimeve, projekteve të përbashkëta në dobi të të gjitha trevave shqipfolëse. I uroj suksese ekspozitës, si dhe të gjitha aktiviteteve që do të realizohen në kuadër të projektit ,,Ura me tri harqe”, potencoi Ambasadori i Shqipërisë, ekselenca e tij Fatos Reka.

UT (1)

Po shtu, në holin e Rektoratit u mbajt edhe një koncert me muzikë instrumentale nga studentët e Programeve studimore të Artit Muzikor nga të tre universitetet shqiptare. ,,Ura me tri harqe” vazhdon të funksionojë si ambasador i përkryer që përcjell një imazh krejt tjetër për fakultetet e arteve të tri universiteteve publike shqiptare, në spektrin kulturor, dhe njëherësh është një kontribut i vyer që e pasuron lëmin e mendimit artistik – estetik, duke u ofruar kështu krijuesve të rinj dhe artëdashësve një hapësirë të gjerë njohjeje e vlerësimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI MOBIL