Në UT u promovua libri “Dëshirat varen në yje”

Në Universitetin e Tetovës u promovua libri “Dëshirat varen në yje” e autores Kaltrina Sadiki.

Në promovimin e këtij libri ishin të pranishëm familjarë, profesorë, studentë dhe miq të autores.

Dekani i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës, prof. dr. Fatmir Sulejmani tha se në veprën e autores vërehet se ajo ka aftësi zhbirimi në të pathëna delikate shpirti.

“Krijuesja e talentuar Kaltrina Sadiki thotë se shkruan për qejfin e saj, për të thënë diçka të dobishme dhe të bukur, për ta shprehur atë që gjallon brenda kufijve të ndjenjave të fantazisë së bujshme, por të kontrolluar, e vetëdijshme se ajo që shkruhet njëherë nuk kthehet dot më. Dhe vërtet befason gjuha saj e thjeshtë poetike – filozofike, imagjinata, bota e pasur shpirtërore, dora e lehtë që shkruan vargje dhe tregime të shkurtra mbi mallin, shpresën, ëndrrat, dhembjen, vuajtjen, vetminë, dëshpërimin, pritjen, pendimin, mëkatet e pabëra, dashurinë e pamundur… Kaltrina ka aftësi zhbirimi në të pathëna delikate shpirti, nëpërmjet të cilave sfidon migjeniançe moralin, që ndër ne ka për shtyllë egoizmin dhe epërsinë e llastuar mashkullore”, tha Sulejmani.

Ndërsa profesori Salajdin Salihu tha se autorja ka krijuar një libër që reflekton bukuri e magji gjuhësore.

“Kaltrina Sadiki, studente e letërsisë, është befasi e këndshme në skenën letrare. Ka botuar shpesh poezi në gazeta e revista të kohës. Poezitë e saj janë shpërblyer me çmime letrare. Libri i saj me poezi dhe proza poetike të krijon kënaqësi të veçantë estetike. Teksa e lexon ke ndjesinë se ajo ka përvojë të madhe në artin e shkrimit, ndonëse është libri i saj i parë. Kaltrina Sadiki ka krijuar një libër që reflekton bukuri e magji gjuhësore. Ka krijuar një libër të veçantë, i cili besoj se do të ngjallë po atë kënaqësi estetike që e ngjalli te autori i këtyre reshtave. Besoj se ky libër i shkruar me shumë mjeshtëri do të receptohet nga lexues moshash të ndryshme”, theksoi doc. dr. Salajdin Salihu.

Autorja Kaltrina Sadiki theksoi se do të vazhdojë të punojë edhe në të ardhmen me shumë përkushtim, duke sjellë krijime të reja për lexuesit. Ajo njëherit e falënderoi familjen dhe profesorët e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe për mbështetjen që i kanë dhënë.

Për librin folën edhe shkrimtari Xhabir Ahmeti, si dhe profesoresha Emira Aliu, përfaqësuese e kompanisë “Adel Hoding”, kompania e cila e ka sponsorizuar botimin e këtij libri.

Kaltrina Sadiki është e lindur në Xhepçisht të Tetovës, më 1 prill të vitit 1996. Aktualisht i ndjek studimet në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës, në Departamentin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Pasioni i saj është leximi, gjë që pashmangshëm i zgjoi dëshirën për të shkruar. Ajo deri më tani disa herë ka qenë pjesëmarrëse nëpër konkurse letrare poetike për të rinj dhe gjithmonë është shpërblyer dhe vlerësuar me çmime të ndryshme letrare.

Kaltrina Sadiki
Kaltrina Sadiki

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button