E turpshme, 10 vjeçarit shqiptar në Itali i ndalohet të luaj futboll

Quhet Elias, është një shqiptar 10 vjeçar i lindur në Itali, i cili ashtu si miliona fëmijë të tjerë në botë, dashuron futbollin. Por ka një problem shumë të madh: Eliasi i vogël nuk lejohet të luajë futboll, të paktën në Itali.

 

Shkaku është sistemi ligjor italian, i cili nuk e lejon djalin shqiptar, të lindur e rritur në Itali, por pa lejeqëndrimi, që të aktivizohet me klubet në këtë vend. Ndonëse bëhet fjalë për ligat e amatorëve të nivelit të akademive, kërkohen një sërë dokumentash për t’u regjistruar në klub dhe një prej tyre është edhe lejeqëndrimi në vend, të cilin Eliasi nuk e ka ende.

Çudia qëndron në faktin se ai është lindur e rritur në Itali, vazhdon rregullisht shkollën atje dhe prej katër vitesh është regjistruar edhe në shkollën e futbollit të Luçentos. Megjithatë, këto procedura burokratike nuk e lejojnë të luajë me bashkëmoshatarët e tij, ndonëse stërvitet gjatë gjithë javës përkrah tyre.

“As nuk shkon më te fusha e lojës, rri në shtëpi të qajë. Sa herë që lexon në WhatsApp rezultatet e shokëve, nervozohet dhe më fajëson mua”, ka shpjeguar e dëshpëruar mamaja e Eliasit në mediat italiane. Familja ka punësuar një avokat, i cili ka bërë kërkesë për lejeqëndrimin për Eliasin dhe mamanë e tij me argumentimin që i jep ligji “për arsye madhore që kanë lidhje me zhvillimin psikofizik të një minoreni”.

“Është e vetmja mënyrë”, shpjegoi avokati. “Zonja jeton në Itali që nga viti 2003, erdhi këtu për të studiuar Shkenca Politike. Pastaj, në vitin 2007 erdhi në jetë Eliasi dhe ajo u detyrua të linte studimet, kështu humbi edhe lejeqëndrimin. Por ka vazhduar të jetojë në Provincën e Torinos”.

“Çdo javë është i njëjti problem”, vijon tregimin e ëma e Eliasit. “Vajza e vogël, shkon në shkollën e baletit dhe në fund të viti merr rregullisht pjesë në aktivitetet. Si mund t’i shpjegosh një fëmije 10 vjeç të lindur në Itali se nuk është italian dhe se nuk mund të luajë futboll”. Tani pritet vetëm vendimi i gjykatës, para se të mësohet nëse Eliasi i vogël do të arrijë më në fund të realizojë ëndrrën e tij për të luajtur edhe ai përkrah bashkëmoshatarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button