Bregu e Topalli shpërthejnë ndaj Bashës për protestën: Bulevardi bosh, demokratët na kanë braktisur

Ish-kryeministri Sali Berisha ishte i vetmi ndër personalitetet e larta të Partisë Demokratike, që u shfaq krah kreut të opozitës, Lulzim Basha. PD protestoi ditën e djeshme para selisë së Kryeministrisë, me qëllim largimin e qeverisë aktuale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Por ajo që ra në sy ka të bëj me faktin se deputetet më kritike të Bashës, Majlinda Bregu dhe Jozefina Topalli vendosën të qëndronin krah simpatizantëve të PD dhe jo krah Bashës. Ato kanë marrë pjesë në protestë e organizuar nga opozita, por nuk i kanë kursyer sërish kritikat ndaj shefit të tyre. Gjatë një prononcimi për mediat, deputetja Jozefina Topalli deklaroi se kishte një diferencë të madhe me Bashën, sa i takon mënyrës së të bërit opozitë, ndërsa shtoi se parlamenti është vendi ku bëhet beteja e vërtetë.

“Unë e kam thënë se kam diferenca të mëdha me Zotin Basha në mënyrën e të bërit opozitë, por sot dua të rri më këta burra dhe gra që kanë hallin e mbijetesës së tyre. Unë jam një njeri i parlamentit me eksperiencë, ku mendoj se është vendi ku thuhet dhe bëhet beteja e vërtetë”, nënvizoi ajo. Nga ana tjetër, Topalli theksoi se thellë në shpirtin e saj mbështet protestat, ndërsa shtoi se nuk përzihej me punët e partisë. Sipas saj, këto protesta të organizuara së fundmi nga opozita, do të donte t’i shikonte, gjatë gjithë mandatit katër vjeçar. “Në shpirt jam njeriu i protestës dhe këtë protestë dhe atë të 18 shkurtit do të kisha dashur që t’i shikoja 4 vite resht. Sot jam në krah të këtyre burrave dhe grave, që kërkojnë që fëmijët e tyre të kenë të ardhme. Para 4 viteve kam dhënë dorëheqjen nga forumet drejtuesve të PD dhe mbroj idetë e mia, nuk përzihem”, u shpreh Topalli.

Reagon Bregu

Ndërkohë deputetja demokrate, Majlinda Bregu, edhe pse dje ishte e pranishme në protestën, ka qenë tejet kritike. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Bregu deklaroi hapur se bulevardi dje kishte pak njerëz, ndërsa dha alarmin se PD po braktiset nga simpatizantët.

“Boshllëqet e bulevardit sot, janë një mesazh i qartë për të gjithë ata që duan të shohin e të dëgjojnë me sytë e veshët e demokratëve që sot janë më shumë se kurrë vetëm. PD nuk mund të simulojë revoltën që nuk e udhëheq dot,sepse Republika Imagjinare në një luftë imagjinare me një mazhorancë që është reale dhe e rrezikshme, nuk funksionon.

PD nuk mund të flasë me vete dhe të jetojë e mbyllur në një çadër ku vetë flet e vetë dëgjon! Sot nevoja për rindërtimin e PD-së doli në pah në sytë e shumë njerëzve dhe çdo ditë që kalon do ta bëjë më ulëritëse. Është një nevojë e PD-së, por është më shumë akoma një nevojë e Shqipërisë! Shqipëria pa PD, është një shtëpi pa dritare”, deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, Bregu shtoi se pjesëmarrja e qytetarëve në protestën e djeshme, ishte shumë larg nga ajo e 18 shkurtit, ndërsa vlerësoi edhe ish-kryeministrin Sali Berisha duke quajtur si një njeri unik. “Besoj tek kjo Parti e forca e saj për ndryshim,sepse besoj tek të gjithë ata që erdhën sot nga larg, por dhe tek ata demokratë që na qëndruan larg. Shumë më larg se më 18 shkurt. S’kanë faj! Fajin e kemi ne! Ne që nuk dallojmë qëllimet nga interesat dhe interesat nga frikërat! E kam thënë se e besoj. Sali Berisha është Një dhe nuk mund të përsëritet, as mund te kopjohet”, u shpreh ajo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button