Protesta e PD-së, Basha: Referendumi i shqiptarëve për Republikën e Re

Opozita ka nisur protestën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por për kreun e PD-së, Lulzim Basha kjo nuk është protestë, “por referendumi i shqiptarëve të Republikës së re”, njofton Top Channel.

“Sot jeni tre herë më shumë mbi 600 mijë shqiptarë në këtë shesh dhe miliona të tjerë bashkë me ne me këtë referendum historik. Më 18 shkurt, tre muaj më parë u bashkuan në këtë shesh për t’i thënë ndal keqqeverisjes, ndal drogës, ndal krimit me hile qeveritar dhe për të kërkuar medoemos zgjedhjet e lira si themeli i bashkejetesës demokratike dhe themeli i mirëqënies, i sigurisë dhe i të ardhmes europiane të kombit tonë. U bashkuan në këtë shesh për 85 ditë e 85 net me radhë shqiptarë nga gjithë Shqipëria, intelektualë, profesorë, artistë, sportistë, student, fermer, pensionist, gjimnazist, punëdhënës e punëmarrës dhe miq nga e gjithë bota që kanë qëndruar e na qëndrojnë në krah në betejën tonë të përdithsme për demokraci të vërtetë.

Ajo që nisi si rruga e bashkimit i vetmi shteg për miliona shqiptarë të shtypur, të nëpërkëmbur, të zhgënjyer, të dhunuar, të mashtruar, e të shpunësuar, ajo që nisi si shtegu i vetëm për mosdëshpërimin që kishte kapluar të madh e të vogël, demokratë e socialistë, muslimanë e të krishterë, çdo shqiptar për shkak të qeverisjes dhe shtetit të dështuar e kriminal që u shkatërroi ekonominë, që ju vrau vendet e punës, që ju shkatërroi shëndetsinë dhe arsimin, dhe ju la si rrugëdalje vetëm dëshpërimin ose emigracionin. Ajo që nisi si një kërkim thellë në shpirtrat tanë për rrugën e vetme të daljes nga gjendja e mjerë e vendit. Ajo u kthye në ballkonin më të fuqishëm të shpresës që vrau frikën anë e mbanë vendit, që ngjalli kurajon në zemrat e çdo shqiptari, që mbushi çdo shqiptar e çdo shqiptare të ndershme përmes frymës së shenjtë të besimit në Zot, Atdhe, Shqipëri e një të nesërme më të mirë për fëmijët tanë, shpresën dhe vendimin e madh për ta shporur dëshpërimin, për ta mposhtur frikën për ta përmbysur republikën e vjetër e për të ngritur së bashku të renë, të vetmen republikë të qytetarëve shqiptarë.

Ja tek jemi sot në një bashkim që nuk e ka parë Shqipëria, Ballkani, Europa e nuk e ka parë bota. Ky nuk është thjesht dhe vetëm bashkimi kundër keqqeverisjes, ky nuk është thjesht dhe vetëm marshimi kundër të keqjes, po shpallja e shpresës dhe besimit tek vetja juaj, tek familjarët tuaj e të gjithë së bashku te Shqipëria jonë. Këtu keni ardhur se besoni te republika e re, këtu nuk keni ardhur sepse besoni te një njeri, as vetëm tek një parti, sepse arritja më e madhe e këtyre tre muajve qëndresë dhe bashkim që kanë hyrë në historinë tonë kombëtare, është ripërtëritja e besimit të çdo shqiptari tek vetja e vet, ripërtëritja e besimit tek familja e vet, e të gjithë së bashku tek njëri-tjetri. Zoti na jep këtë besim, nuk ka njeri në tokë të na e marrë dhe përmes këtij besimi ka lindur shpresa që nuk vdes kurrë, shpresa dhe vendimi për Republikën e re”, tha Basha.

Ne nuk do ta njohim më Republikën e vjetër tha Basha, duke u shprehur se gjithçka duhet të ndryshojë falë qëndresës.

“Nuk jemi mbledhur kaq shumë sot për një ndryshim të vetëm, as për një ndryshim të vogël po për ndryshimin më të madh për 27 vite të historisë sonë kombëtare. Gjithçka duhet të ndryshojë dhe falë bashkimit tonë, falë qëndresës tuaj me ndihëmn e Zotit gjithçka do të ndryshojë, asgjë nuk do të jetë më si më parë.  Republika e vjetër sot shpallet objekt i arkivit të Muzeut Historik Kombëtar. Ne shqiptarët e bashkuar nuk e pranojmë, nuk e njohim dhe nuk do ta njohim më republikën e vjetër të krimit dhe drogës”, tha ai.

“Kemi thënë se zgjedhje pa opozitën nuk ka e nuk do të ketë. Zgjedhje me krimin e drogës nuk ka e nuk do të ketë. Do të ketë vetëm zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri teknike që të nxjerr jashtë kriminelët, lufton drogën e ju kthen shqiptarëve besimin dhe garancinë të vota e tyre e lirë. PD bëhet çdo ditë më e fortë e më madhe duke luftuar me ju dhe për ju për kauzën e drejt ëpër zgjedhje të lira e të ndershme. Historia na tregon se askush nuk dobësohet dhe as nuk bie nga lufta për kauzat e drejta”, vijoi Basha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button