Shenja që japin shpresë

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Përfundimisht një lajm i mirë dhe inkurajues që na jep shpresë se punët ndoshta edhe mund të marin drejtimin e duhur në këtë shtet: Arrestohen dy persona të cilët Prokuroria Publike i ndjek për veprën Vrasje në tentativë të kryer ndaj deputetit Zijadin Sela. Mësojmë se ky kualifikim është bërë sipas kallëzimit penal të ngritur nga Ministria e Punëve të Brendshme. Poashtu, pamë një fotografi të bërë gjatë arrestimit, i cili ishte bërë në orët e hershme të mëngjesit përmes njësive special policore të armatosura mirë. Përfundimisht pamë një arrestim për të qenë, që nuk ngjante me arrestimet tjera të gjertanishme ndaj dhunuesve të 27 Prillit. Poashtu, mësojmë që janë suspenduar nga puna policët që kanë lejuar hyrjen e dhunuesve në Kuvend në datën e përmendur. Nga ana tjetër, mësojmë që është janë ngrirë pronat dhe të ardhurat e Sead Koçanit, i cili vazhdon të jetë në udhëtimin e tij të famshëm “zyrtar”. Gjërat po fillojnë të marrin kahjen e duhur.

Është e tmerrshme të jetosh në një vend ku duhet të gëzohesh kaq shumë për atë se organet e ndjekjes penale e kanë kryer më në fund një pjesë të punës së tyre! Puna e kryer në mënyrë adekuate gjatë ndjekjes së krimit duhet të jetë rregull në një shtet demokratik dhe jo përjashtim për të cilin gëzohen të gjithë. Aq shumë ka humbur besimi i qytetarëve tek institutcionet e këtij shteti sa që askush nuk beson se një rast penal do ta shohë përfundimisht drejtësinë dhe se kryersit do e marrin dënimin e merituar.

Ndërsa ka aq shumë punë që duhen bërë, dhe fatkeqësisht asgjë nuk mbaron me arrestimin e dy personave që tentuan të vrasin Zijadin Selën. Në fakt ata janë vrima e fundit e kavallit sepse janë ekzekutorët, vepra e të cilëve shihet qartë në incizimet filmike të asaj nate. Ata janë peshqit e vegjël, që kapen më lehtë, sepse vepra e tyre është më e dukshme. Por drejtësia për atë që i ndodhi Selës nuk do të vendoset gjer në momentin kur nuk do të dënohen edhe peshqit e mëdhenj, ata që inspiruan kryersit direkt, ata që me muaj thirrën në përdorim të dhunës për mbrojtjen e qëllimeve të tyre partiake, ata që porositën dhe ata që organizuan kryerjen e ketyre veprave. Kjo është ana e vështirë e ndjekjes së asaj tentative për vrasje, pa të cilën drejtësia e vendosur asnjëherë nuk do të jetë e plotë.

Poashtu, le të mos harrojmë se disa ditë më parë personi që sulmoi në mënyrë aq brutale Sheqerinskën, u paraqit në Prokurorinë Publike për të dhënë deklaratën e tij. Ecja e tij prej kapadahiu, me duart në xhepa dhe cigaren në gojë, me një shoqërim joadekuat policor, na tregoi edhe një herë se si realizohet drejtësia në këtë vend. Veçanërisht kur bëhet fjalë për sulm fizik ndaj një deputeteje femër. Dështimi për të ndjekur në mënyrë adekuate personin i cili publikisht ka sulmuar fizikisht dhe ka ofenduar integritetin fizik dhe psiqik të një femre është mesazh shumë i qartë për shovinistët mizogenë të cilët sulmojnë femra çdo ditë në këtë vend. Organet e ndjekjes së krimit duhet të kenë parasyshë që mbrojtja e femrave nga dhuna e ushtruar mbi to është obligim i tyre për të siguruar një ambient të sigurtë për të gjithë qytetarët e shtetit por njëherit, edhe për të luftuar dhunën ndaj femrave që është fenomen i ndaluar dhe i ndëshkuar ndërkombëtarisht.

Nëntë personat tjerë që ndiqen penalisht për ngjarjet e 27 Prillit vazhdojnë të ndiqen për kualifikimin më të lehtë të mundshëm: Pjesëmarje në turmë e cila do ta pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrës së tij. Ky është kualifikimi më i butë i mundshëm që jepet për persona që në fakt kanë kryer terrorizëm, grushtshtet, tentativë për vrasje dhe një sërë veprash tjera. Është e tmerrshme të mendohet se këta dhunues mund të shpëtojnë me kaq. Është frustruese kur kujtohemi që personat që thyen disa dritare të Gjykatës penale gjatë protestave për rastin Monstra u dënuan me dënime me burg prej 2,5 vjetësh. Personat që thyen zyrën e Ivanovit pasi ai i dha faljet e tij të turpshme u mbajtën me muaj në paraburgim dhe sot e kësaj dite shkojnë në gjyq për veprimet e tyre. Është tallje me inteligjencën e qytetarëve fakti që dhunuesit gjatë protestave para Komunës Qendër nuk u ndoqën asnjëherë penalisht, megjithëse fytyrat e tyre ishin qartësisht të dukshme tek incizimet, dhe pastaj shumë prej tyre i pamë edhe në ngjarjet e përgjakshme të 27 Prillit. Dhe tani sërish përgjegjësia e tyre kërkohet të minimizohet dhe të kalojë pa u dënuar, që në të ardhmen këta persona të mund të bëjnë vepra edhe më të mëdha.

Për veprat e “mëdha” jepen shpërblime të “mëdha” nga njerëz të “mëdhenj”. Kështu Ivanov ndau shpërblim për Operën dhe Baletin e Maqedonisë, të cilin kishte nderin ta pranojë drejtori i këtij institutcioni, njëherit edhe njëri nga tre organizatorët e protestave të dhunshme, Igor Durlovski. Sigurisht, shpërblimi ishte për institucionin që ai drejton, por simbolika e pranimit të shpërblimit nga drejtori organizator i protestave të dhunshme është më shumë se cinik, është qejshe dhe tallje para fytyrës së qytetarëve që kërkojnë të shohin drejtësi përmes ndjekjes së organizatorëve të protestave të dhunshme e në fakt shohin se si ata marrin shpërblimet dhe çmimet më të larta shtetërore. Rrotullohen fjalë që ngjarjet e 27 Prillit janë ushtruar më herët dhe se prova gjenerale për to është bërë pikërisht në Operën dhe Baletin e Maqedonisë. Nëse kjo gjë vërtetohet atëherë do të qartësohen shumë gjëra, si për shembull pse pikërisht tani, në këtë kohë, kur Ivanov si president i këtij shteti duhet ta jape mandatin për krijimin e qeverisë, ai në fakt vendos të jape shpërblim për Operën dhe Baletin e Maqedonisë dhe për drjetorin – organizator të protestave të dhunshme. Ndërsa mandatin edhe më tej refuzon ta japë ndër pretekstin se po ruan unitetin e Maqedonisë. Shpërblen institucionin që drejtohet nga personi që është përgjegjës direkt për grushtshtet ndaj institucionit më të lartë të shtetit i cili ka dy javë që ka ndodhur, ndërsa refuzon të jape mandatin sepse do të rrezikoheshka uniteti i këtij vendi! Le ti tregojë dikush se uniteti dhe vetë ekzistenca e këtij vendi moti është rrezikuar dhe se ai është duke i dekoruar rreikuesit!

Ka aq shumë punë për tu bërë që ky regjim autoritar të bjerë. Ka aq shumë punë të rënda që duhen realizuar. Në këtë realitet, kur duhen vendosur bazat e qeversijes demokratike nuk kemi kohë për të humbur e as për ta defokusuar vëmendjen. Të gjitha institucionet shtetërore që momentalisht udhëhiqen nga shqiptarë, të cilën tani më i takojnë shumicës së re parlamentare, duhet ta kenë parasyshë këtë. Në fakt ata janë të parët te të cilët transferi i pushtetit tani më është realizuar, prandaj ata duhet të jenë të parët që do e shprehin fuqishëm angazhimin e tyre për të bërë reforma qenësore në institucionet të cilat ata i drejtonjë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP