Demokracia ja kthen goditjen Rusisë

Kriza në Maqedoni përsëri përplasi elementet pro-perëndimorë me ata autoritarë e pro-rusë. Shqiptarët duhet të jenë syçelë sepse propaganda ruse funksionon edhe në qarqe shqiptare.

Dy javë më parë, në kolumnën time të rregullt në Portalb, pata shkruar për sfidat historike të demokracisë. Teza ime ishte se kohë pas kohe ajo sfidohet nga konkurentë ideologjikë si fashizmi, nacizmi apo komunizmi. Megjithëse në pamje të parë duket e dobët, demokracia në fund arrin të mobilizohet dhe të ngadhnjejë. Ndërsa sot, në shekullin e 21-të, ajo po sfidohet nga regjime autoritare, kryesisht populizma nacionalistë, që si model dhe pikë reference kryesisht kanë Rusinë.

Dhjetë ditë më parë hordhi të organizuara nga krerët e VMRO-së, një partie populiste nacionaliste, sulmuan parlamentin dhe rrahën rëndë disa deputetë të shumicës së re. Por skenari i tyre për incidente më të mëdha, gjendje të jashtëzakonshme dhe qërim përfundimtar të hesapeve me kundërshtarët politikë fatmirësisht dështoi. Ngjarja përfundimisht mobilizoi Perëndimin që brenda pak ditëve riktheu situatën në binarë. Megjithëse beteja akoma nuk ka përfunduar, po shihet drita në fund të tunelit dhe është çështje ditësh kur regjimi përfundimisht do të rrëzohet.

Megjithëse në pamje të parë krejtësisht divergjente, dy temat kanë shumëçka të përbashkët. Në esencë viti 2017 është pika e kthesës, kur Perëndimi ka marrur seriozisht kërcënimin nga Moska dhe ka vendosur të kundërgodasë. Dhe ndryshe nga vitet e mëparshme demokracia sivjet ka shënuar një varg fitoresh ndaj populizmit nacionalist dhe ndikimit rus në botë. Mposhtja e VMRO-së është veçse një hallkë tjetër në këtë zinxhir fitoresh. Më nuk bëhet fjalë për një parti të vogël në një vend të vogël të Europës, por për mposhtje të një tjetër posti, tjetër fortikitate ruse.

Nuk do mend se vitet e kaluara regjimet autoritare në krye me Rusinë kishin shënuar një varg suksesesh. Gjithçka filloi me krizën financiare të vitit 2008. E mbushur me rezerva dhe pak e ekspozuar ndaj faktorëve që shkaktuan krizën, Rusia e kaloi atë relativisht lehtë. Ndërkohë SHBA-të nën Obamën nisën tërheqjen e ngadalshme nga një sërë problemesh botërore, duke u fokusuar te problemet e tyre të brendshme. Në të njëjtën kohë Europës ju desh të merret me bartjen e krizës tek buxhetet e shteteve të tilla si Greqia. Këto telashe dhe mbyllje në vete i dhanë hapësirë të mjaftueshme Rusisë për të shtrirë dhe rritur ndikimin e saj. Rasti më radikal gjithsesi ishte ndërhyrja ruse në Krime dhe Ukrainën Lindore, e më pas në luftën qytetare në Siri. Propaganda ruse paralelisht vazhdoi të mbështesë lëvizjet populiste anembanë botës nëpërmjet një lufte propagandiste kibernetike. I inkurajuar nga “suksesi” rus dhe injorimi i Perëndimit, modeli autoritar rus u përhap në vende tjera, në rradhë të parë në Hungari, Serbi e Maqedoni. Përfundimisht me daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe fitoren e Trampit në SHBA dukej sikur Perëndimi me institucionet e tij po gjunjëzohet dhe se regjimet si Putinizmi dhe kopjet e tij nëpër botë duhet të pranohen si realitet i ri gjeopolitik.

Si zakonisht demokracia kundërpërgjigjet mu atëherë kur duket më e dobët. Pikë kthese në luftën kundër ndikimit rus ishte fundi i vitit 2016 dhe fakti që Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane me hakimin e fushatës së Klintonit dhe Komitetit Demokratik. Por doli se fitorja e Trampit nuk do të thoshte fitore e regjimeve hibride, siç kanë shpresuar Putini dhe puthadorët e tij nëpër botë. Sapo mori detyrën Tramp u desh të përballet me akuzat për bashkëpunim me Putinin dhe nën presionin e opinionit amerikan u detyrua të shkarkojë disa funksionarët të dyshimtë, duke filluar nga gjenerali Flynn. Ndërsa nën presionin e partisë së tij, administrata Tramp shpejtë ndryshoi kursin duke marrë qëndrime gjithnjë e më anti-ruse, që kulminuan me bombardimin e Assadit, aleat i fuqishëm i Putinit. Rusia kishte kaluar vijat e kuqe, kërcënimi rus duhej marrë seriozisht dhe Rusia duhej të përgjigjet. Këtë vendosmëri të re të Perëndimit më së miri e mishëroi senatori republikan Lindzi Grehem. Në një konference sigurie në Minhen të mbajtur në fillim të vitit ai premtoi se “në vitin 2017 Kongresi amerikan do të zhdëpë në dru Rusinë” (formulimi origjinal është paksa i paturpshëm).

Në vitin 2017 populizmi nacionalist, i frymëzuar dhe ndihmuar nga Moska, morri një sërë goditjesh. Fitorja e parë ishte deklasimi i nacionalistëve në zgjedhjet në Holandë. Pasoi bombardimi i Assadit që edhe një herë i tregoi Rusisë vendin e saj në botë. Fitorja e fundit ishte zgjedhja e Makronit për president të Francës. Disa ditë më parë ai kishte përzënë mediat ruse nga kampanja e tij, ndërsa dy ditë para zgjedhjeve Rusia hakoi fushatën e tij. Me Makronin në krye mund të jemi të sigurtë se Franca po rradhitet fuqimisht pas projektit europian dhe do të jetë aleat i pakompromis në luftën kundër ndikimit rus në Europë.

Në nivel rajonal ngjarje e rëndësishme ishte parandalimi i grushtetit gjatë zgjedhjeve në Mal të Zi, akt i sponzorizuar nga Rusia. Kjo u pasua me pranimin e Malit të Zi në NATO, përkundër rezistencës së madhe ruse dhe forcave populiste në Perëndim. Test i ardhshëm ishte mbyllja e Universitetit të Europës Qendrore në Hungari. I përballur me presionin europian, kukulla ruse Orban u desh të tërheqë vendimin dhe të lejojë universitetin të funksionojë.

Në këtë kontekst duhet të shihen edhe ngjarjet në Maqedoni. Sado të duket specifike dhe unike, kriza në Maqedoni në prapaskenë ishte një tjetër përplasje gjeopolitike mes Perëndimit dhe Rusisë dhe mposhtja e Gruevskit është goditja e rradhës që Perëndimi i dha Rusisë. Zgjidhja e krizës dhe ndërrimi i pushtetit përfundimisht do të vendosë Maqedoninë në kampin perëndimor. Ndryshe nga retorika boshe njëdekadëshe e Gruevskit e Ahmetit, kursi perëndimor tani e tutje do të ndiqet me hapa konkretë.

Por beteja sapo ka filluar. Rusisë dhe regjimeve autoritare u janë dhënë goditjet e para, por çlirimi prej tyre do të zgjasë edhe pak. Ndikimi rus duhet të identifikohet dhe luftohet në çdo hap. Në ndërkohë ne shqiptarët duhet të tregohemi tejet syçelë, sepse ai nuk është vetëm fenomen sllav. Jam mëse i sigurtë se atë do t’a gjejmë edhe në qarqe shqiptare, si në Maqedoni, ashtu dhe në Kosovë e Shqipëri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button