PS-LSI shtyjnë koalicionin

Mesnata e 19 dhe 20 prillit ose përfundimi i afatit ligjor për regjistrimin e koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do ta gjejë vendin pa asnjë koalicion të regjistruar, transmeton Top Channel.

Sipas Kodit Zgjedhor, këtij afati i ka paraprirë regjistrimi i partive politike më 10 prill, proces në të cilin opozita nuk mori pjesë. Por mund të ketë ende një mundësi. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, megjithëse nuk kanë firmosur një marrëveshje të re bashkëpunimi, janë shfaqur së bashku në një kërkesë për shtyrjen e afatit jo vetëm të koalicioneve, por edhe të partive politike.

Me anë të letrës drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetarët e dy grupeve parlamentare, Gramoz Ruçi i Partisë Socialiste dhe Luan Rama i LSI-së e kanë bazuar kërkesën e tyre tek dhënia e një mundësie më shumë “për të negociuar me opozitën për të mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë  spektrit ekzistues politik të vendit në zgjedhjet parlamentare të datës 18 qershor”.

Letra e dy kryetarëve të grupeve të mazhorancës nuk përcakton se me sa ditë e kërkon shtyrjen e afatit të regjistrimit të partive dhe koalicioneve, por në të thuhet se “tejkalimi i afateve me disa ditë do të kontribuonte për të krijuar hapësira që sigurojnë një proces sa më gjithëpërfshirës”.

Kërkesa, njësoj si situata politike, është e paprecedente dhe nuk është e thjeshtë të parashikohet vendimi i Komisionit Qendror të zgjedhjeve. Por nëse KQZ-ja do të shtynte me disa ditë afatet, kjo i hap rrugë edhe përgatitjes së vizitës në Tiranë javën e ardhshme të negociatorit gjerman, David Mcallister.

Por jo vetëm kaq. Me vendimin për shtyrjen e regjistrimit të koalicioneve, Partia Socialiste dhe LSI-ja i japin kohë edhe vetes për një vendim final sesi do të paraqiten në zgjedhje, kur të shterojnë të gjitha mundësitë e dialogut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button