Shtetet nuk bëhen me flamuj partish as duke ikur

Alfons Çupaj

Alfons Çupaj

Të kam dëgjuar shpesh teksa thua, dua të ik nga ky vend, nuk mund të rris fëmijët këtu, ky vend të vret çdo ditë, ky vend nuk bëhet, ky vend është i pështirë. Të mirëkuptoj disi! E kam thënë edhe unë disa herë, e megjithëse sa herë më është krijuar mundësia për të ikur, jam tërhequr, jam zmbrapsur dhe kam vendosur të qëndroj. E pavarësisht kësaj, të jem i sinqertë, tani që po shkruaj, tangjent më kalojnë ca mendime se mbase duhet t’ia mbath edhe unë. Nuk e di nëse mund ta quaj turp, apo sjellje e natyrshme të një njeriu që kërkon një jetë më të mirë. Por ajo që di me siguri është arsyeja e vendimit tim. Reflektova dhe kuptova se për çdo gjë jam fajtor unë, ti, ne, të gjithë. Kuptova se pikërisht ata që ikin me pretekstin se në këtë vend nuk jetohet, por që nuk bënë asnjë përpjekje për ta bërë të jetueshëm, që nuk thanë një gjysmë fjalë, ata janë përgjegjësit kryesorë për vështirësitë që po kalon Shqipëria.

Po çfarë shembulli mund të japë një njeri që ia mbath në demokraci? Mendoj se jemi fajtorë të gjithë. Kemi faj sepse ne heshtim, fshihemi, ja mbathim nga sytë këmbët. Nuk ngrihemi, nuk rezistojmë, nuk luftojmë, por pranojmë të mposhtemi. Por edhe në rastet kur rezistojmë, dorëzohemi shpejt, mbyllim gojën si frikacakë, fundosemi vetëm me një humbje. E pabesueshme! Një humbje na dekurajon, na mposht, na zmbraps?! Ne ikim, sepse jemi të pazotë, të dobët, të mekur, të sfilitur. Mos vallë ikim sepse nuk na ftojnë të rrimë?! A thua se kombet e qytetëruara u bënë duke ia mbathur?! A thua se në Perëndim nuk kishte varfëri, korrupsion, dhunë, nepotizëm, mungesë infrastrukture, fodullëk, kriminalizim të politikës, analfabetë elitarë? Sigurisht që kishte. Mbase edhe më shumë se në Shqipëri. E megjithatë, ata vendosen të qëndrojnë, të rezistojnë, të luftojnë dhëmb për dhëmb, të shtypen, të dhunohen, të burgosen, të poshtërohen, por as që e menduan të dorëzohen. Ata edhe kur ia mbathin, ikin për t’u rikthyer. Më të fortë, më të vendosur, më të përgatitur, më të shkolluar. Me ide të qarta, me qëllime konkrete. Kthehen për të bërë ndryshimin. Sjellin me vete progresin, modelin, formën, përmbajtjen. Ata duan vendin, jo politikën! Duan kombin, jo kryetarët e partive! Duan atdheun, jo ofiqet, postet, punët e pandershme, notat fiktive, diplomat false, ngritjet e pamerituara në detyrë! Refuzojnë retorikën absurde dhe konfliktuale të politikës, medias dhe të ashtuquajturës shoqëri civile. Ata edhe kur ikin, e bëjnë vetëm fizikisht.

Ne harrojmë se nëse e trajtojmë një vend ashtu siç është, ai do të mbetet i tillë përgjithmonë. Nëse themi se këtu nuk jetohet, më siguri që vështirësitë do shtohen, derisa të na mbysin vërtetë një ditë. Mesa duket kemi harruar anën tjetër të medaljes. Unë besoj se nëse e trajtojmë Shqipërinë, ashtu siç duhet të jetë dhe mund të jetë, atëherë edhe vendi ynë mund të bëhet ashtu siç duhet dhe mund të jetë. Nuk po e them unë i pari, e ka thënë Johann Wolfgang von Goethe, disa vite më parë. Po si mund të ketë progres, nëse nuk luftojmë? Si mund të ecim përpara, nëse tërhiqemi? Si mund të fitojmë, nëse zmbrapsemi? Si mund të mposhtim diskursin banal dhe fyes, kur bëhemi pjesë e tij? Si mund të avancojmë kur ia mbathim? Ne ikim sepse na shkelin, por u vëmë këmbën në fyt kolegëve tanë. Ne ikim sepse nuk na pëlqen kur shpifin, por nuk lëmë gjë pa thënë për tjetrin. Ne ikim sepse nuk ia dalim, por nuk bëjmë përpjekje për triumf. Ne ikim sepse jemi të varfër, por nuk i ndihmojmë ata që po vdesin për bukë. Ne ikim sepse shteti, eprori, punëdhënësi na i shkelin të drejtat, por nga ana tjetër shkelim me të dyja këmbët ata që kemi poshtë vetes. “Pushteti nuk jep asgjë nëse nuk i kërkohet. Kurrë nuk ka dhënë e as kurrë nuk do të jepe”, thotë Frederick Douglass.

Unë mendoj se e kemi për detyrë që Shqipërinë ta bëjmë më të mirë sesa e gjetëm kur erdhëm në jetë. E kemi për detyrë ta përmirësojmë, ta bëjmë më të jetueshme. Nuk mund t’i ikim kësaj përgjegjësie dhe as të rrimë gojëkyçur. Në fund do të kujtohemi për çfarë kemi bërë, ndaj duhet të shfrytëzojmë mundësinë që na është dhënë. Ata që rrinë neutral në raste krizash, apo që nuk reagojnë, janë po aq fajtorë sa ata që i shkaktojnë krizat. Heronj të vërtetë janë ata që rrinë dhe luftojnë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI MOBIL