Jonjeriu dhe bota ndërgjegjefjetur

“Regjimi i Asadit dy ditë më parë bombardoi qytezën siriane Han Shejhun të Idlibit me armë kimike, ndërsa shumë civilë humbën jetën, një pjesë e madhe, fëmijë. Pak orë pas sulmit me armë kimike, regjimi ka bërë një tjetër bombardim. Këtë herë shënjestër e tij ishin spitali ku ndodheshin të plagosurit si dhe qendra e ekipeve të kërkim-shpëtimit.” Ky është një nga raportimet mediale për krimin e radhës në shiritin filmik të djallëzive asadiane, në tokën e Levantit legjendar, që sot është shndërruar në skenë apokaliptike. E gjithë kjo ndodh në shekullin XXI, në kohën kur besonim se do të vijë një gjendje e re në skenën ndërkombëtare, kur besonim në një milenium të ri, në leksionet e mësuara nga historia. Rreth tre dekada pas rënies së komunizmit, pas fitores së liberalizmit, para syve të “botës së civilizuar”, sirianët mbulohen me buldozerë dhe vriten barbarisht, mjanmarasit kallen masovikisht si të sihin drunj, masakrohen irakienët nga përfaqësuesit e fraksionerizmave të ndryshme…

Ndodhitë makabre në katër cepat e botës, në veçanti ato në Lindjen e Mesme, si të përmendurat më sipër, por edhe të tjerat na shpien në një konstatim tepër deprimues. Jo asgjë s’ka ndryshuar për mirë. 11 Shtatori, Gaza, Breiviku dhe Utoja, shpërthimet nëpër metropole, pranvera arabe me ndryshimet formale dhe shembullin më eklatant të degradimit human, ISIS, Siria dhe “Esedi” (leximi i drejtë i Asadit) njeribisha, “Luan” (ky është kuptimi i emrit Asad/Esed) njerikafsha, “president” jonjeriu, gjenocidi i budizmit burmas (fëmija i ndezur për së gjalli në gomë veture, koka të përdhosura me trutë jashtë, femra të përdhunuara në mënyrë, jeta në kampe të përqendrimit) apo “pastrimi etnik i sponsorizuar shtetëror” mjanmaras (The New York Times) na bëjnë të vërtetohemi se njeriu dhe bota po ndryshojnë për keq. Njeriu i sodit po largohet nga thelbi i vet, nga vlerat, nga etika, nga moraliteti, ndërgjegjen e ka të vdekur.

Kur jemi te morali, ekzistojnë tre qasje lidhur me ardhmërinë tonë në përgjithësi dhe etikën në veçanti: optimiste, pesimiste dhe e mesmja. Sipas asaj pesimiste, në të ardhmen morali do të dobësohet vazhdimisht në domethënien e përmendur dhe në fund do të zhduket tërësisht. Faktorët negativë të proceseve bashkëkohore do ta shndërrojnë njeriun në kafshë. Ai do të shndërrohet në qenie instinktive, agresive dhe egoiste, e cila do të synojë t’i plotësojë me çdo kusht të gjitha dëshirat e veta, pa pasur konsideratë për të tjerët. “Njeriut” të tillë, natyrisht, s’i pëlqen morali, ai nuk do të ketë aftësi për vetëdije morale, për brejtje të ndërgjegjes. Do të pasojë anomi e përgjithshme morale. (R. Lukić)

Ja këtu jemi, mu aty, te skenari i dytë, pesimist. Si t’i shpjegosh barbarizmat që i vërejmë ditëve të fundit në Han Shejhun të Sirisë ku u përdor armatimi kimik, ku u sulmuan spitalet dhe fëmijët, ku Asadi edhe një herë na bindi sa ka dalë prej lëkurës së të qenurit njeri, se është një kanibalist i vërtetë, se është një i pashpirt, një nekrofil në kuptimin e parë, që nënkupton rastin patologjik të njeriut që vuan nga fascinimi obsesioni nga vdekja, trupat, kufomat. (Nekrofilia ka edhe kuptimin pervers, frojdian, të pasionit për të pasur kontakt intim me të vdekurit). Njerëzit që bëjnë sulme të tilla joselektive, që targetojnë civilë, shpirtra fëmijësh e të sëmurësh nuk mund të jenë as arabë, assesi muslimanë, në asnjë mënyrë njerëz. Të gjitha përkufizimet për këto kategori e përjashtojnë Asadin dhe parinë e tij kriminogjene – që është shndërruar në makineri vdekjesh që e bën të turpërohet çdo njeri normal – nga të qenët njeri. Vampiri i Lindjes së Mesme edhe një herë dëshmoi se e keqja do të ekzistojë sa të jetë njerëzimi, sa të ketë jetë e mot. “Fenomeni” i këtij dexhalli apo antikrishti nxori në pah edhe një gjë: papërgjegjësinë dhe pandërgjegjshmërinë e politikës ndërkombëtare e cila është e ngarkuar me detyrën për të ruajtur paqën globale, për të mbrojtur njeriun dhe të drejtat e tij (R2P-Responsibility to Protect). Pesë vite luftë, vërtitje në vend, indolencë, taktizime, pafytyrësi dhe në fund, një atak me Tomahawkë me urdhër të një figure kontradiktore të politikës globale: Donald Trump. Më mirë vonë se kurrë. “Për interesa”-thanë. Në rregull, po ata që s’bëjnë gjë? Dhe nga antitrumpizmi zgjedhor te simpatia e çastit tek ata që s’pajtohen me krimin.

Është koha për përllogaritje qytetërimore, për hesap me veten. Edhe për myslimanët. Si arriti bota islame madhështore e dikurshme që ka dhënë figura si Averroesi, Avempace, Gazaliu, Avicena, Ibn Halduni të “prodhojë” jonjerëz si Asadi dhe “tajfa e tij”. “Jo po s’është mysliman, është nusajri”, “është alevit arab”–  do ia befë dikush. “Nusajri, musajri”, s’ka lidhje, përreth vetes ka edhe “myslimanë” që e dëgjojnë dhe bëjnë atë që bëjnë. Bota islame, e turpëruar. Edhe një herë e kemi thënë: “Botë islame s’ka”. Është një bashkësi e imagjinuar – siç do të shprehej Benedict Anderson. Në këtë jemi vërtetuar qëmoti. Bosnja: një krënde s’u lëviz politikisht nga kjo “botë e letrës”. Turkistani. Mjanmari tani, Siria para syve. Në Lindjen e Mesme, në mes të oborrit arabo-islamik dhe asgjë.

Pyetja që shtrohet është kjo: Si t’i gjendet këtij faraoni një Musa, si të ndalet ky lider psikopat, ky tip maniakal, ky terrorist që 162 herë ka përdorur armë bërthamore, që deri tani ka shkaktuar vdekjen e mbi 500 mijë njerëzve, që 13 vjeçarit Jusuf Mazin ia mori 19 anëtarë të familjes. Ka më keq?

Një gazetare arabo-izraelite me të drejtë në një emision televiziv në mënyrë plastike dhe pa dilema, qartë tha se bëhet fjalë për një hollokaust, për gjenocid. Ajo sfidoi pasivitetin arab dhe gjithënjerëzor: “Rrimë duke mos bërë asgjë” (standing by and doing nothing) kur në çdo orë fëmijët masakrohen, …takime të Këshillit të Sigurimit, hipokrizi, turp për faktin që pjesa paqëdashëse e njerëzimit është irrelevante, edhe një herë.” Tamam dhe me vend e kishte edhe citimin: “Vërtet, bota nuk do të shkatërohet nga ata që bëjnë keqësi, por nga ata që i shikojnë të prishurit pa bërë gjë prej gjëje” (Einstein) Jonjeriu do të jetë në skenë në Lindjen e Mesme përderisa ka “Arabistan” pa vela, “ummah” vetëm in potentio dhe botë ndërgjegjefjetur. Ta mbyllim me porosinë nga pllakata e mbajtur në dorë nga një grua pjesëmarrëse në një protestë lidhur me gjenocidin aktual në Mjanmar: “Your silence equals complicity!” (Heshtja juaj është e barabartë me bashkëfajësinë!)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button