Paranoja e rrezikshme e pushtetit

Pushteti është i poshtër, sepse u jep krahë pasioneve të mbrapshta të njeriut: dëshirës për të qenë Zot, manisë së sfrutimit dhe gllabërimit të të gjitha të mirave të kësaj bote, frikës për humbjen e privilegjeve, bjerrjes së besimit edhe te të afërmit dhe bashkëmendimtarët, instinktit shtazarak për të eliminuar kundërshtarët politikë, makthit të shkaktuar nga armiqtë imagjinarë nga jashtë e nga brenda, idesë së pavdekshmërisë së manifestuar me ngritje monumentesh si puna e piramidave egjiptase apo Shkupit 2014-të e hajt bir.

Këto janë arsyet përse historia njerëzore, e nisur me aktin morbid të një vëllavrasjeje… është një përsëritje që përsëritet përsëri. Prandaj, janë të kota përpjekjet për të ndërtuar kierarkinë e tiranëve dhe krimeve monstruoze të përjetuara nga njerëzimi, sepse janë të shumtë luciferët që meritojnë të quhen sinonimë të tiranisë dhe xhehenemit.

Para një kohe, tek po lexoja një shkrim mbi tiranët, më tmerruan krimet e Pol Potit. Ai sundoi Kamboxhian me teh thike, duke e kthyer popullin e vendit të tij në skllevër, madje duke ushtruar gjenocid të tmerrshëm mbi ta.

Mjeshtria e tij qe ndarja e familjeve, puna e rëndë fizike, vuajtja për bukën e gojës, detyrimi i të burgosurve për të ngrënë gjymtyrët e të afërmve, jashtëqitjet dhe urinën personale, torturat çnjerëzore, varrjet, ekzekutimet pa gjyq, mbytjet me çekanë, djegiet në gropa gëlqeresh, varrosjet e njerëzve të gjallë…

Kupola e kmerit të kuq e shpërfaqte mizorinë me moton: T’i kursesh njerëzit nuk ka asnjë dobi – t’i eliminosh nuk sjell asnjë humbje, pos plumbit që shkon dëm

Mjerisht, Pol Poti nuk qe as diktatori i parë as i fundit që shfarrosi miliona njerëz të pafajshëm për shkak të paranojës së pushtetit. Paraardhësit dhe pasardhësit e tij ishin dhe janë po aq kanibalë, që nga: Dionisi i Sirakuzës, në dhomën e të cilit nuk guxonin të hyjnë dot as bijtë e tij; Commodo, që e pandehte veten për perëndi dhe vriste fatkëqinjtë për pikë qejfi; Kalifi i Egjiptit -Al Hakimi, që u vetëshpall Allah dhe preu shumë koka të krishterësh, hebrenjshë dhe muslimanësh sunni; Tamberlani i Madh, që ndërtoi në Bagdad 120 kulla me kokat e kundërshtarëve të vrarë; Sulltan Selimi, që dëboi babain, vrau dy vëllezërit dhe preu kokat e shtatë vezirëve; Meri Tudori e Anglisë, që digjte “heretikët” në turrë drunjsh; Josif Visarionoviç Zhukashvili – Stalini, që likuidoi mijëra kundërshtarë politikë, përfshirë në këtë mes edhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë; Adolf Hitleri, që shfarrosi 6 milionë hebrenj dhe u bë shkak i luftës në të cilën vdiqën mbi 50 milionë njerëz; Francois Duvallier – tirani i Haitit, që pushkatoi mbi 30 mijë vetë… e gjer te Augusto Pinoçeti, që likuidoi mijëra qytetarë kilianë, SllobodanMillosheviqi, që kreu gjenocid të paparë mbi boshnjakët dhe shqiptarët e Kosovës; Bashar al-Assadi, që shfarros popullin e tij me helme kimike apo lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un, që e hodhi dhe xhaxhain në kafazin me 120 qen të uritur.

Pas kësaj ec e thuaj se xhehenemi i kësobotshëm i takon së shkuarës, kur ai rishfaqet sa herë që bën bosh n’trurin e kopeve të përgjumura, që kanë për mbrojtje utopiken: Bane Zot andërr!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button