Masalla n’shkallë – shëndeti n’ballë!

Kjo puna e kastrab.thjes së raporteve ndëretnike në vendin e çudirave i shkon më shumë një fermeje të mbushur me malukat të shumëllojshëm, disa prej të cilëve janë më të pamarrur vesh, më të sertë në surrat dhe më të pistë në llaçkë, kurse disa të tjerë më shpirtrobër dhe më naivë. Të parit synojnë qorras dominimin ndaj të tjerëve, sepse nuk kanë takat truror për ta kuptuar tmerrin e humnerës drejt së cilës marshojnë kopeas, tok me viktimën potenciale. Me gjasë, vetëm në rrethana ferme kurkushët, liliputët, micirukët…, synojnë epërsi ndaj tjetrit, nuk e ndjejnë problemin e tij, përpiqen ta satanizojnë atë, ta prangosin në kampe përqëndrimi, t’ia drobitin eshtrat, ta përzënë nga strofulla, t’ia shkurtojnë gjuhën, t’ia ndajnë kokën nga trupi, ta djegin në komora gazi,  ta shfarrosin, ta shuajnë, ta zhbëjnë nga faqja e dheut.

Shikuar nga prizme marsianësh kjo duket e pamundshme, duke pasur parasyshë përmasat e shtatit dhe shpirtit të të tebdilosurit në superfuqi despotike, por, nga ana tjetër, kush nuk e di se distanca prej pëllitjes kanosëse për pjekjen e tjetrit në hell gjer te ngrënia e tij është inegzistente.

E gjithë kjo i ngjanë skenarit të mbështetur në përrallën që bën fjalë për miun, gjelin, lopën dhe zonjën rrospi, që e hiqte veten si pronare e të gjithëve.

Po e rrëfej pra:

Në një stallë fshati të katandisur mjerimesh, rrinin bashkë miu, gjeli dhe lopa. Herë pas here, aty pari vërdallisej dhe një gjarpër. Ata bënin jetë shtazërishte, por, edhe përkundër të dhënës se njëri hiqej më i madh e tjetri dukej më i vogël, njëri vetëquhej urtak e tjetri konceptohej si egërsirë, njëri përkëdhelej si kafshë shtepie e tjetrit i mohohej tapia e shtëpisë…, ia dilnin të jetojnë disi. Fundja kështu kishin mbijetuar me shekuj nën thundra dinozaurësh gabzherrmëdhenj. Por, një ditë prej ditësh, rrospia, pa ndonjë shkas konkret, vendosi ta kapë miun në një kurth me formë kafazi, të cilin e vendosi pas derës së stallës. Kur e pa miu, u mërzit shumë dhe kërkoi ndihmë nga gjeli e lopa:

  • Më ndihmoni ta hedh tutje këtë kurth, sepse jemi bashkëstallas den baba den!
  • Kjo s’ka të bëjë me ne, iu përgjigjën fqinjët. Si e bëfsh e hjeksh!

Miu e la me kaq, i vendosur të qëndrojë larg kobit çekan mbi krye, që e joshte me një copë të vockël djathi.

Natyrisht, rrospia që shtirrej si nënë e të gjithëve, e kontrollonte kohë pas kohe kurthin, në të cilin një ditë u fut dhe e hëngri me kripë speci një gjarpër kureshtar. Duke menduar se në kurth është miu, ajo e futi dorën brenda dhe u kafshua për vdekje.

U bë gjëmë e madhe. Rrospia po vdiste. Gjelin e bënë supë si ilaç shpëtimi, kurse lopën e poqën në zgarë pas ceremonisë mortore të së ndjerës.

Masalla n’shkallë, shëndeti n’ballë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button