Kongresi Amerikan ndryshon rregullat e privatësisë së internetit

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka pranuar projektligjin i cili anulon “rregullat lidhur me ruajtjen e sigurisë së të dhënave personale në internet” të cilat ishin miratuar nga Komisioni Federal i Komunikimit (FCC) në ditët e fundit të mandatit të presidentit paraprak amerikan, Barack Obama, raporton Anadolu Agency (AA).

Projektligji i pranuar në Dhomën e Përfaqësuesve me 205 vota kundër dhe 215 pro, prek rregulloren e cila ishte në favor të përdoruesve për sa i përket sigurisë së të dhënave personale në internet dhe parandalonte në masë të madhe mbledhjen dhe shitjen e të dhënave nga përdoruesit pa leje.

Kjo rregullore, e miratuar nga FCC në ditët e fundit të mandatit të Obamas e cila ende nuk ka hyrë në përdorim, do të largohet në rast se projektligji në fjalë nënshkruhet nga presidenti amerikan Donald Trump dhe ligjësohet.

Projektligji u pranua javën e kaluar edhe në Senat, kurse pritet që së shpejti të jetë në tryezën e presidentit Trump. Nga Shtëpia e Bardhë kanë deklaruar se projektligji në fjalë do të nënshkruhet nga Trump.

Republikanët, duke mbështetur projektligjin, kanë theksuar se rregullorja e nënshkruar nga FCC ka shënjestruar dhe kufizuar furnizuesit e internetit brezgjerë (broadband) si AT&T dhe Verizon, ndërsa nuk ka prekur kompanitë si Facebook dhe Google të cilat mbledhin të dhënat personale të miliona përdoruesve.

Nga ana tjetër, Demokratët dhe disa Republikanë që janë të mendimit se projektligji i ri është hap i gabuar, theksojnë se mbledhja e të dhënave personale mund të minimizohet përmes cilësimeve në kompanitë si Facebook dhe Google, por, sipas tyre, ndryshimi i furnizuesit të internetit brezgjerë është gjë shumë më e vështirë.

Ndërkaq, projektligji ka shkaktuar që në opinionin publik amerikan të ngritet pyetja nëse siguria e të dhënave personale në internet ndodhet nën rrezik. Po ashtu, thuhet se me nënshkrimin e tij debati do të nxitet edhe më shumë ndërsa Republikanët do të jenë të detyruar të bëjnë hapa prapa.

Në mediat amerikane, ndërkohë, janë plasuar lajme ku thuhet se më të lumtur nga ky vendim janë kompanitë e mëdha si AT&T dhe Verizon, duke vënë në pikëpyetje afërsinë e tyre më administratën Trump.

Ende nuk dihet se kur dhe në çfarë mënyre do të bëhet rregullimi i ri në lidhje me sigurinë e të dhënave personale në internet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button