Nuk mund të ketë qeveri të re por me mendësi të vjetër! 

Përgjigje për tekstin e publikuar në gazetën Dnevnik nga Mariela Trajkovska.

Për hir të opinionit publik maqedonas po u drejtohem me këtë tekst si përgjigje për ta paraqitur anën tjetër, anën e vërtetë të medaljes, të koalicionit të tri partive politike të quajtur Aleanca për Shqiptarët, dhe jo ajo që paraqitet si lajm nga ana e gazetës Dnevnik. Teksti i gazetares Mariela Trajkovska përfshinë një qëllim dhe cak shumë dimenzional, por përgjigja ime nuk do të jetë as propagandistike dhe as diplomatike, por informim i drejtë i opinionit publik me lëvizjet më të reja në politikën e përgjithshme në këtë shtet, dhe roli i veçantë i koalicionit Aleanca për Shqiptarët. Që të kuptohen lëvizjet e brendshme të Aleancës për Shqiptarët, lexuesit duhet të kenë informata të mjaftueshme për ta kuptuar rolin dhe momentin historik ose historikun e themeluesve dhe përkrahësve të kësaj Aleance.

Aleanca për Shqiptarët nuk lindi si dëshirë ose ambicie personale për karrierë ose pozita të reja për disa individ, por si nevojë e momentit historik të dëshirës së shumicës të elektoratit shqiptar, për një ndryshim radikal gjithpërishirës të pozitës shqiptare në Maqedoni. Për këtë arsye, nga ana e liderëve dhe përkrahësve të Aleancës për Shqiptarët mund të gjeni vetëm njerëz të cilët janë të dëshpëruar nga politikbërja e deritanishme e pozitës shqiptare dhe maqedonase ku për 11, ose 13 vite në qeveri nuk arritën gjuhë të përbashkët të realizojnë nevojat elementare të qytetarëve shqiptar, ku në një vend tjetër demokratik që moti do të ishin përmbushur dhe do të ishin burim energjie për plane dhe programe të reja për të ardhmen e qytetarëve, e jo burim i konflikteve më primitive dhe negative. Në të njëjtën kohë, formimi i Aleancës për shqiptarët duhet të shihet edhe si pakënaqësi ndaj opozitës shqiptare e cila me dekorin e saj dhe propagandën boshe, më shumë i ka shërbyer këtij pushteti sesa të luaj rolin e saj real e cila i takon një opozite, si përmirësues i pozitës dhe përparim të proceseve.

Në Aleancën për Shqiptarët ekzistojnë bisedime, diskutime, pajtueshmëri si dhe kundërshtime, për realizimin e platformës kombëtare dhe qytetare, për t’u gjetur forma dhe metoda më e mirë për bashkëpunim në mes partive politike shqiptare dhe atyre maqedonase. Në Aleancën për Shqiptarët ka bisedime dhe diskutime si të arrihet më lehtë pajtueshmëri dhe marrje të përgjegjësisë nga ana e faktorit maqedonas dhe shqiptar për zgjidhje, të cilët disa politikan shqiptar dhe maqedonas nuk e zgjodhën me dekada. Për shkak të kësaj, të gjithë të interesuarit për zhvillimet brenda Aleancës për Shqiptarët, së pari duhet të interesohen me zhvillimin pozitiv të proceseve që i imponon koha dhe moment, e jo me individ të cilët për arsye subjektive apo objektive mund të largohen apo të vijnë te Aleanca për Shqiptarët. Shqiptarët dhe Aleanca janë këtu, nuk ka ku të ikin ose të fshihen, dhe nuk ka pse të turpërohen nga dëshira e realizimit sa më të shpejt të sundimit të ligjit dhe barabarësisë. Prandaj për Aleancën, në veçanti për RDK-në, që ju me qëllim i jepni pronësi se është e Vesel Memedit, insinuatat paushalle të qëllimshme për lidhje, aleanca, shoqërim, me njerëz të BDI-së, Besës, PDSH-së ose të lidhur ngushtë me VMRO ose LSDM, janë absolutisht inekzistente. Kjo politikë është iluzion dhe utopi sepse asnjë prej shqiptarëve nuk mendon të lejoj një luks të tillë që një shqiptar të bëjë pazare individuale mbi interesat kombëtare. Do të mbetet një dëshirë dhe iluzion i njerëzve të cilët gjithmonë kanë shfrytëzuar momentet historike që të fitojnë karrierë mbi gërmadhat e popullit të tyre. Për Aleancën për shqiptarët, sidomos për RDK-në, nuk ekzistojnë partner strategjik dhe lider të pavdekshëm, por ekzistojnë vetëm grupacione politike dhe personalitete që merren me politik dhe që e njohin mirë momentin dhe nevojat e qytetarëve që duhet zgjidhur me dialog të nivelit të lartë të cilin e imponon koha moderne. Çdo veprim tjetër politik është vetëvrasje për këta grupacione dhe lider të pavdekshëm, të cilët vetëvriten për shkak të papjekurisë dhe mos hapërimit me kohën.

Aleanca për shqiptarët, sidomos RDK, ka një ofertë publike për të dy grupacionet politike maqedonase. Mos bëni populizëm politik me anëtarësinë tuaj, por dilni publikisht dhe pranojeni me lehtësi barabarësinë e shqiptarëve në këtë shtet, sepse ky është opcioni i vetëm i cili pranohet nga bota e përparuar demokratike. Apelojmë deri te grupacioni politik i VMRO-së, që të mos nxis gjuhën e konfliktit dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve, por të merr guxim dhe përgjegjësi dhe të deklarojnë publikisht se është e gatshme të pranoj deklaratën e partive politike shqiptare, e cila gjithashtu është e pranuar nga grupacioni politik i LSDM-së, dhe të dyja të marrin përgjegjësi për realizimin e kësaj deklarate, sa më shpejtë që është e mundur. Vetëm në këtë mënyrë do të ketë kuptim inati ose mosgatishmëria e transferimit të qetë të qeverisë grupacionit të ri politik i cili ka 67 nënshkrime. LSDM duhet të ofroj një kundër ofertë për VMRO-DPMNE, duke iu përgjigjur ofertës për qeveri të pakicës ofruar nga kjo e dyta, të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë, nëse deklarohet publikisht se pranon deklaratën e plotë të partive politike shqiptare. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të ndalohen lojërat me emocionet e anëtarëve të partisë në emër të ruajtjes së shtetit.

VMRO-DPMNE duhet të kuptoj sa më shpejt që është e mundur se pas 11 viteve në pushtet, nuk ka mbështetje as nga qytetarët shqiptarë dhe as nga ai maqedonas, por as nga faktori ndërkombëtarë, që të vazhdoj të qeveris vendin me qeveri të re dhe me mendësi të vjetër, duke ngjallur dhe ringjallur konfliktet e vjetra dhe aleancat e dështuara. Koha në të cilën jetojmë kërkon njerëz të kalitur në të kaluarën për të bartur përgjegjësi në të ardhmen, që sado pak kanë mësuar nga gabimet e veta për të mos I përsëritur asnjëherë në të ardhmen. Udhëheqja e shtetit u takon vetëm atyre grupacioneve të cilët janë të gatshëm të ecin me kohën, e jo atyre që i kthehen të kaluarës. Ata mund vetëm të ëndërrojnë se mund ta kthejnë rrotën e historisë pas!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button