Kryeministrat në Sarajevë në kohën e tensioneve në Ballkanin Perëndimor

Samiti i kryeministrave të Ballkanit Perëndimor ka nisur në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës dhe mikpritësi, kryesuesi i Këshillit të ministrave, Denis Zvizdiq ka mirëpritur mysafirët e lartë, njofton REL.

Në Samit kanë arritur edhe komisioneri i BE-së për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn si dhe ministri i jashtëm i Italisë, Angelino Alfano.

Samiti po mbahet nën masa të rrepta të sigurisë. Forca të shtuara të sigurisë janë mbështetur edhe nga snajperë.

Takimi i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pritet të përqendrohet në projektet rajonale dhe në bashkëpunimin ndërmjet tyre në, siç thuhet, ruajtjen e stabilitetit dhe në prosperitetin ekonomik.

Qëllim i përbashkët, thotë kryesuesi i Këshillit të ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiq, është rruga drejt BE-së.

“Mendojmë se lidhja rajonale në kuptimin e një infrastrukture kualitative të transportit dhe energjetikës, shkëmbimit më të madh ekonomik që sigurisht çon drejt shtendosjes së marrëdhënieve në rajon”, tha Zvizdiq.

Në takimin e kryeministrave në Sarajevë me mikpritësin Denis Zvizdiq, marrin pjesë kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, i Shqipërisë Edi Rama, i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Kosovës Isa Mustafa, ndërkohë që Maqedoninë e përfaqëson Nikola Gruevski.

Takimi i kryeministrave po zhvillohet në një kohë të ndjeshme për Ballkanin Perëndimor, siç vlerësojnë zyrtarë të lartë të BE-së.

Vetë komisioneri Hahn pak kohë më parë e ka cilësuar këtë pjesë të Evropës si “një enë të mbushur me vaj” dhe i “duhet vetëm një shkëndijë që të shpërthejë zjarri”.

Hahn pati deklaruar se “pajtimi afatgjatë në rajon mund të arrihet vetëm përmes perspektivës evropiane”.

Këshilli Evropian ndërkohë ka bërë thirrje “që vendet e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë me reformat, me ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe me nismat e bashkëpunimit rajonal”

Porositë për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit ka përçuar edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, që ka paralajmëruar edhe mbajtjen e një konference të përbashkët me udhëheqësit e rajonit në muajin gusht.

Nëse para anëtarësimit nuk ka përparim, sigurisht se nuk do të jetë më lehtë pas anëtarësimit. Është në duart e vendeve, individualisht, nëse do të kalojnë shpejt këto faza apo jo”, ka thënë Merkel, duke vënë theks të vecantë mbi sundimin e ligjit.

Marrëdhëniet në Ballkanin Perëndimor janë tensionuar kohët e fundit. Problemet ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës kërkojnë biseda të përbashkëta për zgjidhjen e tyre.

Për shkak të procesit që Mali i Zi ka nisur ndaj përpjekjeve për sulm terrorist në ditën e zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit të kaluar, marrëdhëniet me Serbinë janë përshkallëzuar.

Në mesin e të akuzuarve ka ish-punonjës shërbimit sekret ushtarak dhe siç thuhet spiunë rusë.

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë acaruar pas arrestimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Rezolutës së Kuvendit të Kuvendit që ndërpret dialogun me Serbinë deri në lirimin e tij.

Një tren i nisur nga Serbia në Kosovë, me ikonografi mesjetare nacionaliste ngriti tensionet për aq sa edhe paralajmërimet për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Në Maqedoni ndërkaq po vazhdon kriza politike prej më shumë se dy vitesh që është përcjellë me protesta.

Takimi në Sarajevë mund të jetë një rast i mirë që kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes bisedimeve të shqyrtojnë mënyrat e tejkalimit të mospajtimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button