Shqetësimi dhe shpresa e Mogherinit

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogherini, u tha politikanëve lokalë në Maqedoni: “Mos luani me zjarr!”. Mesazhet e saj duket se nuk u pranuan nga politikanët e korruptuar lokalë, që nëpërmjet pushtetit duan të mbrohen nga ndëshkimi, për shkak të abuzimeve të shumta me pronën publike.

Politikanët e këtillë e komplikojnë edhe më shumë labirinthin politik e institucional në Maqedoni. I tillë është edhe kryetari mediokër i shtetit, i cili asnjëherë nuk u soll si burrështetas, por vetëm si shërbetor i Gruevskit.

Tentimi i Ivanovit, kinse për ta “ndërkombëtarizuar” problemin, duke e përfshirë edhe Shqipërinë, duket qesharak, por është i menduar dhe në shërbim të porositësit. Ivanovi e mbron politikën e kriminalizuar dhe jo shtetin. Ai dëshmon se i ka pranuar mesazhet e Gruevskit, por jo edhe të Mogherinit, e cila u kthye në Bruksel me shqetësim, por edhe me shpresë.

Mogherini është e shqetësuar se Ballkani Perëndimor, krahas tensioneve të brendshme, u ekspozohet edhe tensioneve globale. Rajoni, sipas saj, mund të bëhet tabelë shahu i lojërave që luhen në prapaskenë nga fuqitë e mëdha. Mogherini kishte vërejtur se rajoni përballet me sfida shumështresore dhe me tensione.

Kjo ndodh edhe për shkakun e oreksit të shtuar rus. Mediat e orkestruara proqeveritare ruse, serbe dhe maqedonase vazhdimisht shkruajnë “për rrezikun shqiptar”.

BE shqetësohet se kriza në Maqedoni, për shkak të këtyre lojërave, mund të kthehet në krizë ndëretnike. Përplasjet eventuale ndëretnike në Maqedoni do t’i shkaktonin kokëçarrje Europës, e cila edhe ashtu ka shumë probleme të brendshme.

Protestat kundër gjuhës shqipe janë partiake dhe qëllimi i tyre është mbrojtja e regjimit autoritar, por në sfond është sentimenti albanofob. Të shtypësh shqiptarët ka qenë e leverdishme politikisht për çdo pushtet në Maqedoni. Këtë qëndrim e shprehin edhe shumë akademikë nga ASHAM (Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve), që duket si filialë e ASHAS (Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve).

Në këtë histeri antiperëndimore shqiptarët janë kombi më pro europian dhe në vijë të interesit gjeostrategjik europian. Kokëçarjet e Europës i dëshirohen Rusia.

Politikanët e korruptuar lokalë i “lexojnë” përplasjet e fuqive të mëdha në rajon. Politikanët e korruptuar krijojnë probleme të mëdha për ta shpëtuar kokën e tyre.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini kohë më parë shprehu edhe shpresë, sepse kishte parë një rajon ku ka gatishmëri qytetare për vlerat më të larta europiane. Ajo ka parë dy pamje. Në esencë të ndryshme. Në njërën pamje janë politikanët, që krijojnë tensione, kurse në pamjen e dytë janë shumë grupime qytetare, që i përkrahin vlerat e BE-së dhe kanë dëshirë të jenë pjesë e saj.

BE duhet të japë sinjale të qarta se dyert e saj janë të hapura për Ballkanin Perëndimor, kurse për momentin duhet të angazhohet më shumë me situatën aktuale, për të gjetur zgjidhje urgjente. Tensionet ndëretnike mund ta kthejnë rajonin shumë vite më pas. “Shumë vite më pas” do të thotë kthim tek krizat e përgjakshme.

Mogherini tha se “paqja në Ballkan nuk mund të konsiderohet si fakt i sigurt”. Ky është sinjal se duhet angazhim efikas dhe urgjent, veçmas kur po forcohet retorika nacionaliste dhe kur shtohen tensionet ndëretnike. Vonesat i komplikojnë gjërat, i shërbejnë regjimit aktual dhe Rusisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP